Thursday, August 27

Tungjatjeta Neokameradë



Nëse peshkaqenët do të ishin po aq të civilizuar sa edhe ne njerëzit, ata do të ndërtonin një rezervuar gjigant në oqeanin atlantik, por qoftë edhe atë paqësor, ku do të kultivonin çdo lloj peshku me përmasa më të vogla se vetja. Do të kujdeseshin për ta, duke u siguruar që ushqimi të ish gjithnjë i bollshëm, i shëndetshëm, pa kolesterinë, jo gjenetikisht i modifikuar e, mundësisht “bio”. Do të kujdeseshin, që edhe lidhjet shoqërore mes të vegjëlve të ishin të forta dhe të shëndosha, do të luftonin lindjen e klasave në rezervuar, si dhe do t'u shqetësonte çdo peshk që do t'u ikte nga duart dhe nuk do të pranonte harenë e bashkësisë së rezervuarit, të cilit sigurisht nuk do t'i mungonte argëtimi, arsimi dhe dëshira për t'u shumëzuar mes të “vegjëlve”, sepse një peshk i tillë është shumë më i shijshëm, kur i vjen ora.
Por peshkaqenët nuk do të mund kurrë të bëhen kaq “njerëzor”, ashtu si dhe njerëzit kurrë nuk kanë mundur deri më sot të jetojnë në një sistem ku çdokush, përpara se të vdesë, të jetojë një jetë të “mirë”.
Sot, kur mundohemi t'i vëmë një emër sistemit në të cilin po jetojmë, ndeshemi shpesh më një term nebuloz, i cili me nota shumë emocionale, gjithnjë e më tepër po përdoret e keqpërdoret nga politika. Nuk ka asnjë definicion të saktë për globalizmin. Në varësi të interesave politike, theksohen dimensione të ndryshme të këtij procesi, si ai ekologjik, ekonomik, kulturor e politik. Globalizmi ekonomik përfshin aktivitete të ndërsjella ndërmjet vendeve, të cilat kah shkëmbimeve të të mirave dhe shërbimeve të investitorëve internacionalë, është përgjegjës edhe për zhvendosjen e kompanive si dhe për bashkëpunimin mes tyre, për prodhimin, marketimin dhe zhvillimin e produkteve.
Për shumë globalizmi fillon qysh me shfaqjen e Homosapiensit dhe shpërnguljen e tij nga Afrika. Për të tjerë, si Adam Smithi, ai është rreth 200 vjeçar. Megjithatë globalizmi i sotëm lindi rreth 30 vjet më parë, kur një profesor i “Harvard Business School” pati idenë që “tregtinë e lirë” ta quante “industrializim të kapitalizmit” dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ky proces u bë simbol i përhapjes së paqes, demokracisë dhe mirëqenies në glob, bashkë më shfaqjen e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, ushtrisë amerikane dhe degëzimeve të saj, CIA's, një kancelari të vetëm gjerman, lirisë fetare, medias pseudo të lirë, etj etj...
Teknologjia gjithnjë e më e përparuar ka bërë të mundur që transaksionet internacionalë të jenë shumë të shpejta dhe që bota të projektohet mbi një hartë gjithnjë e më të vogël e lehtësisht të kontrollueshme. Ndërkohë që lidhjet sociale forcohen, ndryshimet politike e kulturore, që ndikojnë në tregtinë mes vendeve, pakësohen dhe ajo çfarë deri dje përbënte ankth dhe dyshim, sot është një aktor shumë i rëndësishëm, më një rol kyç në ekzistencën e një kompanie e, si pasojë, të funksionimit të globalizmit. Në një botë të ndërthurur, ku të mirat dhe kapitali shkëmbehen dhe ku më tepër flitet për një globalizëm ekonomik, lind jo rrallë pyetja, veçanërisht kur vjen nga një vend i vogël si i yni, se ku na çon ky sistem, të cilit ndoshta nuk i dimë saktësisht fillimin, por që nuk i shmangemi dot e, nga i cili të gjithë, të mëdhenj apo të vegjël, duam të përfitojmë. Disa flasin për një polarizim të globit, në veriun industrial global dhe jugun e pazhvilluar (Scholz 2006). Sipas Scholz, pjesa që do të përfitojë, është ajo që sot ende vuan në vendet e pazhvilluara.
Infrastruktura teknologjike dhe ajo sociale do të duhej të përmirësohej dhe vendet e njohura me termin “vende në zhvillim” do të arrijnë dikur statusin e vendeve të zhvilluara, ende të industrializuara, duke krijuar kështu një botë të njëtrajtshme e me të njëjtin ritëm zhvillimi. Deri më sot janë pikërisht këto vende, të cilat tashmë pjesë e globalizmit, përfitojnë fare pak nga ky sistem. Varfëria masive rritet dhe ndryshimi mes shteteve sa vjen e thellohet. Për të qenë disi objektive, po përpiqem të argumentoj me ndihmën e statistikës. Duke filluar që nga vitet 1900 të ardhurat për frymë janë rritur dukshëm. Në raportin më të fundit të "World Economic Outlook" është studiuar zhvillimi ekonomik i 42 vendeve gjatë 30 viteve të fundit dhe përfundimi ka treguar se edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur, shpërndarja e tyre bëhet në forma gjithnjë e më të pabarabarta. Nëse të ardhurat mesatarisht rritën, nuk do të thotë së kualiteti i jetës së njerëzve është përmirësuar. Fakt është se nga rreth 6 miliardë njerëz që popullojnë botën, pothuajse 80% e tyre jeton në vendet në zhvillim. Çdo vit popullsisë botërore i shtohen rreth 83 milionë banorë, 90% e të cilëve lindin në vendet në zhvillim.
Formalisht, të shprehurit “në zhvillim” mund të përdoret në dy forma. Së pari, si një zhvillim në proces, që do të thotë se koha është e kufizuar dhe, së dyti, si një gjendje në zhvillim, ku koha nuk është më një variabël, por një element konstant me të cilin s'mund të integrosh.
Gjendja e pazhvilluar është një gjendje e zhvilluar nën normë (Hemmer 2002, S.3).
Si dy anë të një medaljeje, duket se zhvillimi dhe përpjekja për t'u zhvilluar për të “pazhvilluarit” janë të pandashme nga njëri-tjetri. Ndërsa lojtarët globalë dominojnë, në “periferinë e re” hedh valle varfëria. Simptoma tipike të vendeve në zhvillim janë uria, mangësitë në sistemin shëndetësor, analfabetizmi, papunësia e lartë, tendencat për të shkatërruar mjedisin, mosshfrytëzimi i pasurive natyrore, etj...
Të gjendur brenda një rrethi vicioz, në qendër të cilit është varfëria, këto vende nuk mund të kapërcejnë lehtë simptomat e sipërpërmendura për t'u bërë pjesë e “veriut global” e si rrjedhojë, procesi i zhvillimit nuk është i përkohshëm. E ç'mund të bëjnë këto vende për të përmirësuar gjendjen ekonomike, dhe, më e rëndësishmja, a është në interes të vendeve të industrializuara, eliminimi i periferisë së re? Shembuj si India, vendet aziatike apo qytetet në veri të Meksikës, ku vepron industria “Maquila”, tregojnë se vende të tilla me një fuqi punëtore të lirë, jo vetëm që duhet të vazhdojnë të ekzistojnë, por vetëm falë tyre, ne sot flasim për një globalizëm të tipit modern tridhjetëvjeçar, ende të pamaturuar mirë. Teorikisht ka disa strategji që duhen ndjekur për të dalë nga deti i varfërisë e për të zënë një copë tokë në ishullin e zhvilluar. Strategjia e industrializimit, zëvendësimit të importit, proteksionizmit modern, duke marrë në mbrojtje doganat e vendeve në zhvillim dhe duke kufizuar disa sektorë të importeve, tregtisë së lirë ndërmjet vendeve në zhvillim, nxitjes së teknologjisë duke përshpejtuar punën dhe rritur cilësinë, strategjia e shmangies së përshtatjes së menjëhershme të modeleve metropolitanë të konsumit, si dhe dëshira dhe aftësia për t'u shkëputur nga format tradicionale (Neumair 2006, S.17). Megjithatë vështirë të thuash se këto strategji japin zgjidhje per çdo vend, pasi vetë vendet në zhvillim ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Ish shtetet komuniste kërkojnë të tjera zgjidhje nga ata, që deri pas vdekjes së Imperializmit, gëzonin statusin e kolonisë. Edhe ndërhyrjet politike, me synimin e rritjes së gjendjes ekonomike, duke demokratizuar ish vendet, komuniste apo koloniale, e duke përshtatur stilin perëndimor si më të mirin e mundshëm, një formë e imperializmit të ri, jo vetëm që shpesh kanë dështuar por kanë çuar edhe në disfata të tjera ekonomike dhe kulturore, po aq të rënda sa edhe të mëparshmet. Arsye për mosfunksionimin e këtyre strategjive janë diversionet e shumta. Por në një botë ku rolin kryesor e luajnë kompanitë e mëdha dhe ku konkurrenca vendos për zhvillim apo prapambetje, luan politika e shteteve, e cila orientohet nga këto kompani, të sipërpërmendura edhe si lojtarët globalë, një rol farë minimal. Përjashtimi ndodh vetëm në raste krize, kur neoliberalizmi, në dukje i fjetur, bëhet sërish aktiv dhe shtetet bëhen socialë. Politikanët presin biletat për një udhëtim drejt së majtës sociale, prej së cilës përfitojnë “macet e ngopura të Wall Street-it”, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të luftojë për mbijetesë në kapitalizëm.
Nga superfuqitë vijnë edhe zgjidhje të tipit “Empire”, njohur ndryshe edhe si “Manifesti komunist i shekullit 21”, dedikuar paqes. Dëshira për të ngjallur një sistem si komunizmi, një komunizëm i rindërtuar, një prirje për t'i hedhur edhe një sy Kapitalit të Marksit, një sistem i ngritur mbi tri kulla, ajo e të qenit qytetar i botës, një pagesë sociale për të gjithë dhe një ribashkim i të gjithë fuqisë punëtore, proletariatit të botës, në të cilën mungojnë shtetet nacionale, ku prodhimi dhe puna janë “imateriale” dhe ku mbizotëron një shoqëri e kontrollit, ku superfuqitë humbin efektshmërinë, ku fragmentarizmi dhe polarizimi rrafshohen dhe ku interesi është i përbashkët dhe për të mirën e të gjithëvë. Fakt është se shumë nga këto që përmenda, janë simptoma që i gjen sot kudo dhe se ekzistenca e “multitudeve” nuk mund të hidhet poshtë plotësisht, por neokameradë si Negri dhe Hardt-i ndoshta shkojnë gjithnjë me leje krijuese kur Shtetet e Bashkuara nisin luftën për të “mirën e të gjithëve”.
Zhvillimi i fragmentarizuar, pjesa pa dritë e globalizmit, është më tepër pasojë e konkurrencës, jo më mes shteteve, por e lojtarëve globalë. Në princip pjesëmarrja në procesin e globalizmit si një fitimtar është e mundur për të gjithë dhe vendet "Tiger" janë modeli më i mirë që tregojnë se strategjitë mund edhe të funksionojnë, edhe pse vendet në zhvillim nuk ofrojnë alternativa për njerëzit që jetojnë në to. Shumë më tepër, ato janë eksportues së produkteve agrare, pasurive natyrore, organeve njerëzore, sportistëve, apo territore ku mund të kalosh pushimet e tua të ëndërruara. Sukseset e mëdha i korrin të mëdhenjtë, qofshin kompani apo superfuqi dhe, globalizmi është një proces kompleks me zgjidhje komplekse. Pabarazitë nuk lindën bashkë më të dhe as nuk do të mund të shuhen në këtë sistem. Çështja është, të kesh mundësinë të bëhesh individualisht pjesë fitimtare e tij, ndërsa sukseset e përbashkëta do të mund t'i shijojmë vetëm nëse institucionet politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, reformohen rrënjësisht.