Friday, September 24

Mollët e dëshmorëve



Është e vështirë për t’u besuar, por ja që, në të vërtetë ndodh rëndom që, propozimet e paraqitura nga disa të marrë, të merren seriozisht parasysh, të vihen në zbatim, madje më pas, edhe të kthehen në traditë e, përse jo, edhe në ligj...
E pra, kush do të ketë qenë ai sherrbudalla, që ka propozuar një ditë të lume, të ndahen më 5 Maj nga dy kilogramë mollë ( patjetër me autorizim përkatës në dorë!) për çdo familje dëshmorësh? Si do t’i jenë përgjigjur në fillim ata të Byrosë Politike, ku merret pa përjashtim çdo vendim? Do t’i kenë thënë menjëherë shkurt ‘po’, apo, sipas praktikave partiake, do ta kenë hedhur propozimin për diskutim, dhe pas rrahjes së mendimeve për disa orë të mira, shokët janë shprehur njëzëri në favor të propozimit?
Sidoqoftë, tashmë, që prej disa vitesh, ndahen rregullisht mollë në ditën e shënuar të dëshmorëve, me qëllim që, familjarët e tyre të respektuar, që jetojnë ende, të kenë me çfarë t’i qerasin vizitorët e lartë që iu venë ceremonialisht për vizitë…
Po po; mollë / 2 kilogramë / starkinga / kujdes nga ata që do të përpiqen të përfitojnë pa të drejtë !/
Këto po përsillja ndër mend mbarë e prapë më katër maj, duke ecur në trotuarin me trëndafila përgjatë Lanës, por mali i Dajtit përballë, më këndelli me gjelbërimin e qartë dhe të shkrifëruar, a thua se e kishin lëvizur lehtësisht nga vendi dhe e kishin ngjeshur pas pallateve të Tiranës, si të ishte sfondi prej letre i një dekori. Asfalti ishte ende i lagur nga shiu, gjethet e sapoçelura shkëlqenin dhe drithëronin, vështrimi shtrihej ëmbëlsisht larg, retë aty- këtu të kujtonin ca lëvere të bardha që i tundte era, ashtu të nderura.
Por kur kalova përpara derës së hapur të një dyqani fruta – perimesh, era e fortë e mollëve me ngjyrë të kuqe të errët si gjak i piksur, që me sa dukej kishin nisur të tharmëzoheshin, më përshkoi tërë kraharorin dhe, ma ndryshoi krejt gjendjen …
M’u shfaqën bredhat me borë dhe yje të Vitit të Ri, fëmijët e gëzuar, me shalle dhe me kapuça, gjelat e detit kokëposhtë, ecejaket për të zënë radhët e gjata ngjitur pas mureve të dyqaneve…
E si mund të ndodhte ndryshe, përderisa aromën e tyre të mrekullueshme, e ndjejmë veçse në çdo ditë të fundit të vitit, kur mollët shiten lirshëm për të gjithë popullsinë dhe, me atë rast guxojmë edhe ne të mëdhenjtë të kafshojmë një kokërr për shpirtin tonë! Sepse pastaj, dihet; çfarë mbetet i racionojmë një për një për fëmijët…
Aha; por nuk ishte dimër; ishte pikërisht pranverë gjithë ndezulli dhe dritë frymëzuese…
- Ua, mollë! Nxito t’u blejmë kalamajve ndonjë kile! – shpërtheu një grua duke iu kthyer shoqes së saj që kishte në krah, mu aty pranë derës së dyqanit, ku gjendesha ende edhe unë.
- O, idiote, mos hyr brenda, se do të të kërdisë shitësja! – e ndali në vend shoqja e saj. - Kush të jep mollë ty, moj; janë mollët e dëshmorëve. Ke dëshmorë në shtëpi ti? Jo. As dashnor s’ke ti...
- Pusho; po kujt i duhen mollët në 5 Maj! Një kafe, një raki dhe, dil. Apo duhen qerasur ata të mëdhenjtë! Kurrë mos i hëngshin! Le që, ku iu hynë në sy atyre këto farë mollçinkash të kalbura.
- Mbylle, o dreq, mbylle, sepse do të na marrësh në qafë. - e këshilloi tjetra, duke parë nga unë me ca sy të ndritshëm dhe tallës, pa u shqetësuar fare. U shtira sikur nuk kisha dëgjuar gjë, por nuk e di përse, ato të dyja i mora për rrobaqepëse? Ndoshta ngaqë në fundin e rrugës ndodhej një N.P.V.. Por sa më pikëlluan, ndonëse ato vetë, nga ana e tyre, e merrnin çdo gjë me të qeshur. Po kush tha? Ku ta dije se, çfarë shtypnin së brendshmi...
Ashtu si çdo vit tjetër, edhe nesër më 5 Maj, në këtë ditë të shënuar të kalendarit metafizik të antifesë komuniste, do të nisnin vizitat nëpër shtëpitë e dëshmorëve. Vizitat tmerrësisht të përsëritshme! Benzat, të trembëdhjetët, të vetmit në Shqipëri, do të spërdridheshin nëpër rrugë, e sidomos nëpër rrugica, ( rrugicat e njësiteve guerile dhe atentatorëve ) ashtu të zinj blozë, të kromatuar gjithandej dhe me perde kinda – kinda si katafalkë. Shtëpitë e dëshmorëve, ato ku venë për çdoherë anëtarët e Byrosë, do të rrethohen që sonte nga rojat e Sigurimit dhe, familjarëve ky rrethim, edhe një herë tjetër, do t’iu shtjerë në kokë një ankth të madh, pothuaj të njëllojtë me atë që iu shkaktonte rrethimi i shtëpisë nga fashistët në kohën e luftës, kur u vriteshim bijtë dhe t’afërmit...
Ah, mollët mollët!
Hajt t’i ndiqje përsëri nesër mbrëma anëtarët e Byrosë një e nga një në kronikat televizive, anëtarët e Komitetit Qendror pastaj, me ndonjë nip, apo mbesë të dëshmorit përkatës në prehër për t’u dukur sa më babaxhanë, (klisheja ishte e aprovuar prej kohësh) pastaj heronjtë e punës socialiste, me jakat e xhaketave të pastruara dhunshëm me benzinë, kutërbimin e së cilës e përhapin ngado, heronjtë e punës, të cilët partia hiqej sikur i pyeste për çdo gjë, dhe ministrat, që tashmë pas dhjetëra vitesh në detyrë, emrat iu tingëllojnë si toponime...
Në krahun tjetër, nënat e ngrata të dëshmorëve, ulur në një cep divani, si në shtëpi të botës, baballarët pranë tyre, të cilët, të detyruar mizorisht, rrëfenin e rrëfenin përmendsh episodin standard të rënies së bijve të tyre, duke thirrur në fund (domosdo ) rroftë partia...
Bobo; dhe po ato divanë, po ato bufe, po ai televizor i stërmadh njëkanalësh me një çentro trekëndore mbi ekran, po ato grimasa, po ai bust i vogël prej allçie i Enverit, po ato mizanskena, po ai patetizëm, po ato mollë me rrëzëllimë të panatyrshme si të ishin butaforike...
Hehe; por në 5 Maj, në darkë, pasi kishin mbaruar të gjitha vizitat protokollare, vajta edhe unë për vizitë te shtëpia e mikut tim më të ngushtë; të pret ime më si çdo vit për të vëllanë e saj, më tha ai në telefon...
Dhoma e pritjes, si kudo, ishte dëng me tym duhani; (imazhi në miniaturë i tymit të luftërave ) paketat Partizani mbi tryezën e mesit, të gjitha të hapura, ndërsa mollët e kuqe në frutierën e qelqtë të paprekura.
- Lavdi dëshmorëve! – gati sa s’brohorita unë tepër serioz, teksa ktheva gotën me raki që ma vunë përpara – Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!
- Eh, faleminderit ! – psherëtiu motra e dëshmorit – Ç’të bësh; kështu siç erdhën punët, të vjen keq për këta të gjorë që u vranë fare të rinj! – Dhe ktheu kryet për nga fotografia e të vëllait dëshmor.
- Ime më ka filluar t’i japë gojës ca si shumë këto kohët e fundit. - e qortoi me shpoti i biri duke parë nga unë.
- Ti ki kujdes, - ia ktheu ajo shpejt e shpejt – sepse je në punë, pa ne këtu flasim, këtu i lemë. Çfarë ke blerë këto ditë; - m’u kthye mua pastaj – a ke gjetur gjësend të mirë për kalamajtë?
- Çfarë të gjesh dhe çfarë të blesh; edhe lakrat, edhe preshtë janë mbaruar, sepse iu shkoi edhe stina.
- Ashtu ashtu...
Ndenja sa desha, por kur u thashë natën e mirë, dhe dola te shkallët, motra e dëshmorit më thirri:
- Dale, mor’ i uruar, dale, se e humbëm nga muhabetet. Na, shpjerua kalamajve! – Dhe më la në dorë ca kokrra mollë.
Po kush ka qenë ai i marrë që ka propozuar i pari të ndahen mollë për 5 Maj? 2 kilogramë/ starginga/ kujdes nga ata që do të përpiqen të përfitojnë pa të drejtë...

1989