Tuesday, December 8

Idiotësi simetrike

Për K.

"E shikon atë ndërtesën atje tutje? Sa herë vij rrotull rrugicës poshtë saj, më kujtohet gjyshi im, i cili më tregonte se përpara shumë kohësh, ajo copë toke, ku ngrihet kjo ndërtesa sot, i përkiste familjes së tij. Më vonë u kthye në pronë shtetërore, gjatë atij regjimit të tmerrshëm komunist. Tani, firma Bamirësia shpk. ka disa zyra luksoze aty. Tek e shoh, seç më lind një dëshirë për të filluar edhe unë punë, në ndonjërën prej tyre!"
Ne, edhe më parë jetonim në kohë të këqija, por ato nuk zgjasnin kaq gjatë. Miku im dhe unë, ftojmë njëri-tjetrin në duel, sa herë pushojmë së shkruari. Ai është një idealist, një romantik, edhe komunist po deshe, nga ata që s'para e njohin sensibiletin praktik kundrejt realitetit. Të dy bashkë, falim çdo armik, për ta zhdukur më pas si mik. Kemi një jetë që njihemi, unë dhe miku im dhe, kujtimet tona të mira janë e vetmja parajsë nga ku nuk na zbon dot kush. Nuk mundëm të zgjidhnim mes civilizimit perëndimor dhe atij lindor, unë dhe miku im, prandaj vendosëm të mbetemi ca gërxho të pa civilizuara. Nuk deshëm të ktheheshim në marioneta të ndokujt kështu që jetët tona sot varen pas një fije spangoje. E mbi të gjitha nuk ankohemi, unë dhe miku im, se fundja jemi ende në jetë... .
Kur një ditë po shëtisja me mikun tim (një nga ato shëtitjet, kur duart shtrëngohen aq fort sa një ngërç të zë gishtat; lekura fillon të djersisë, diçka sikur të sëmbon dhe lëvizja kthehet në torturë sa mezi pret që tjetri të të lërë më në fund të lirë) na preu rrugën një mace e zezë, të cilën, nja dy metra më tutje e shtypi një makinë, që s'di të them më ç'ngjyrë kishte! Me sigurinë që na fali triumfi mbi besytninë si dhe ngordhja e elementit tashmë neutral dikur të zi, ne u përpoqëm të vijonim me ndihmën e filozofisë subversive të përditshme, të zakontë andej nga anët tona. Filluam të vrisnim mendjen për ndonjë formë të kënaqshme qeverisëse, me kushtin që kjo e fundit nuk do të vintë kurrë. Pastaj zhbiriluam në të shkuarën për ndonjë gabim nga i cili kishim mësuar dicka. Dhe i gjetëm disa! Pa përjashtim, të gjitha i kemi kthyer në ditë kombëtare, ku festohet të qënit pushim, sidomos kur je i papunë, me birra, qofte zgare dhe flamuj të kuq, blu, imperialistë, revizionistë, revolucionarë; të lirë për të pranuar se asgjë nuk varet nga ne. E ndërsa më të keqen e kemi lënë pas, më e mira e saj do të vijë ende.
Secili sipas mënyrës së tij, unë dhe miku im, besojmë në diç, por ne nuk mund të besojmë në atë çfarë ndodh. Refuzojmë të përballemi në duele me kundërshtarë fare të padenjë, stolisur me vello humanitare dhe, i themi njëri-tjetrit, se të gjitha ato që ti thua, më tingëllojnë sikur të ishin thënë nga unë, po të isha i aftë të shprehesha si ty. Ndaj në thelb, nuk kemi më nevojë për njëri-tjetrin!
Pra ka edhe të tjerë që mendojnë si ne dhe ca të tjerë që mendojnë! Sa herë unë dhe miku im nuk mund dot të ndryshojmë asgjë, atëherë ne ndryshojmë këndvështrimin tonë dhe, "me vullnet të mirë, Don Quichotte i zhgënjyer" beson edhe njëherë tjetër se ka shumë për të bërë.
Unë jam e lumtur! Miku im gjithashtu! Nëse dikush ndan tjetër mendim, këtë mund edhe ta zgjidhim jashtë!