Saturday, November 27

Poeti



Ishim mbledhur të tërë te klubi i Lidhjes (Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve) dhe, po prisnim të sillnin nga çasti në çast arkivolin me trupin e Viktorit të ndjerë! Poetin e mrekullueshëm lirik! Mikun tonë të shtrenjtë dhe të paharrueshëm! Që kishte vdekur, siç pohonin me hidhërim ata që hynin e dilnin, pa pritur e pa kujtuar, aty më të gdhirë...
E pra, vetëm me të mbërritur arkivoli, do të fillonin zyrtarisht homazhet në sallën e madhe, me mure të zhveshur dhe të pistë, nga balli i së cilës, së fundmi, hoqën edhe bustin e fetishizuar të Naimit...
- Çfarë thuhet? – pyeti njëri nga shkrimtarët, i ulur rreth tryezës sonë, administratorin e patjetërsueshëm të Lidhjes, i cili , edhe pse nuk merrte rrogë që prej tre vitesh, vinte dhe e hapte portën e lartë prej hekuri te Lidhjes, rregullisht çdo mëngjes, sipas orarit zyrtar, të mbetur që nga diktatura.
- Përse po vonohemi kaq shumë; na humbi durimi fare!
- Ke të drejtë, ke të drejtë; por se ç’ka një ngatërresë të çuditshme. Sapo ta zgjidhim, do t’ju njoftoj...
- A bën kush kafe këtu, mor aman, sepse vdiqëm këtu majë karrigeve! – u lëshua një tjetër. – Po na sillen mendtë vërdallë.
- Ç’kafe kërkon ti, pash Zotin! Lidhja ka marrë fund një herë e mirë, më vjen keq, por këtë e dinë të gjithë. Lidhja nuk funksionon dhe ne, prapëseprapë vijmë këtu si donkishotë.
- Ja, shërben sa për të hyrë e për të dalë i vdekur ndonjëri prej nesh.
- Botohet edhe ajo gazeta.
- Ajo gazeta si trakt lufte.
- Si nuk erdhi Viktori, të fillonte edhe ajo ceremonia.
- Do të fillojë, do të fillojë, mos ki merak; Lidhja në agjenci funerale është kthyer tashmë.
- Sa të hidhur jeni dhe, sa fatalistë!
- Megjithatë, llogaritë, po i bëni gabim. Shumëkush prej nesh, nuk do t’ia mbërrijë ditës të dalë prej këndej, kur të cofi. Kësaj ngrehine goxha të bukur dhe me vlerë, mu këtu në mesin e Tiranës, ia ka vënë syrin prej kohësh vetë qeveria jonë e përkorë dhe, shih, kur të na këpusin një shqelm bythëve e të na hedhin jashtë!
- Po po; por si nuk po vjen Viktori!
- Ti – m’u drejtua si hetues njeri nga ata të tryezës sonë të ngjeshur – ma shkërdheve nënën me atë shkrimin e poshtër që botove kundër meje të dielën e kaluar, more vesh! Ç’pate ti me mua? Më zuri diabeti, më zuri! I bihet në qafë moshës sime?
- Pusho! Si nuk të vjen turp? Harrove për çfarë jemi mbledhur? Pastaj, ka edhe femra këtu rrotull. Nga të erdhi guximi ty? Ti në përgjithësi je frikacak; s’e marr vesh ç’rrethanë të favorizoi të tregohesh trim e të kërkosh llogari! Ti ke qenë spiuni më i zellshëm i kolegëve të tu; dakord? Tashmë je prapë i privilegjuar dhe, kjo është më e padurueshmja. Ke shtëpi botuese, të zgjedhin kryetar jurie nëpër konkurse, shpërndan opinione, cakton njerëz që të shërbejnë ty nëpër vende pune të rëndësishme. Unë do t’i kalbja në burg ca si ty, pa m’u dridhur aspak qerpiku! Dhe mbylle tani!
- Jo, tani po iki fare; në këtë orë, unë ushqehem dhe më pas prehem ca.
- Ik or’ aman ik! – e shtyu ai që kërkoi të pinte kafe – Mirë thoshte i shkreti Viktor; të vjen turp të thuash se je i persekutuar, sepse nuk ka mbetur spiun po u shpallur hero i demokracisë.
- A, Viktori, Viktori; po si nuk po vjen?
- Ai ndyrësira që sapo theu qafën, mbyllet brenda me ditë të tëra si në arrest shtëpie dhe, kur del që andej, vjen në redaksinë tonë dhe na sjell ca tregime që na shkaktojnë të vjella, kur i lëçitim.
- Ti pusho, mos e shaj, sepse nuk je burrë më i mirë se ai. Është turp ta varrosësh Viktorin ti, që me siguri kushedi se sa herë do ta kesh shqetësuar duke e fyer dhunshëm. Ti nuk je shkrimtar; ti je kovaç!
- Shko ore pirdhu! Ti mban ende brekë grash!
- O Zot, kush llomotit, zëdhënësi i kafeneve, që nuk ka lënë asnjë nga bashkëshortet e kolegëve pa ia kërkuar!
- Shët more! Si nuk po vjen Viktori...
- Ti i ke vjedhur, po po, të gjitha qeramikat e Lidhjes, të varura nëpër mure; të gjitha pikturat, që i prisje me brisk si ata gangsterët e filmave. S’ka më inventar në këtë haur, shfryje dhe, o burra...
- Oho; po ti vdisje të të shihnin njerëzit përkrah meje në bulevard, vdisje, apo iku ajo kohë? I vobekti ti që mbete në provincë me ca vargje dashurie, të frymëzuara nga librat, më keq se ata konviktorët hutaqë!
- Mbylleni ore gojën; merrni apo nuk merrni vesh? Po na bien celularët viu-viu, e nuk dimë si t’iu përgjigjemi atyre që na pyesin se, kur do të nisin homazhet për Viktorin. Një debil më pyet, a ka ardhur sakaq ministri i Kulturës! Na ore ti, sepse je më i riu; shko e na merr nga një kafe me gota plastike atje te ai lokali në anën tjetër të rrugës. Ne, ohu, dikur, mezi prisnim sa të na jepej rasti t’iu shërbenim sadopak shkrimtarëve të afirmuar.
Ja, ku i ke paratë; merr edhe një për vete, sigurisht...
Ai që u porosit për kafetë, dukej të ishte më tepër se dyzet vjeç, megjithatë nuk dha asnjë shenjë hatër mbetjeje, përkundrazi, u lëshua me vrap e me dëshirë ...
Përmes dredhave të formuara nga tryezat e vendosura kuturu, tryezave përplot poetë dhe prozatorë, dallova administratorin e Lidhjes që tundte kryet me shpoti, tek fjalosej sa majtas – djathtas.
- Ç’kemi ndonjë të re? – e pyeta qortueshëm.
- Ja, pra më njoftuan se, nuk do të ketë homazhe këtu në Lidhje; as homazhe e asgjë tjetër. I kthyen mbrapsht edhe ato kurorat që kishin mbërritur ndërkohë.
-Po atëherë, përse na lini të presim si të humbur? Ore, ku është ai kryetari i Lidhjes?
- Kryetari i Lidhjes? Sa ke pa e parë? Ka ikur jashtë shtetit me gjithë vulën në xhep.
- Pika vulës! E ç’vulosni ju me të, se më alivanose. Këtu, edhe shurrën e bëjnë ku t’i zërë.
- Të largohemi ne; je i sigurt që s’ka homazhe këtu?
- Po si do t’ju njoftoja pa qenë i sigurt. Ja po ikin edhe gazetarët; po i mbledhin edhe kamerat edhe mikrofonat...
- Di ti të na shpjegosh përse nuk do të kryhen homazhe këtu; ka lënë ndonjë amanet i ndjeri, apo familjarët e tij kanë këmbëngulur kushedi përse, që të kryhet veçse një ceremoni private?
- Hapmëni një vend për t’u ulur dhe ua zhdredh unë fije e për pe. Viktori, miku juaj dhe imi bashkë, na paskësh vajtur nja tri ditë para se të vdiste, te Bregu i Lumit, atje mes romëve, apo ciganëve, se nuk e kam fort të qartë si duhet t’i quaj në mënyrë korrekte ata; ka kërcyer ka kënduar e ka pirë ditë e natë pa pushim gjersa është shembur përdhe...
- Viktori! Aq i sëmurë e aq i sfilitur ...
- Po, po, Viktori vetë; se ç’kishte pasur edhe ca para me vete, një shuk në një xhep e një shuk në një tjetër, që i paskësh hedhur përpjetë n’ajër fiu fiu si nëpër dasma, ashtu i çliruar tërësisht nga çdo lloj ankthi e frike dhe, me ato para, gabelët e vegjël, ohoho, do të më akuzojmë për racizëm; romët pra, arixhinjtë, a ç’djall me brirë janë, venin e blinin herë pa here raki...
- Viktori...
- Dhe, në tërë këtë aheng shurdhues, me dajre gërnetë me hihihi e hahaha, na paskësh qenë Viktori ynë ai që bërtiste shfrynte e gajasej më shumë nga të gjithë, ashtu i përfshirë në jerm e dalldi, n’ekstazë e ndezulli, pa e llogaritur fare vdekjen. Hehe; kam shkruar edhe unë nja dy romane, madje atëherë kur e kishin të gjithë mendjen te letërsia, por ju më quanit letrar i klasës punëtore.
- Po shteti nuk ndërhyu fare në tërë këtë ndodhi? Fundi i fundit nga ç’burim erdhi njoftimi se, do të kryheshin homazhe në Lidhje?
- A është vepruar kështu sa herë që ka vdekur një anëtar i Lidhjes?
- Po më pas? A lajmëruan romët autoritetet përkatëse për vdekjen e Viktorit? A e dinin ata që ai ishte një personalitet i letrave shqipe?
- Ç’thua more! E ku dinë ata të tilla gjëra. Megjithatë, pasi i kanë gjetur në xhep dokumentet identifikuese, që unë besoj se Viktori i ka marrë me vete me paramendim, kanë shkuar në një rajon policie, në më të afërmin dhe, kanë njoftuar kështu dhe ashtu...
- O Zot...
- Por ceremoninë e varrimit kishin nisur t’ia kryenin vetë romët, sipas të gjitha riteve të tyre. Shpirt njeriu e kishte quajtur Viktorin i pari i tyre, nëse ata vërtet janë të organizuar kështu, më një të Parë...
- Po a u interesua kush që ta sillnin që andej Viktorin në Lidhje? Sepse duhej patjetër që ta sillnin në Lidhje.
- Për këtë nuk mbaj përgjegjësi unë. Familjarët e Viktorit, pasi kanë pirë një kafe mirënjohjeje, aty te Bregu i Lumit, janë nisur drejt e në qytetin ku banojnë, të shoqëruar edhe nga një autobus dëng me ciganë; po po ...
- Një institucion më vete edhe ky Bregu i Lumit...


2005