Tuesday, March 22


A e dini sa zgjat një pasdite dimri aty nga fundi i dhjetorit? Nëse pranojmë, që ajo fillon diçka pas orës pesëmbëdhjetë, do të thotë se, nuk zgjat më tepër se dyzet minuta, sepse para orës gjashtëmbëdhjetë përflaket perëndimi dhe, pastaj bleron muzgu fare lehtë, gjersa shuhet drita.
Herë pas here hidhja sytë jashtë për të parë dritën. Qielli ishte ende një ngjyrë e freskët blu dhe, dielli gjithashtu ishte ende një ngjyrë e artë rrëzëlluese, që hapej pastërtisht mbi ndërtesat përballë. Nuk doja ta humbisja pasditen, ashtu siç humbet edhe një shfaqje, nëse mbërrin me vonesë. 
Në park ishte qetësi e plotë, aq sa të vinte të përgjoje. U lëshova mes për mes drurëve të zhveshur, të cilët i sheh me një keqardhje romantike, ashtu të mbetur pa gjethe, pa ngjyrat e tyre drithëruese, pa frushullimat gjithë fshehtësi, por vetëm me ca fole të heshtura zogjsh në majë, që era i tund dhe i shprish. Sa herë humbasin degët e mpleksura si kriptograme nëpër mjegull, sa here të tjera i vetullëzon dëbora e papërmbajtshme, duke i kthyer në një pikturë përralle? Sot nuk ka as dëborë dhe as mjegull dhe, gjethet e shtruara përtokë, ende të  pa kalbëzuara, më kërcasin nën këmbë. Trungjet janë të mveshur me myshk të dendur, që më duket si një blerim që ka zënë të përpjetën. Një flutur me krahët ngjyrë kafe dhe me ca motive dantellash fluturoi ulët dhe si e përgjumur nëpër rrezet e pjerrëta dhe të kursyera të diellit dimëror. Më pëlqeu ta shihja n’ajër, ashtu si një trill intrigues. Ka mundur të mbijetojë mes thëllimës, kur dihet që  duhet të ishte shuar që me prarimin e vjeshtës? E bukur dhe mitologjike, lëkundej marramendshëm si të ishte një gjethe e shpirtëzuar krejt papritur. Dhe u zhduk. Ashtu siç u shfaq. 
Sa zgjat një pasdite dimri...
                                                             



         

No comments: