Saturday, November 7

Puna


Puna është tjetërsimi i një gjendjeje duke harxhuar energji. Energjia është e kushtueshme. Ne e harxhojmë atë vetëm nëse ndryshimi i gjendjes sjell fitim. Fitimi kënaq kërkesat tona, të cilat janë të shumta e, jo të gjitha mund t'i plotësojmë vetë.
Ndërsa, sipas rregullit, kërkesave tona seksuale dhe atyre të partnerëve iu dalim vet Zot, kërkesat e tjera, si fjala vjen, sjelljen e produktit seksual në jetë, i plotësojmë me ndihmën e anëtarëve të bashkësisë, në këtë rast, të një mjeku, ndihma e të cilit paguhet, më së shumti, nëpërmjet një objekti që barazon vlerën e ndihmës së dhënë. Ja ku lind dhe një produkt tjetër, paraja, mjet në vetvete pa vlerë, që "zhvlerëson" plotësimin e kërkesës.
Për të mbledhur para, duhet “djegur” energji, pra duhet punuar. Pse njerëzit nuk duan të punojnë? Nuk plotëson puna kërkesat tona, apo ne nuk marrim profit të mjaftueshëm prej saj? Apo ndoshta nuk ka punë për të gjithë?
Punë ka për të gjithë, por jo çdo lloj pune paguhet.
Që puna të paguhet, duhet që produkti, shërbimi apo rezultati i saj të shitet më shtrenjtë. Çmimi i produktit a shërbimit bie nëse vlera ë punës është më e lirë, nëse teknika e prodhimit është më e zhvilluar se ajo e konkurrencës, e cila nuk fle.
Atëherë, për të qëndruar në treg, mbetët të ulim çmimin e produktit dhe vlerën e punës, ose të shesim më shumë produkte. Për të rritur numrin e shitjeve, duhet të zgjerojmë tregun. Por sa mund të zgjerohet ai? Kur prodhimi rritet, numri i prodhuesve pëson një rënie. Konkurrenca, e cila shtohet, lejon vetëm një pjesë fitimtare të marrë frymë lirshëm. Të tjerëve iu mbetët të shfryhen “me shtrenjtësi”. Për më shumë ajër të pastër duhet shkuar atje, ku kushtet janë më të përshtatshme, ku gjendja molekulare është ende e lirë nga katalizatorët konkurrues.
Por ku?
Po më tej?

Po sikur të kënaqesh me “pak”. Edhe kjo është një zgjidhje, humane madje.
Jo më larg së rreth 100 vjet më parë, kur puna ende nuk ish kthyer në fenë tonë të përbashkët, kur njerëzit nuk renditeshin sipas motos “Je, çka punon!”, kur puna nuk qe vendimtare për rangun në shoqëri, kur njerëzit ishin subjekt i punës dhe kur “ora et labora” ish lehtësisht e kuptueshme dhe e pranueshme nga shoqëria, ishin njerëzit më të lumtur? Kemi qenë ndonjëherë të gjithë njëlloj të vlefshëm, pavarësisht nga aktiviteti dhe produktiviteti?
Sot feja institucionale kërkon të spostojë nga froni “idhullin” e punës, duke dashur padyshim të zgjojë etikën sociale te njerëzit, një pjesë e të cilëve, këtë të fundit, nuk mund dot ta kuptojnë pa punën, fundja ashtu si edhe vetë figura më popullore e feve, Krishti.

Kur punonjës së një firme djegin energji brenda dhomave të palestrave, që tani, i gjen po brenda ambienteve të firmës punëdhënëse, ata prodhojnë ndoshta hormonin përgjegjës për “gëzimin e natyrshëm personal trupor”, por me siguri që nuk prodhojnë punë të pagueshme, përveçse nxisin tendencën e krijimit të “mureve” brenda shoqërisë, duke u izoluar gjithnjë e më tepër nga të “tjerët”, dhe duke orientuar edhe vetë “kohën e lirë” për nga puna. Tendencë e një lloji despotizmi të brendshëm, një despotizëm i fshehur, i ngjashëm me sistemin e sotëm demokratik.
E, megjithëse këta punonjës energjinë e djegin në një forme, në dukje, kolektive, secili prej tyre është anëtar i një shoqërie hiperindividualiste, ku çdo kush lufton i vetëm, ku kontaktet sociale shumë më tepër janë virtualë a irrealë dhe, ku ndihma “qyl” është thuajse përrallë nga e kaluara.
Ndërtimi i sallës së palestrës në ambientet e punës është së pari, një lloj projektimi i respektit të punëdhënësit kundrejt punëmarrësit/punëmarrëses.
Padashur lind një ambient brenda “ndërmarrjes” ku nuk vepron asnjë lloj autoriteti, por ku “ çlodhja” instrumentalizohet dhe kthehet në një domosdoshmëri për punonjësit, të cilët fizikisht janë të”mbaruar” nga kjo çlodhje, e cila shërben më së miri për “djegien” e stresit, të akumuluar ne orët e punës, gjatë të cilave ekzistenca e autoritetit thuhet së është minimale.
Sot është farë e zakontë që arritjet individuale të festohen kolektivisht, ndërkohë që disfatat individuale mbeten të tilla e, kush dështon, është “natyrshëm” i paaftë, por mbi të gjitha fajtor e përgjegjës i vetëm. Për t'iu shmangur dhembjes së humbjes, të gjithë vrapojmë, qoftë edhe kur askush s'na ndjek, sikur fitimet, në të vërtetë të firmës, të ishin personale.
Qëllimet e firmave bëhen padashur tonat, si të ishim pjesëtarë të një familjeje të madhe, e cila çuditërisht, të hedh në rrugë, edhe kur faji i humbjes nuk qe i yti. Paradoksi nis me mosekzistencën e një autoriteti të jashtëm dhe ekzistencën e përgjegjësisë vetjake për mbijetesë individuale. Më vjen ndër mend ndryshimi mes Komunizmit dhe Kapitalizmit! Kapitalizmi është shfrytëzim i njerëzve nga njerëzit. Komunizmi e kundërta!
Në kohën e Fordizmit, Çaplini bie fjala, kur punonte, nuk kish më nevojë të mendonte, pasi puna e tij qe fare e rëndomtë dhe ai, harronte kështu problemet e jetës, aq sa edhe hiqte dorë nga ndonjë dëshirë apo ëndërr. Çdo gjë ishte vetëm materie.
A ndryshon “punëtori” Çaplin i asaj kohe nga Yuppies -et modernë të ndërmarrjeve të mëdha sot, që me cinizëm pajisen edhe me salla çlodhëse sportive? Në të dyja kohët mbizotëron etja për profit.
Ndryshimi është se, sot është vështirë të gjesh “armikun”.
Ka një shumëfishim të jetës private nëpërmjet punës. Dikur kishte figura negative të dukshme e, si pasojë edhe të protestoje qe më e lehtë.
Sot, meqë autoritetin e kemi lënë mënjanë, herë-herë duket sikur protestojmë kundër vetes, apo “familjes sonë të madhe”, që deri para falimentit e dështimit, na mbante “me bukë”, madje edhe kujdesej për dhjamin individualist të tepërt.
E si mund të protestosh kundër kësaj “dashamirësie”?!
Sistemi i shfrytëzon njerëzit objektivisht. Po fundja, a nuk është më mirë të vlerësohesh apo qortohesh nga shefi, sesa të komandohesh prej tij? Të dyja janë problematike. Ne punojmë duke shpresuar se gëzojmë të drejtën e vetëvendosjes, ndërkohë që, qëllimet e “ndërmarrjes” janë fikse e te paracaktuara nga autoriteti, i cili pra nuk qenka aspak i mënjanuar.
Sociologu Rudi Dutçke besonte së zhvillimi i mëtejshëm teknologjik do t'i lehtësonte njerëzit nga puna e tepërt. Ndoshta do t'iu linte edhe kohën e nevojshme për të socializuar më tepër me njëri-tjetrin, e kush qe i aftë, pse jo, edhe për të filozofuar. Por ky zhvillim, ishte aq i mirë, sa jo pak vetë i la të papunë, duke humbur kështu, bashkë më punën, edhe qëllimin dhe botëkuptimin dhe, duke u kthyer në qenie, që, ndryshe nga “ata” të palestrave sportive, kënaqen me socializmin “Wellness”, të cilin shteti është i detyruar t'ia ofrojë.
Dutschke nuk donte kurrsesi një proletariat “dembel” si ky, anëtarët e të cilit, për fat të keq, jo vetëm që nuk dinë të filozofojnë, por nuk njohin më as të drejtën për t'u çlodhur, ndërsa energji djegin vetëm kur hanë... 

***
Kjo librezë pune i jepet shokut Eurokomunizëm Antikomunizë
me moton: "Kush nuk punon, nuk ha!".