Monday, March 7

Pellgu


Një vijë e hollë uji zbret nga kodra si një vragë loti dhe, poshtë në fushën që mjegullohet skajeve, shkrehet në një  pellg të qetë, që ka në njërën anë një qepallë, me qerpikë pemësh, që fëshfërijnë lirika intime…
Por nuk mund të ndalesh ndanë pellgut dhe ta soditësh pa pasur një kujtim mallëngjyes nga fëmijëria, apo nga një dashuri që herë-herë rrëzallin, herë-herë vagëllon! Unë kaloj shpesh ndanë tij dhe, në çdo rast, ndalem ta shoh, përndryshe, do të më mbante mëri. Është një akuarel ai, që ndryshon pareshtur; në mëngjes, herët në mëngjes, bëhet i mëndafshtë, me ngjyrë të thellë, si sy i menduar, më pas përndizet nga rrezet lëbyrëse, si ato pasqyrëzat e kalamajve, kur i kthejnë nga dielli, në mesditë bëhet i tejdukshëm dhe pemët flu të përmbytura në të, lahen ledhatueshëm së bashku me retë bredharake dhe qiellin e bruztë.
Nuk kalon dot pa e soditur…
Dhe, vjen pranvera dhe, drurët bumbëzohen, çelin lulet krela-krela, lulet lila dhe të trëndafilta që shkunden mbi pellg nga flladet si dantellat që bien nga trupi i një vajze të dashuruar. Çfarë akuareli!
Dhe vjen vera dhe të  gjithë miqtë shpërndahen dhe është e vështirë ta dish se ku ndodhen. Bari zhuritet përreth pellgut, bie erë diell dhe, harabelat që zbresin në fushë dallohen menjëherë. Kur ngrihen pastaj, janë një orkestër fluturuese e hareshme…
Dhe vjen vjeshta dhe, hëna në pellg është ajo gjethja e parë e këputur, që zverdh mbi mornicat e ujit. Sipër pemëve që zhvishen shtegtojnë rosat e egra, që i tundin krahët çuditërisht si fluturat. Janë pasdite të vrenjtura, me një erë që të duket sikur të kap prej krahu dhe me një shi, pikat e të cilit hutohen nëpër ajër…
Por nuk e di përse, këto pasdite të ikjeve të zogjve dhe të gjetheve, më duket sikur janë pasdite te shtunash apo të dielash…
Çfarë akuareli!
Dhe, vjen dimri dhe prasku i akullit mbi pellg, është një dritë e ngrirë e ditëve që shkuan. Tej fushës së murrëtyer rend një kalë i brymtë, ndërsa harabelat çukisin, sikur nguten të zgjojnë pranverën, që të kërcejnë edhe një herë, ashtu të çiftëzuar kadrilin e dashurisë! Çfarë pellgu!...

No comments: