Wednesday, December 29

Vizitë në studio



Studioja e skulptorit DP. ndodhet në njërën nga ato rrugicat e spërdredhura, gjithë porta të vjetra druri të shtëpive të njëpasnjëshme përdhese, me kopshte dhe avlli të lyera çdoherë me gëlqere e cila, më së fundmi, të shpie lart, te Qyteti Studenti.
Dhe vërtet, në çastin kur mbërrita aty, studentët po ngjiteshin grupe-grupe, duke u fjalosur dhe duke qeshur potershëm herë pas here.
Sapo m’u shfaq përballë, te hyrja e studios së tij DP m’u duk i shqetësuar, madje, i sëmurë. Eh, i shkreti artist, arsyetova me vete, pale çfarë pune ka në dorë dhe, i rri mendja aty ditë e natë, gjersa ta mbarojë. Kështu duhet të ishte, sepse, përndryshe, nuk do të më kishte ftuar në studio me dëshirë të hapur dhe, ndoshta edhe me padurim, a thua se vizita ime do t’i sillte ndonjë dobi.
-E, -m’u drejtua, duke më vështruar me sytë e zmadhuar dhe, duke më zgjatur dorën eshtake që i dridhej prerazi, si të kishte rënë në rrymë elektrike - si po të duket sot kjo magazina ime? Sa ke pa shkelur këtu?
-Nuk kam shumë, jo.
Nuk ishte mirë, nuk ishte mirë, ose më saktë, nuk ishte në atë gjendjen e rëndomtë të përditshmërisë rrjedhëse; ishte i kapur nga ethet e pashmangshme përndezëse dhe pickuese të krijimit. Por kishte edhe një lloj gjallërie, që nuk i përkiste as moshës dhe as tipit të tij. Po çfarë më desh mua? E kush se, DP, që e ka tepër të vështirë të fusë dikë në studio!
-Është rrëmujë e madhe këtu, si gjithmonë, por një studio skulptori, nuk mund të jetë përveçse kështu. Ja, edhe vaska e baltës; vazhdimisht ndiej nevojën ta përmend atë. Është e njëjta baltë me atë që Krijuesi ynë përdori për të mbrujtur njeriun e parë! -Dhe shpërtheu në një gaz të papërmbajtshëm, që e çeli dhe e solli në humor.
-Ti vështro ca rreth e rrotull, ndërkohë unë po të zbuloj bustin e Gavrill Darës. Ka filluar të bëjë vapë dhe, që të mos më plasaritet dhe, të më vejë dëm tërë mundi, e kam spërkatur rregullisht me ujë dhe e kam mbështjellë me pece dhe celofan, më keq se ato mumjet e Egjiptit. Nuk është një zbulim si ata të përurimeve; eh, ka ende goxha punë, gjersa ta lëshoj por edhe të më lëshojë. Çfarë po këqyr?
-Këtë bocetin këtu; që nuk e pati fatin të kthehej në monument. Asgjë nuk më pëlqen më shumë se bocetet! Kur realizohen, kur zmadhohen pra, në përmasat e parashikuara për t’u ngritur aty ku iu është përcaktuar vendi, shpesh zhgënjehem; nuk e gjej dhe nuk e shoh më atë spontanitetin e të modeluarit, ato prekjet përplot drithërima të mollëzave të gishtave që nuk e kuptoj përse rrafshohen dhe humbin, nuk e gjej më as edhe atë fantazinë e fillimit në formë dhe lëvizje. Shkurt nuk emocionohem dhe, kësisoj largohem i pakënaqur.
E mbaj mend këtë bocet; e pate quajtur Kur vjen pranvera. Erdhën e ta panë në studio ata idiotët e komisionit, me në krye dy anëtarët e Byrosë, po po; njeri ish kovaç dhe tjetra ish mjelëse dhe, të kritikuan rëndë për gabimet ideologjike dhe politike të krijimtarisë tënde. Këto tri vajzat, të shfrynë me ton hakërrues, që kinse po rendin gjysmë të zhveshura, nuk munden ta këndojnë kurrsesi Internacionalen; pastaj, ç’është ky shuk balte që po na vë përpara, bocet? Ti nuk qenke as serioz…
I mbaj mend, i mbaj mend të gjitha; kemi biseduar gjerë e gjatë bashkë atëherë, harrove? Por të mos e zgjatim, sepse nuk dua të lëndohesh për së dyti.
-O, nuk lëndohem aspak. Kanë kaluar dhjetë vite tashmë. Ngjarjet, sado të rënda që të kenë qënë, zhdramatizohen kur kalon një kohë e gjatë, madje, ngjanjëherë aq shumë, sa nuk i tregon dot me seriozitet. Por ajo ngjarje, për pak më rroposi një herë e mirë. E ç’prisni ju nga burri i ruses, nxituan të helmonin opinionin ziliqarët e patalentuar. Ç’t’ju thoshe; rusja kishte ikur në punë të vet, në Leningrad, por atyre iu interesonte ta përmendnin dhe ta aktualizonin lidhjen me të . Në atë kohë ndenja muaj e muaj të tërë pa prekur baltë me dorë, madje nuk vija as këtu në studio. Por, si po të duket Gavrilli ynë? Hidhi një sy. Mos harro se, do ta çojnë në Itali, te fshati i tij i lindjes!
-Fytyra e tij që tani ka psikologji dhe karakter. Dhe, të ndjek me vështrimin e tij dhe të ndal. Por, sa të pikëlluar këta poetët arbëreshë, sa të pikëlluar! Eshtë me sa duket, pikëllimi që i kaploi stërgjyshët e tyre me të lënë Arbërinë, pikëllim dhe dhembje që përçohet edhe sot e kësaj dite me të njëjtin densitet.
-Seriozisht po flet?
-Të paktën në ndonjë shkrim, kështu do të isha shprehur.
-Megjithatë, duken të kenë qenë burrërorë dhe konsekuentë.
-Ah, balta balta!
-Ç’ke me baltën...
-Por nuk më ke ftuar pikërisht për të më treguar Gavrillin, kështu?
-As unë vetë nuk e di se, për çfarë të kam ftuar pikërisht, por njeriu ka nevojë për gjithçka nga një mik.
-Më ke thënë se, del vazhdimisht te dera e studios kur pushon ca dhe, pi cigare, duke ndjekur njëherësh me ëndje ecejaket e pashtershme të studentëve?
-Ah, sa me mall e me nostalgji i shoh! Çlodhem kthjellohem dhe, marr pak ajër. Por, tjetër racë studentësh kemi qenë, fjala vjen ne. Ajo pirja e cigares aty, te dera, është refreni i orëve të lodhshme të punës sime. Por, sa femra të bukura kalojnë herë pas here! Do ta kthejmë nga një gotë? Mbaj raki të mrekullueshme unë këtu në studio, siç e di edhe ti. Me ata kolegët e mi, as rrihet dhe as bisedohet. I ka rrëgjuar dembelia dhe rrokaten e nuk pushojnë.
-Gëzuar dhe suksese!-e urova, kur ma mbushi gotën dhe rrëkëlleva një hurbë të mirë.
-I shoh ato femrat, por tashmë duhet thënë i shihja ato femrat që kalonin e kalonin përpara studios dhe, një ditë prej ditësh veçova njerën prej tyre. Fillova t’i buzëqesh nga pak, por ndjellshëm që t’i tërhiqja gjithsesi vëmendjen, por kaq; nuk po përparoja.
-Dhe...
-Dhe, kur nuk ta mban, nuk ndodh asgjë interesante.
-Por ama nuk rrezikon, ndonëse sakaq squllesh dhe bjerresh.
-Posi posi; ajo, siç duket, argëtohej si të gjitha femrat e botës me dobësinë time dhe, një ditë, që nuk vonoi, ma ktheu buzëqeshjen përshëndetëse më me kurajo dhe më e vendosur se unë.
Nuk vishet me shije dhe rrobat i ka mjaft të përdorura, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, por ecën bukur, oh, pa dyshim bukur dhe ngacmueshëm. Beson, ka hundë të madhe, por jo të shëmtuar, sepse i harmonizohet për mrekulli mes atyre syve gri të mençur dhe faqeve të tërhequra. E ngordhalaq që të merr frymën me atë duhmën e shpifur të duhanit, iu gërmusha vetes, jepi tani, kuturis! Por kuturisi ajo. Më hyri në studio. Dje pra, dje. Po thithja si i babëzitur cigaren e tretë radhazi aty te dera, si të isha endacak; hahaha, kur ajo kaloi pranë meje, si gjithmonë së bashku me disa studentë të tjerë. Mbante një dosje të trashë, e mbante të mbështetur pranë zemrës, le të themi, mu si ato stakanovistet e pllakateve që mbajnë veprat e shokut Enver dhe ...
-Bobo, sa argëtohesh ti me këto krahasime të zararshme! Por mos harro se, edhe ato pllakatet ju i ideoni dhe i realizoni.
-Po po; dhe kur u shkëput nga grupi për të ardhur tek unë, vura re se, kishte një gjoks të përpjetë dhe arrogant. Si je, m’u drejtua në njëjës për afëri sigurisht, jo për mungesë mirësjelljeje dhe, më zgjati dorën. Nga mënyra se si e ruajti buzëqeshjen, kuptova rrëmbyeshëm se, e pranonte trillin dhe aventurën. E kisha parë përherë pothuajse veçse në profil dhe, ballë për ballë më dukej si tjetër njeri.
-Hë, ja u rrëfeve...
-Patjetër; kur rrëfehesh, sikur mëson të sillesh më me maturi.
Kam shumë kureshtje të shoh një studio, u hap ajo; nuk kam parë ende ndonjë gjer më sot. Urdhëro, i thashë dhe i hapa udhë. Në këmbë kishte mbathur një palë gjysmësandale a gjysmëkëpucë, nuk di ta saktësoj, por kërcinjtë i kishte të gjatë dhe me pulpa të ngjeshura. Sa u habit kur hyri brenda! Nisi të shohë e heshtur bustet dhe kokat përqark studios dhe u step e tëra. I ndjeva erën e djersës, një erë të lehtë, në fakt po të kishe parasysh se, ajo nga rruga gjithë diell vinte, por unë prej asaj ere, e thashë, të lehtë dhe të natyrshme, u kujtova dhe u ndërgjegjësova se, në studion time kisha një njeri të vërtetë, madje një femër, gjithë hire rinie!
-Ndonëse e ke takuar veçse dje, ke menduar dhe ke ëndërruar aq shumë për të, sa ke shkuar disa muaj përpara. I premtove t’i bësh ndonjë portret, apo ndojë shtatore, që do të quhej Aksionistja, apo Studentja?
-Çdo gjë nga këto që përmende ti mund të ndodhë. Dreqi ta hajë; nuk më hyri në studio armiku i klasës. Ma humbe fillin; e pra, mjaftoi thjesht ardhja e saj në studio që të të them i bindur se, filloi një periudhë e re e krijimtarisë sime; kam nxitje dhe vullnet për të punuar, i shoh qartë ditët që do të vijnë dhe, entuziazmohem.
Çfarë efekti të menjëhershëm më bëri ajo femër; o, i jam mirënjohës!
-Nuk shpëtojmë dot ne nga perifrazimet e sloganeve. Dëgjo professor, sikundër edhe je; atë periudhën e re të krijimtarisë tënde artistike, të periudhës sime, po të duash ti, apo të kujdo tjetër artisti apo shkrimtari shqiptar, e ka në dorë ekskluzivisht vetëm Partia, me plenumet dhe direktivat e saj. Ty të takon vetëm të presësh dhe më pas t’i pasqyrosh drejtpërdrejt këto mësime të vyera në veprat e tua. Çfarë diskutuam ne qëparë për atë bocetin e atyre vajzave që i kishte zënë pranvera? Sa naiv bëhet njeriu, kur bie në dashuri!
-The atë që pate merak; unë nuk do të ndërroj stil dhe, sigurisht që nuk do të përqafoj ndonjë izëm dekadent; të pëlqen kështu? Thashë me sinqeritet se, tani e tutje do të ngulem përsëri në studio nga mëngjesi deri në mbrëmje.
-Folët shumë?
-Po, u bëmë llafazanë të dy dhe nuk lamë gjë pa e pyetur njeri-tjetrin.
-Mirë mirë, por do të bjerë dera dhunshëm ndonjë ditë dhe, do të të futen drejt e brënda ata të këshillit të lagjes, pensionistët apo veteranët me xhaketa ushtarake pa spaleta si robërit e luftës, do të ta gjejnë të vluarën me brekë apo, mos e pyet, nudo fare, duke pozuar gjithë naze dhe, do të të marrin në qafë përfundimisht; fut femra të përdala në studion e shtetit, do të të akuzojnë.
-Ajo gruaja ime ruse, të cilën e njoha në të njëjtën rrethanë, që njoha edhe këtë shqiptaren tonë, kur ishte studente edhe ajo dhe, na kalonte çdo mëngjes përpara atelieve, gruaja ime e dikurshme ruse pra, që nuk dua t’ia zë emrin në gojë, sepse prekem dhe më mbysin kujtimet, po bën jetën e vet prej shumë vitesh atje në Leningard, pa u ngacmuar dhe pa u shqetësuar prej askujt. Çfarë pres unë këtu, në Tiranë, vetmitar si të isha asket, përderisa jam i divorcuar ligjërisht? Kjo studentja ime na qenkish në vit të fundit, paskesh punuar edhe nja tre vite si mësuese në fshat para se t’i dilte e drejta e studimit, kështu që edhe në më shkreptë ta marr, të martohem, desha të them, por mezi më dalin disa fjalë, nuk do të kemi ndonjë ndryshim moshe kushedi se çfarë. Sa tallëse i ke buzët me atë nënqeshje! Sa vajti ora? A e di ti që, pas pak,ajo do t’ia behë këtu? Ata veteranët-robër këtë herë nuk kanë çfarë të më bëjnë. Ndodh që të të mos mjaftojë një jetë e tërë për të njohur një njeri, por ndodh gjithashtu që të të mjaftojë edhe një ditë e vetme, madje edhe një çast i vetëm. Nuk po bëj letërsi si ty, jo...

1995

Monday, December 20

Duke shkuar…



Vdiq dhe, ne u nisëm drejt tij! Por sa shpengueshëm e kaloja nëpër mend, apo edhe e shqiptoja foljen e zezë me vdek! Siç duket, në rastin e tij, vdekja nuk ta shkaktonte atë dhembjen e thellë ligështuese…
Me një fytyrë tërë rreshta rrudhash të pafundme, alfabeti mistik, me të cilin shkruhet mençuria, dhe, me sytë të mbetur përgjithmonë të kaltër, të kaltër, mu si ai qielli kur zbulohet befas sensualisht mes shirash të shkëndijshëm, Poeti më shfaqej përpara jo i vagullt, por besueshmërisht i lëndët dhe i cekshëm, me dorën e ngritur lart për një përshëndetje lamtumire dhe, me ca xixëllima thuajse elektrike të një nënqeshjeje ndër buzët e pjerrësuara, nënqeshje që nuk iu shua kurrë, me të cilën, gjithë sarkazëm, gjithë mahi, por edhe gjithë përkujdesje e merak, dukej sikur porosiste: dashuroni, dashuroni në çdo çast të jetës, përndryshe, si mund të rrohet pa këtë shqetësim të ëmbël…
Po shkonim te ai
Të heshtur dhe të menduar.
Përgjatë Shkumbinit, në krah të të cilit shtillej rruga që po përshkonim, rrëzëllinte vjeshta me një dritë të praruar, të qetë dhe të përmbajtur si dekor ceremonish funebre, teksa era e herëpashershme, plot ahte dhe ngashërime, dikonte mbi rrufullat e ujërave të fryrë, gjethet, gjethet e krahasimeve të pambarueshëm të poetëve...
Atje, buzë liqenit prej loti, apo majë degëve rrënkuese të mështeknave të shkundura nuk do t’i gjenim më lejlekët dhe zogjtë e tjerë shtegtarë; ata sigurisht që mungonin tashmë dhe, nuk do t’i shihnim, ashtu siç nuk sheh edhe atë dashnoren e zëmëruar që nuk del më në takim...
Pas varrimit, me t’u deklamuar shtërgu i fundit, që është kthyer në një de profundis i vërtetë shqiptar, aq më tepër ngaqë lutjet e mirëfillta të teksteve të shenjta, as që guxonte t’i zinte ende njeri me gojë, edhe pse vetë diktatori i pafe, tashmë ka më se dy vite e gjysmë që ka vdekur, do të lëshohesha i vetëm nëpër qytet, i cili, me të perënduar tretet e bëhet flu, si i pasqyruar n’ujë, kurse hëna pas kallamishteve frushulluese, është si ai syri i bukur ëndërrimtar pas leshrave të shpupurisura…
Do të veja patjetër edhe te kopshtet me mollë, kopshtet me aromën e nostalgjisë për Pogradecin. Ato kopshte do t’i mveshë së shpejti krahneza fine e brymës dhe më pas edhe krahneza lëbyrëse e dëborës dhe, atëherë do të kthehen në kristale dritash…

Dhe ishte vjeshtë
Po ç’mund të ishte tjetër?
Njihte veçse kalendarin e stinëve, ndërrimin e të cilave gati-gati e përgjonte si shumica e poetëve dhe, për rrjedhojë, e ndjente i pari, duke u prekur dhe duke u gëzuar hareshëm si fëmijë nga ndryshimi i peizazheve nëpër hapësira.
Dhe, kur ishte verë, jetonte verën, i përfshirë nga afshet erotike, trillet dhe dalldia dhe, kur ishte pranverë, jetonte pranverën dhe, ashtu i ndezulluar, i hajthëm dhe gjithë vesk, si lastar i lëngëzuar, nxitonte të shihte bajamet e çelura dhe zogjtë që ishin kthyer dhe, sakaq ishin ulur mbi arat që avullonin ...

Një herë të vetme u shtir dhe pozoi ai dhe, dështimi i ra mbi kokë si mallkim. Dështoi turpshëm dhe shëmtueshëm me një farë vjershe që u stërmundua ta stiste, kinse për sukseset e mëdha të socializmit dhe, u tërhoq i nervozuar dhe i indinjuar më i vendosur se kurrë e, nuk u mëdysh më, deri edhe sot e kësaj dite që vdiq. Dhe as që deshi t’ia dijë për planet pesëvjeçarë të zhvillimit, bllokadën e egër imperialisto-revizioniste, dekoratat, fletërrufetë, konkurset letrare, plenumet, kolektivizimin e bujqësisë...
Çfarë proteste! Në heshtje dhe me shmangie. Pa ballafaqime dhe përplasje, pa proklamatë dhe sherre, pa akuza të ndërsjella dhe, pa promemorie. I vetmi institucion, që me sa dukej, njihte dhe pranonte, ishte Liqeni, që e prehte dhe i frymëzonte amshim...
Madrigal i pikëlluar i vjeshtës. Por gjer ku do ta ndiqnim?
                                                             

11 Nëntor   1987


Saturday, December 11

Haiku



1.
Piruete e lulediellit,
Homazh
Për Van Gogun!

2.
Sa rrëqethës
Vaji i vetmuar
I zogut në pyll.

3.
E krisi qiellin
Hiperbola
E vetëtimës…

4.
Dielli pas resh,
Buzëqeshje
Leonardiane...

5.
Pemët pasqyrohen n’ujë;
Zogjtë dhe peshqit
Lozin së bashku...

6.
Lot të stilizuar
Fijet e shelgut,
Që shkrehen e derdhen.

7.
Mollë me kokrra t’arta;
Ndër degë
I këndon bilbili...
                        
8.
Çfarë sensualiteti!
Çelin lulet, këndojnë zogjtë
Shqyhet gazit dielli...

9.
Kur mjellma këndon,
Liqeni
Bëhet lot!

10.
Dordolecët n’ara,
Aktorë të trishtë
Tragjikomedish.

11.
Qull pylli nga shiu;
Kërpudhat dolën,
Por s’bënë pranverë…

12.
Dielli djeg si flakë;
Nga pemët
Bien fosile gjinkallash…

13.
Çeli pranvera!
Sa e bukur jeta,
Sa i vërtetë amshimi...

14.
Zogu fle në fole,
Te lulja flutura;
Ah, të më pranonin mua!

15.
Si u thur
Ylberi
N’avlëmendin e shiut!

16.
Diellin që u zhyt në det,
Rrekem ta kap
Si Peshkun e Artë!

17.
I kuqi i buzëve
Te tehu i gotës;
Si ike e s’u puthëm?

18.
I mallëngjyer
Dielli
Në perëndim!

19.
Zogj ekzotikë
Ylberet që ngrihen
Mbi ujëvarat…

20.
Krahu i fluturës
Tavaloca n’erë
E piktorit…

21.
Mjellmën mes ujërash
Rri dhe shoh
Si t’ish femër nudo.


22.
Ato plepat, po atje
Presin e presin
Ndanë udhëve…

23.
Lepuri n’agim
Mes shkurresh shijon
Luleshtrydhen e diellit…

24.
Gjarpri u zhvesh;
Lëkura e ftohtë
Dhuratë mistike për mozaikun.

25.
Sa shumë polen
Shkundi sonte
Gonxhja e hënës!

26.
Miq, vetëm fëmijët
Ndrisin sa dielli,
Kur qeshin...

27.
Bie një gjethe,
Bie një pupël;
Pema dhe zogu pikëllohen!

28.
Shend e verë
Bajamja
E çelur!

29.
Gjelit të egër ngjyrat
Ia mbuloi bora;
Pula iu largua…

30.
Ajo po më çmend, ajo
Reja që bëhet engjëll
E më pas djall…

31.
Kjo fole përtokë
Më shqetëson
Si shtëpia e shembur…

32.
Zot, mbeta këtu,
Në provincën
Tokë!

33.
Zabelin flu era
Shih, kur ta shprishë
Si push lulesh…

34.
Pas pyllit dielli
I kuq dhe i madh
Si zjarr…

35.
Ujëvara e ngrirë
Ëndërr vere
E ndërprerë…


36.
U rebelua lulja;
Flutur u bë
Dhe, fluturoi...

37.
Yjësi e zbritur
Hurmat ndër degë
N’oborrin me mjegull.

38.
U vjeshtëzua pylli...
Si ta përballoj
Herbariumin mallëngjyes?

39.
Lulja që shtriu shiu,
Si femra pas dashurisë
M’e bukur u çua...

40.
Sa herët shtroi bora!
Si të shkel fushës;
Nën praskun që zbardh ka lule…

41.
Tundeni tundeni plepin!
S’e shihni sa keq ka ngecur
Hëna ndër degë?

42.
Hëna mbi mal
Shih, kur të shkasë
Si ortek i bardhë!

43.
Ndrikullat bletë
Nguten të lidhin
Lulemollën me luleftoin...
                                            
44.
Ah, asonanca
E rrjedhës së lumit
Me psherëtimën e pyllit!

45.
Fluturoi
Orkestra
E zogjve…

46.
Bien gjethet,
Rrokjet
E vjeshtës…

47.
Shelgu,
Sensualisht lëshuar
Si haiku japonez ...

48.
Një janë, një
Valët e lumit,
Telat e violinës...

49.
Pulëbardha cik ujin
Cik cik cik;
Liqeni zgjohet...

50.
Shiu mbi zabel
Psherëtimë
E fshehtë...

51.
Kur ra tablo e vjeshtës
E dimrit, kur u var?
Nxin pylli, kodra zbardh...
                                              
52.
Miniatura dielli
Rruzujt e vesës,
Që shndrisin fushën.

53.
Ikën shirat;
Ylberi mbeti pas,
Dhuratë e frikshme si Kali i Trojës.

54.
Yjet mbi valë
Ma djegin trupin
Si kandila deti.

55.
Lulja mbi pleh
Predikim pavdekësie
Nga vetë vdekja.

56.
Këtë dimër
Foletë e zogjve
Pubisin e asaj më kujtuan...


                                                                                 1995
konarel