Saturday, June 26

Atlasi i Nju Jorkut


Atë ditë gushti, në Nju Jorkun vibrues, bënte vapë e madhe dhe, ufma të merrte frymën njëlloj si edhe në ditët e përvëluara të verës në Tiranë. Në qiellin e lartë fluturonin pa reshtur njëri pas tjetrit avionët e udhëtarëve, të cilët tek përfshiheshin tinëzisht nga reflekset lëbyrëse të diellit, të dukeshin si raketa të frikshme që lëshoheshin me breshëri të pandalshme nga një vijë fronti…
Po qëndroja gjysmë i shtrirë te një shezlong në yrtin e ngushtë të një shtëpie dykatëshe, në Kuins, pija pa qejf kafe spirilëng amerikane dhe, nga gjithçka kisha parë e kisha vizituar në Nju Jork, ndër mend përsillja vetëm statujën e bronztë të Atlasit, atje në Manhatanin e përpjetë, që e kap drita monumentalisht, ashtu siç kap edhe malet, në Manhatanin me luks dhe mondanitet sfidues, madje edhe fyes, edhe përçmues.
Po ku mund të qëndronte gjetkë më përshtatshmërisht se atje, po arsyetoja, Atlasi skllav i kërrusur, i munduar dhe sakrifikues?
Por më telefonuan, më në fund , shokët e mi shqiptarë, që po i prisja, shkrimtarët (së paku në atmen e tyre) RS dhe SD, të cilët banonin në Bronks që prej dhjetë vitesh.
Nxitova të dal në rrugë, përpara shtëpisë, që t’i takoja dhe, i pikasa tek po zbrisnin nga një Pontiag i vjetër dhe i stërmadh, i prodhuar në kohën, kur Amerika këndonte dhe jetonte si në filma…
U përqafuam çiltërsisht më mall, duke u parë herë ngultas ndër sy, sepse, mendo ! kishim të paktën pesë vite pa u takuar dhe, unë u thashë nergut teatralisht:
- Pa shih, pa shih, ju këtej nga Amerika, nuk paskeshit ndryshuar fare!
- Eh, kështu thuhet gjithmonë në kësi rastesh, por ke të drejtë; të le të plakesh ky? – filloi RS të ngacmojë SD – ky është vazhdimisht firifiu nga trutë, më keq se ata gjimnazistët e viteve pesëdhjetë, kur po niseshim për të ardhur te ti, na kaloi fare pranë makinës një femër e bukur, që këtij fluidit iu duk se i buzëqeshi plot ëmbëlsi erotike?
- Më buzëqeshi, më buzëqeshi, por ty të vjen inat, sepse je shëmtirë.
- Posi, posi; ti ende nuk e di që femrat e bukura çdoherë duken sikur buzëqeshin, ngaqë iu ndrit fytyra nga hiret.
- Sa mirë që jeni me humor…
- Po ç’kemi andej nga Shqipëria? Megjithëse ç’të pyesim; bota tashmë vërtet është bërë fare e vogël, aq sa dhe para Big Bengut. Ulesh përballë kompjuterit dhe n’internet çfarë nuk sheh e çfarë nuk mëson!
- Ashtu, ashtu...
- Tirana është bërë goxha qytet, apo jo? Mund ta quash pa hezitim një metropol europian; ja, tashmë edhe ne, shqiptarët e kemi një kryeqytet prej një milion banorësh! Për Zotin, entuziazmohem...
- Për mua, një qytet, që ta meritojë emrin metropol, nuk mjafton të ketë thjesht një numër të madh pallatesh dhe popullsie. Ja një detaj, që na dhemb ne drejtpërdrejt; në Tiranë, aktualisht nuk del asnjë gazetë e mirëfilltë letrare. Hipini, hipini avionit ndonjë ditë të lume dhe, zbrisni në qytetin tuaj të dashur, që nuk mbahet mend që kur nuk keni qenë...
- Si të vijmë? – më ndërpreu SD – Unë nuk i kam ende letrat, siç shprehen batakçinjtë në zhargonin e tyre për dokumentet. Mua më vdiq nëna dhe nuk erdha dot ta varros! Lere, aman...
- Ee, kemi folur bashkë në telefon, kur vdiq e ndjera, por desha të theksoj se, largësitë e pafundme i kanë idealizuar dhe përrallëzuar përherë realitetet, cilatdo që të kenë qenë ato, por ne në Shqipëri na vjen keq që, fshatra të tëra, madje krahina të tëra janë braktisur dhe janë boshatisur, qoftë në jug, qoftë në veri dhe, një ditë, tek po udhëtonim drejt Kolonjës, ndeshëm përpara një plak endacak, i cili na tregoi se, shtëpia muze e rilindasit, ku ne po kërkonim të shkonim ,ishte rrënuar sakaq dhe, aty pillnin këlyshët e tyre ulkonjat...
- Mos more! Ja, çfarë ndodh, kur largohet njeriu.
- Sidoqoftë, figura e ujkut në vetvete është mitike dhe prej saj mund të frymëzohesh për të dizenjuar një emblemë lavdie. Minjtë, minjtë do të më shqetësonin sa më s’ka, nëse do të vithisin themelet e atyre shtëpive, sepse do t’i paragjykoja si shenjë e keqe. Po përse ngelëm këtu, në mes të rrugës; a nuk do të vemi të pimë një gotë? Kot nuk u takuam; desh Zoti që sot ta kemi pushim të dy, sepse përndryshe, mua do të më gjeje të veshur me ca kominoshe të gjera blu dhe me një çantë të shqyer veglash nëpër duar, ndërsa këtë birbon spitullaq këtu, të veshur me kostum demode, si ai i sigurimsave qëmoti në Shqipëri dhe, të angështuar nga një kollare njëngjyrëshe, krejtësisht të devotshëm për të hapur e për të mbyllur derën e shkollës, ku është i punësuar...
- I punësuar? Po ne në Shqipëri themi: s’ke punë e luan derën; hahaha...
Hipëm në makinën e gjerë dhe kur u nisëm SD vazhdoi:
- Por jemi të kënaqur, jemi të kënaqur; ushqehemi dhe vishemi për mrekulli, prandaj dhe bëjmë shaka lirshëm, shkruajmë sa mundemi teksa politikën, o Zot, e kemi harruar fare.
- Shkruajmë përditë pothuaj, sikur kemi parasysh atë proverbin latin, shkruaj çdo ditë, qoftë edhe një rresht, dhe të sigurojmë se, është gjëja që bëjmë më me qejf.
- Dhe ke parë ti; - ndërhyri RS – na vjen ndër mend çdo ngjarje e jetës sonë në Shqipëri! Na vjen çuditërisht e kthjellët dhe e qëruar, gjithë ngjyra dhe lëvizje dhe, nuk e di, por unë do t’ia kisha futur vetes, po të mos kishte qenë shkrimtaria...
Eh, ngjarjet në Shqipëri! Ato dallojnë shumë dhe shkëputen tërësisht prej kontekstit amerikan; duke i parë nga një kënd tjetër, i përjeton për së dyti me emocion dhe, nuk ke si të mos shkruash. Këtë kanë bërë pothuaj të gjithë shkrimtarët e mërguar, kanë paraqitur ngjarjet e vendit të tyre dhe, janë nderuar dhe kanë fituar.
- Hej, mos harro. Vitin e fundit në Shqipëri mbetëm pa punë familjarisht dhe hanim bukë me zor një herë në ditë! Ne shpëtuam që ikëm. Tani shkruajmë shumë. Ta thamë këtë dhe, botojmë po shumë, madje ku të mundemi.
- Mirë bëni. Shkruajmë edhe ne në Shqipëri, pa dyshim, sepse nuk ka se si të jetë ndryshe, por ne na i shkatërron nervat politika, që të zësh be se e mbllaçitim dhe e hamë gjithë ditën e ditës. E kam të qartë që i dini të tëra këto, por dëgjojini të pohuara sot edhe nga goja ime: mendoni, te ne ka ende shkrimtarë, të ashtuquajtur të paprekshmit e partisë, të cilët, ashtu si dje në diktaturë, nuk mund t’i kritikosh, apo t’i shash. Nuk e kisha besuar kurrë që do të vija këtu te ju e do të hapeshin biseda të tilla, po ja që, ç’është plagë gjithmonë rrjedh.
- Këta shkrimtarët kanë përparësi ndaj nesh; duam apo s’duam ne. Këta tashmë i përkasin dy epokave, komunistes dhe demokracisë dhe, janë të vetmit që kanë bërë emër.
- Po të marrësh mikrofonin dhe të intervistosh njerëzit rrugëve, vetëm emrat e tyre do të të përmendin, askënd tjetër; ata i njeh populli, kurse ne nuk na njeh populli, prandaj i nevojiten edhe politikës dhe mburren me ta.
- Ata janë nderi i kombit,ata marrin pensione të posaçme, në vendet e tjera të Evropës Lindore këtyre hierarkikëve të komunizmit kriminal, ua kanë vënë krusmën prej kohësh...
- Atëherë, ç’dreqin kemi përmbysur ne?
- Kemi përmbysur një mut! A i patë minatorët e ngratë shqiptarë, që u futën në grevë urie; kërkonin ato të drejta që ua kishte siguruar sistemi komunist! Shikoni çfarë mbrapshtie! Dhe këto të drejta të humbura i kërkonin pikërisht minatorët, që u çuan të parët për të përmbysur diktaturën!
- Nuk jemi konsekuentë për asgjë, shajmë si rrugaçët, lavdërojmë si qelbësirat. Gdhihet keq ndonjëri në mëngjes, i trembur se mos lexuesi e ka harruar fare dhe, fillon zhgrap lloj-lloj ditirambesh dhe panegjirizmash për Kadarenë. Nuk e ha fare meraku për të dhe, as që do ta mbrojë, sepse së pari nuk di ta bëjë këtë, por si marifetçi i vogël që është, kërkon që ta shohë emrin e tij pranë Kadaresë...
- Nuk është ashtu.
- Ashtu është! Jo i persekutuar, jo disident! Lërini o burrat e dheut të shprehen edhe kundër Kadaresë, sepse kësisoj bëhet edhe më simpatik edhe më i natyrshëm. Asgjë nuk i gjen njerëzit e mëdhenj nga të vërtetat. Shihni Sarah Pellin ju, kandidaten për zëvendëspresidente!  I nxorrën ca dashnorë dhe ca fatura të parregullta, por ç’ndodhi? E bënë më të famshme dhe ajo tashmë nuk mbahet më, por pozon si të ishte një yll i Hollivudit. Të sharat, shpesh të bëjnë më shumë publicitet se sa lëvdatat e pështira.
- As vetë Kadareja, siç del edhe nga librat e tij, nuk ka dashur të jetojë si hero, por si pragmatist.
- As unë nuk kam dashur të jetoj ndonjëherë si hero; ç’thua more ? Sot me heronjtë tallen. Nejse ,po në anglisht kur mendoni të filloni të shkruani ? Është një stad i domosdoshëm dhe ju këtu mes Amerikës , i keni të gjitha mundësitë.
- Aha, nuk e dimë! Si zor se do të shkruajmë ndonjë ditë në anglisht !
Këtë gjë nga ne shqiptarët këtu në Amerikë , e ka bërë me sa di unë , vetëm Fan Noli. Fan Noli zhongleronte me gjuhët.Ne tashmë jemi afër të gjashtëdhjetave , po hymë pra, i dashur mik , në atë moshën e tretë dhe, të rejat që i mësojmë sot i harrojmë që të nesërmen. Veç kësaj nuk kemi miqësi me asnjë familje amerikane , nuk na ftojnë gjëkundi dhe , japin e marrim vetëm me njeri – tjetrin. Po ku i dihet, ku i dihet…
- Mbetëm me ato fletushkat e humbura edhe ne dhe, hajde mos e ndero dhe adhuro Kadarenë pastaj , që do apo nuk do ti, e njeh gjithë bota .
- Hahaha!
- Nuk ju pyeta; - ndërrova bisedë unë - fëmijët si i keni? Pa le sa janë rritur ata; po t’i ndesh përpara , me siguri që nuk do t’i njoh...
- Ç’pyet sa janë rritur, por lavdi Zotit, mësojnë shumë dhe janë të parët e shkollës!
- Kudo dhe kurdoherë fëmijët shqiptarë veçse të parët e shkollës janë; më pas se ç’ndodh me ta ?! – ua ktheva unë dhe u trishtova në çast.
- Unë atë të voglin e kam autik! – bëlbëzoi SD – nuk e marr dot vesh kurrsesi se nga ka ngjarë? Duket përherë si i kotulluar mes lodrave të tij të pandryshueshme dhe, as jep dhe as merr me njeri. Por përkujdesem vetë për të dhe një ditë me siguri do të kem rezultat. Nuk ka gjë që të mos di unë për autizmin. Çfarë të bësh, në Amerikë ky fëmijë që s’të sheh në sy, nuk doli një herë të vetme të luajë në rrugë me kalamajtë.
- Me siguri do të kesh rezultat; këta lloj fëmijësh, pikërisht përkujdesjen e prindërve të tyrë kërkojnë, por mos u shkëput nga mjekët e specializuar për këtë sëmundje - e përmbylla unë porosinë dhe zëri sa s’m’u këput nga keqardhja…
- Ah, çfarë restoranti, çfarë mjedisi e çfarë atmosfere! Në të gjithë Amerikën e pafundme cigaren do ta pije detyrimisht veçse përjashta dhe, larg të tjerëve që nuk e pinin, a thua se ishe qen i zgjebosur, kurse në lokalin e shqiptarëve, ku u futëm ne, tymi fjollonte lirshëm ne qejf të vet.
- Jemi si në shtëpinë tonë këtu – më shpjegoi RS thuajse triumfalisht – vijmë shpesh dhe përherë mbetemi më se të kënaqur.
Ecëm e ecëm dhe shkuam e zumë vend te një shtesë, (po, për Zotin!) e sajuar me ca parete të shtrembëta plastike dhe, unë picërrova sytë. Shokët më vunë re dhe ndërhynë menjëherë:
- Do të kënaqesh këtu, ke për ta parë…
- Pa tjetër ,pa tjetër; mjafton që jemi bashkë.
- Vetëm kjo nuk është shqiptare këtu; kjo është polake. Ndihmon pronarin, mikun tonë.
Ajo ishte një femër e shëndoshë e gjatë dhe me flokë të verdhë, të lidhura bisht mbrapa dhe, të gjithë ata që gjendeshin aty, ndiqnin me sy si të telekomanduar tundjet e bythëve të saj, kur lëvizte midis tavolinave për të mbledhur mbeturinat.
- Ju lumtë juve, për Zotin, ju lumtë! – ndërhyra unë për të treguar se, gjithsesi isha gjallëruar – Në këtë Nju Jork, pa dyshim më kozmopolitin në botë, ia keni dalë mbanë të mbeteni shkrimtarë shqiptarë, kalon mbi urat gjigante të këtij qyteti, futesh nëpër tunelet nën oqean, përshkon hijen e rëndë të grataçielave, lundron drejt monumentit të Lirisë, për të cilin poetët politikë sovjetikë, me që ra fjala, janë shprehur mes vargjesh se, mban në dorë një pishtar atomik, hehehe, dhe hop ! vjen te ju dhe gjen pakëz shqiptarizmë!
- Tallu, tallu sa të duash, se mos ke faj ti! Po a nuk na porosite qëpari prindërisht, po ç’prindërisht; na porosite sikur sillje direktivat ideologjike të qendrës që të mbërrijmë doemos të shkruajmë në anglisht?
- Ti i ngatërron argumentet qëllimisht! Po si do të arrini të bëheni të famshëm ju, duke shkruar veçse në shqip? Vallë kush do të marri mundimin t’ju përkthejë? Hyni ore sa më parë në frontin e kundërshtarëve! Ah, sa do të dëshiroja ta bëja edhe vetë këtë gjë ...
Qeshëm të tre me gjithë shpirt dhe, më pas heshtëm ca.
Erdhi kamerieri, domethënë vetë pronari dhe na la mbi tryezë dy shishe me verë të kuqe.
- Këtë mikun e kemi nga Tirana – më prezantuan shokët e mi, por pronari, një ish mundës i peshës së rëndë, siç më shpjeguan më pas ata, nuk ma vari fare, tundi paksa kokën e madhe, ua hoqi tapat shisheve dhe u largua.
- E sheh ,është verë shqiptare! – më thanë shokët që të më preknin dhe, mbushën gotat.
- Gëzuar, gëzuar! Ti nuk e kupton dot se sa ngazëllehemi ne, kur na vjen dikush nga Shqipëria; ja gëzuar edhe një herë !
- Keni mbetur të mirë, prandaj...
Cikëm gotat fort dhe vera u valëzua qelqeve , me një kuqërim gjaku. Çudi me këta shokët e mi, mendoja, i mbyt malli, në ditë të veçanta ndodh që edhe i traumatizon, i kanë humbur rrugët dhe vendet ku u lindën dhe u rritën dhe prapëseprapë as që kërkojnë të rikthehen për të jetuar në vendlindje. Nganjëherë njeriu e kërkon vetë me këmbëngulje dhe me ndërgjegje shqetësimin e përhershëm, vuajtjen dhe mundimin dhe i gjen, i nxit dhe i përjeton. Dhe bëhet adhurues dhe idealist, bëhet ëndërrimtar, humbet shëndetin dhe sensin praktik, duke rënë në psikologjinë ngushëlluese të viktimës, por sakaq, përfshihet lehtësisht, gjithë frymëzim, në frenezinë krijuese. Një lloj castigo corpus meum, por pa litar me nyja dhe pa shpuarje të gjymtyrëve…
Erdhi përsëri kamerieri mundës dhe, këtë herë solli sallam të pjekur vezë të ziera qepë të njoma …
- Gëzuar! Askush nuk e di se çfarë ka ruajtur fati, të pëlqen sallami? Provoje, provoje; në fakt është suxhuk i mrekullueshëm Kosove. Ne blejmë vazhdimisht nga ky edhe në shtëpi, sepse na e pëlqejnë shumë edhe kalamajtë, edhe gratë, hee...
- Përse psherëtive?
- Na vdiqën, dreqi e mori këta trenat që vemi në punë; lëvizin mbi një hekurudhë tërësisht të ndryshkur. Dje tek kthehesha në shtëpi, treni që kisha hipur unë për pak sa nuk doli nga shinat, pikërisht kur ndodheshim nja tridhjetë metra mbi tokë. Do ta kishim pësuar si ata trenat që shkulte me dhëmbë Goxilla nëpër filma .
- Këtu në Nju Jork është e pamundur të të mos kujtohet Goxilla.
- Vetë e kanë fajin amerikanët, të tillë filmash xhirojnë.
Erdhi përsëri mundësi dhe këtë herë solli tri pjata me gjizë, të zbukuruara me ca ullinj të zinj si sy dhe, me vaj të përhapur vetulla – vetulla .
Gëzuar, gëzuar! Ja, provoje edhe gjizën; është gjizë nga Shqipëria!
Bën çmos ky pronari i shkretë që ta sigurojë; nuk i mungon veç asnjëherë...
...Në Tiranë ajri ishte po aq mbytës sa edhe në Nju Jork dhe, mua po më merrej fryma nga pluhuri dhe vapa.Por dola për të blerë disa ushqime, te dyqani poshtë apartamentit tim, sepse shtëpinë e gjeta drangull.
- Ç’kemi ? – më pyeti shitësi, një ish oficer i ushtrisë – Nuk të kemi parë prej kohësh?
- Nuk kam qenë këtu. Më duhet të blej shumë ushqime sot, përndryshe nuk do të kisha lëvizur nga shtëpia.
- Të blesh që çke me të! O, kam edhe një gjizë të mirë sot! Pa kripë…
- Si? O, Zot!
Atij Atlasit të paepur atje në Nju Jork, çdo ditë i bëhej edhe më i rëndë globi mbi shpinë...


2008