Tuesday, February 2

Prekariati primitiv




Thonë se unë jam një njeri zemërgjerë, prandaj dhe, kam vendosur që pemën e qershisë së bashku me shilarësin e kuq me dru qershie në kopshtin tim, t'jua dhuroj juve. Jua dhuroj me shumë kënaqësi, por meqenëse dy këto objekte me trup të drunjtë kanë një rëndësi të veçantë për mua, kjo për shkak të kujtimeve dhe kohës që kam harxhuar me to, do t'ju lutesha të mos i dëmtonit, pemën të mos e prisnit dhe, me shilarësin të mos koloviteni, nëse e ndjeni se, jeta si konsumatorë të rregullt ju ka shtuar ca në peshë. Ç'thoni? Dhurata ime ju zhgënjen? Pse? Nuk ju hyn në punë një pemë mbi të cilën s'keni asnjë të drejtë dhe një shregull, të cilit nuk i hipni dot? E drejtë! Falja e dy trupave merr kuptim vetëm atëherë kur ju mund të bëni ç'të doni me ta. Vetëm kështu shfaqet ndjenja e pronësisë, e cila është një ndjenjë komplekse. Pronësia është marrëdhënia e ndërsjellë mes jush dhe një objekti çfarëdo. Nga njëra anë, ajo është një kontratë mes njerëzve e, nga ana tjetër, objekti nuk është thjesht një i tillë. Ai mbart të drejta dhe detyra dhe, pronësia është, përpos zotërimit edhe detyrim. Marrëdhënia psikologjike pastaj, bashkë me dashurinë për sendet „tona“, është një tjetër shfaqje e pronësisë. Ato që na përkasin, i duam dhe, i duam pranë. Kur ndokush ju dëmton gishtin e vogël të dorës së majtë, dhembja e tij ju shqetëson më tepër se vdekja e ca kinezëve disa mijëra kilometra larg jush (Smith).
Por që ta gëzosh pronën, duhet të jesh i lirë. Grekët e lashtë, si Aristoteli bie fjala, e dinin mirë se njeriu mund vetëm atëherë të jetë i lirë, realisht i lirë, kur është ekonomikisht i pavarur. Në mesjetë, fshatarësia nisi të emancipohej dhe të zhvendosej në qytete e, çdokush e njeh thënien e vjetër gjermane „Ajri i qytetit të bën të lirë“. Ata, duke mësuar zanate dhe profesione të ndryshme, u bënë ekonomikisht të pavarur dhe hodhën hapat e para për emancipimin politik, që do të pasonte. Liberalizimi ekonomik dhe ai politik duket se shkojnë qysh në zanafillë krah njëri-tjetrit. Por diku nga shek.XIX historia mori një tjetër drejtim.
Nga viti 1840 deri më 1875 ekonomia u zhvillua si kurrë më parë (madje edhe në shek.XX nuk u përjetua një rritje e tillë ekonomike).Rreth vitit 1870, meqë zhvillimi „bum“ ekonomik nuk ishte një zgjidhje për të gjitha shtresat shoqërore, lindi pyetja për çështjen sociale, shoqëruar me një konstelacion të ri, një shtresë shoqërore e suksesshme dhe e fuqishme, me disa privilegje politike dhe ekonomike.
Flas për proletariatin, atë shtresë që sot, ndryshe nga Marksi, sociologët, për të mos tërhequr zvarrë bashkë me termin, edhe peshën e tij, e quajnë prekariat. Pra, kjo shtresë bashkëjeton në antibiozë me rrezikun dhe luftën e vazhdueshme për ekzistencë,(bellum omnium contra omnes (Hobbe)), duke i bërë ato pjesë të së përditshmes dhe normales.
Interesante është se si, proletariati i viteve 1870-'80 privilegjet e fituara nuk mundi t'i ndante në favor të të „gjithëve“, duke u bërë kështu shkak për lindjen e lëvizjeve shoqërore, sindikatave, luftës për të drejtat e femrës, sigurimeve të para shëndetësore e shoqërore dhe „demokracisë sociale“, pse jo, edhe të tregut të lirë dhe vende-vende, të shtetit social. Forma këto që vazhdojnë sigurisht ende sot të jenë ekzistente dhe, në vend që të sjellin ndryshime rrënjësore për zgjidhjen e problemeve ekonomike, por mbi të gjitha atyre shoqërore, ato vetëm i zbusin, korrigjojnë e i androjnë ato.Sistemi është më tepër një riparues i vazhdueshëm për shoqërinë, por në thelb, me optimizëm, mendoj se kemi ndryshuar fare pak.
Triumfi i vërtetë i tregut të lirë, për më tepër atij social, u shfaq pas rrëzimit të komunizmit në vitet '90 dhe pse jo, fajtor për harbimin e mëtejshëm të sistemit kapitalist, është vetë komunizmi, bashkë me dështimin e tij. Gjithsesi këto dy sisteme, njëlloj të vjetra në moshë, nuk janë veçse ideologji metafizike dhe, domosdoshmëria e rregullatorit të tregut të lirë është aq triviale, sa askush besoj nuk lodhet më të vërë në dyshim rolin e tij. Pyetja është, sa i fuqishëm duhet të jetë rregullatori mbi tregun, pra si duhet të jetë raporti rregullator-treg i lirë, pa harruar edhe rolin e shoqërisë.
Gjatë epokës së neoliberalizmit, e cila ka rreth 25 vjet që ka filluar, tregu i lirë nuk ka fituar aspak pavarësinë e parashikuar. Më tepër ai është ndërthurur me shoqërinë, deri aq sa punonjësi social, pacientin në nevojë e quan klient dhe me këtë term ekonomik ai i referohet atij, prej të cilit burojnë të ardhurat.
Karakteristikë për kohën tonë është se nuk po mund të ndajmë më mes shoqërisë dhe ekonomisë, pasi shoqëria është aq shumë e ekonomizuar (globalizmi), sa çdo pyetjeje, ne duam t'i gjejmë një përgjigje ekonomike apo politike, ndërkohë që zgjidhja herë-herë nuk gjendet për shkak të shoqërisë, që nuk njeh mirë rolin e saj dhe i jepet gjithnjë e më shumë sistemit, që ky të përfitojë. Papunësia kronike për shembull, nuk është veçse një nga elementet që tregon se Kapitalizmi funksionon, e këtu nuk po përpiqem të bëj lojë fjalësh. Çdo kush që di se kostot e punës janë pjesë e kostove që duhet të reduktohen për të shtuar fitimin, kupton farë lehtë se, sa më pak të punësuar, apo, sa më e ulët të jetë paga, aq më shumë rritet fitimi, pra kapitali. Sistemi fundja nuk quhet laborizëm, por kapitalizëm dhe në qendër të tij nuk është puna, por kapitali.
Por a ka ndonjë sistem, në të cilin çështja sociale është po aq me vlerë sa edhe rentabiliteti? Apo, a duhet ende kërkuar për një sistem të ri?
Fjala „sistem“ do të thotë se pas tij (sistemit), fshihet gjithnjë një mekanizëm, që në një mënyrë apo një tjetër ushtron kontroll dhe ka fuqi mbi politikën, ekonominë dhe shoqërinë. Sigurisht që kemi nevojë për alternativa për të mënjanuar ekzistencën e pavarur të tregut, por besimin në një sistem ndryshe, do t'jua lija në dorë teologëve, të cilët për fat, fuqitë i kanë të kufizuara.
Fakt është se, të fuqishmit (ata ekonomikisht), të cilët rrallë janë në dijeni për përmasat e fuqisë së tyre, e mbështesin tregun e lirë e pa rregullatorë, ndërsa, çuditërisht, të dobëtit, të cilët, mungesën e fuqisë së tyre ekonomike e njohin fare mirë, i shmangen idesë së një rregullatori për tregun e lirë, duke mos dashur ndoshta të humbin edhe ato pak të drejta dhe „fuqi të mangët“ që kanë.
Por, kush duhet të luajë fundja rolin e rregullatorit?
Askush më mirë se shtresa shoqërore nuk do të mund të luante rolin e rregullatorit, duke krijuar atë që njihet si „tregu i lirë i civilizuar“, ku e drejta e konsumit është ndoshta e „këndshme“, por jo një detyrim. Kemi nevojë për një shoqëri me qytetarë, të cilët njohin ndryshimin mes të drejtave e detyrimeve ligjore (dhe përparësive që ato sjellin) dhe premtimeve ekonomike, qytetarë, të cilët e dinë se zgjidhjet e pjesshme mbeten afatshkurtra, të cilët janë të lodhur nga një ekonomi që ka ngërthyer të gjitha aspektet shoqërore dhe që nuk janë aq primitivë sa për të kuptuar se CocaCola Zero, Starbucks-i pa kafeinë (po qoftë edhe ai më kafeinë) apo qumështi pa yndyrë nuk vendosin për statusin e nuk të përmirësojnë jetën. Fillimisht duhet të kujdesemi që të gjithë në planin shoqëroropoltik të jemi pjesë e padiskutueshme e tij, dhe, kur kjo të jetë siguruar, tregu i lirë mund të ushtrojë fuqinë e tij, pa demtuar asnjë palë. Një lloj "flexicurity", një kombinim i përsosur mes sigurisë sociale dhe fleksibilitetit të tregut të lirë. Një simbiozë e dy elementeve në vend të kompromiseve dështake, me një shoqëri, që di të integrohet dhe të përfitojë si e tillë.