Thursday, January 14

Liria për kos







Liria kolektive në demokraci
(nga njëra anë liria si konsumatorë, nga ana tjetër, liria si qytetar nën një regjim demokratik)
Në një "Supermarket" liria, ashtu sikurse edhe gjatë votimeve për kandidatë nuk ndrydhet nga censura e diktaturës. Ajo është komplekse dhe në të dyja rastet paraqitet me shumë publicitet e, si pasojë, edhe me shumë manipulim. Ç'ndryshim ka mes një konsumatori përballë sektorit të kosit dhe një zgjedhësi përballë dymbëdhjetë letrave të votimit? Të dy situatat janë shfaqje e demokracisë; liri si këtu edhe atje... Apo ka të tjerë që mendojnë ndryshe? Dikush mund të thotë se demokracia është thjesht një manipulim, një liri e gabuar, fare formale. Ne zgjedhim mes kandidatëve ashtu sikurse mes markave të kosit dhe në fund vendosim për një produkt, që është njëlloj si gjithë të tjerët dhe, ky është një manipulim i plotë i lirisë.
Ka një ngjashmëri mes dy situatave, por ajo të mashtron. Këtu dua të përmend aspektin formal të lirisë: të jesh i lirë do të thotë të kesh liri të zgjedhësh, pak rëndësi ka, nëse bëhet fjalë për zgjedhjen e pushtetit apo të kosit. Zgjedhja e kosit bëhet në bazë të reklamës më të mirë, ashtu sikurse zgjedhja e një kandidati përcaktohet nga faktorë sociologjikë "the best image", apo siç u shpreh ca ditë më parë një miku im në facebook se, zgjedhim atë që na e këndon më bukur! Megjithatë zgjedhja e kosit është e kushtëzuar edhe nga sasia e parave që posedojmë. Ka edhe nga ata që nuk janë në gjendje ekonomike të blejnë kos. Bollëku i ilustruar, që duket si tipar i lirisë, njëkohësisht e ngacmon rrënjësisht atë. Është më se e qartë se lirinë nuk mund ta reduktojmë në letra votimi apo marka që prodhojnë kos. Ashtu sikurse nuk mund të ketë demokraci pa letra votimi, "one man, one vote"! Por, duket se procesi zgjedhor është sot më shumë së kurrë i lidhur me publicitetin. Ç'dallim ka pra, mes zgjedhjes së kosit kur prodhuesi i tij na bind me ndihmën e reklamës se kosi i tij është më i shëndetshëm dhe më i shijshëm se i të tjerëve dhe një kandidati, që kërkon të na bindë, po me ndihmën e reklamës, për të votuar për programin e tij? (Tjetër gjë se, ka nga ata që kërkojnë votën, edhe kur s'kanë program. Kosi këtu është i tepërt.) Me anë të fletës së votimit, ne nuk zgjedhim një produkt, por një drejtim të caktuar politik, që do të ndikojë direkt mbi lirinë tonë. Në këtë rast, liria nuk është mjet, por qëllim. Ndërsa për blerjen e kosit, liria është mjet për qëllimin tonë për t'u ushqyer me kos. Interesant është fakti se gjatë gjithë historisë nuk ka pasur asnjë demokraci reprezentative pa ekonomi të tregut.
A thua rregullatorët e ekonomisë së tregut janë një domosdoshmëri për ekzistencën e demokracisë reprezentative? Sipas Raymanod Aron nuk mund të flitet për demokraci pa tregun e lirë dhe se në thelb, janë të dyja e njëjta gjë.
Liria është koekzistencë e lirive të njëjta. Liria politike është e lidhur ngushtë me formën e veprimit të lirë, pra me ekzistencën tregut të lirë dhe me koekzistencën e interesave individuale drejt një interesi të përmasave kolektive. Por mund edhe të pandehim të kundërtën! Nëse liria politike është e lidhur ngushtë me lirinë ekonomike, atëherë duhet medoemos që brenda lirisë ekonomike të shohim një problem politik. Kur flasim për liri politike s'mund ta lëmë mënjanë sistemin e drejtësisë, që koekzistencën e lirisë e bën të mundur në sajë të ligjeve,që janë njëlloj të vlefshëm për të gjithë. Prandaj nuk mund të ketë një ekonomi tregu të lirë, pa barazi sociale, pra pa ligje që kufizojnë lirinë, ekzistenca e së cilës, nuk mund të jetë ndryshe prezente. Një liberalizëm i tepruar e ndrydh lirinë, sepse nuk ka liri pa barazi dhe pa një element, që e tejkalon lirinë. E drejta e atyre që nuk e blejnë dot kosin, është kusht për të drejtën time, për të ngrënë kosin e blerë, sepse e drejta dhe liria e njërit mbaron aty ku fillon liria e tjetrit (Kropotkin) e, më keq akoma, liria është ngjitëse (Bergson) dhe thuajse të gjithë e duam nga një tas kos.
Shënim: Zgjedhja e kosit mes morisë së produkteve ishte fare e rastësishme.





Friday, January 8

Shalli i mëndafshtë i purpurt


Herta Müller 
Përktheu nga origjinali Ael, botuar në "Mehr Licht"
 

Ortaku im i bodrumit, Albert Gioni, para se të fillonte turni i natës, më tha përgjatë rrugës për në shtëpi se, kur nuk gjendet gjësendi për të ngrënë, së paku urinë mund ta ngrohësh në diell…
Unë nuk kisha gjë për të ngrënë, prandaj vajta te oborri i magazinave për ta ngrohur urinë. Bari përqark ishte ende i kafenjtë, ishte i shtypur dhe i shprishur nga ciknat, ndërsa rrezet e diellit të marsit ishin të kursyera.
Mbi Russendorf (Fshati i Rusëve) qielli dukej si një det i dallgëzuar, që e shtynte diellin, teksa mua, Ëngjëlli i Urisë më shtynte drejt mbeturinave, prapa mensës.
Ndoshta do të gjeja lëkura patatesh, nëse nuk kishte qenë ndokush aty para meje, meqë pjesa më e madhe ishin ende duke punuar…
Sapo pashë afër mensës Fenjën, duke biseduar me Bea Zakelën, nxora duart nga xhepat dhe, ndala hapin; te mbeturinat tashmë nuk mund të afroheshe kurrsesi.
Fenja mbante veshur xhaketën e saj lejla dhe, mua më erdhi ndër mend shalli im i purpurt. Pas fiaskos me këmbalet , as që dëshiroja të dukesha më në pazar. Por ai që ishte i aftë të fjalosej si Bea Zakeli, do të arrinte të bënte një pazar të mirë dhe, ta shkëmbente shallin tim të purpurt me pak kripë e me pak sheqer…
Në mensë Fenja zvarritej dhembshurisht drejt krodhës së bukës. Pa u gjendur ende tamam ballë për ballë me Bean, e pyeta:
- Kur do të shkosh në pazar?
- Ndoshta nesër! - m’u përgjigj ajo.
Bea shkonte sa herë t’i donte qejfi në pazar dhe, biletat, nëse i nevojitej ndonjë, i gjente fare lehtë…
Ndërsa ajo po priste e ulur në njërin nga stolat e sheshit, ku këmbeheshin gjithfarësoj sendesh, unë vajta të merrja shallin, i cili ndodhej në fundin e valixhes, së bashku me shaminë time të bardhë prej pambuku. Nuk e kisha prekur prej muajsh dhe, ai ishte i butë dhe i lëmuar si lëkura e një foshnjeje.
Më shkuan mornica në trup. Ndruhesha përpara rombeve që derdheshin mbi të anekënd dhe, nuk kishin të mbaruar, sepse ndihesha i brishtë dhe i braktisur, teksa ai shall kërkonte ngrohtësi dhe, dukej sikur përkëdhelej, kur shkëlqimi ia rrëmbente figurave gjeometrike trajtat e ftohta dhe ngjyrën mat.
Moti në kamp nuk kishte ndryshuar dhe, ai i ruante ende format kubike dhe atë rregullsinë e qetë të dikurshme; sidoqoftë, ai nuk ishte më asgjë për mua, kështu që edhe unë nuk isha më asgjë për të…
Kur ia dorëzova Beas, sytë e saj u sprapsën si të turpëruar përballë tij dhe, më pas e vështruan vëngër. Gjithsesi ishin sy enigmatikë dhe, e vetmja gjë e bukur tek ajo.
Mbështolli qafën e saj të hollë me shallin dhe, kënaqësisë që e shfaqi haptazi, nuk mundi t’i rezistonte; kryqëzoi krahët dhe e përkëdhelte ëmbëlsisht me të dyja pëllëmbët.
Ishte një femër shpatullngushtë, me llërë të holla si shkopinj, por nuk i mungonin kofshët dhe vithet e plota dhe të hajthme të një strukture trupore kockëfortë. E pra, dukej sikur ishin përngjitur dy organizma; njeri, ai nga mesi e lart, i brishtë dhe delikat, ndërsa tjetri, ai nga mesi e poshtë, masiv dhe kompakt…
Bea e mori shallin sigurisht për ta këmbyer, por të nesërmen, gjatë apelit, ishte Tur Prikulitçi që e mbante atë përreth qafës së tij. Madje jo vetëm të nesërmen, por gjatë tërë javës që vijoi.
E mbante si të ishte një cohë e keqe, e vjetruar dhe e arnuar dhe, çdo apel, tashmë ishte njëherësh edhe një pantomimë e shallit tim. Por ja, që i shkonte goxha!
Kockat e mia ishin plumb të rënda. Nga njëra anë merrja frymë me zor, nga ana tjetër, sytë i vërdallosja sikur kërkoja të varesha pas cepit të ndonjë reje. Nuk po më ecte! Shallin tim nuk mund ta lija më gjatë rreth qafës së Tur Prikulitçit! Kështu veprova; e mblodha veten dhe e pyeta pas apelit se, nga e kishte marrë ai shallin tim. Pa nguruar aspak, ai m’u përgjigj se, shallin e kishte marrë andej nga e kishte marrë çdoherë, domethënë, nga shtëpia e tij. Bean nuk e përmendi fare dhe, sakaq kishin kaluar plot dy javë. Nga Bea Zakeli nuk kisha marrë ende asnjë grimë kripe apo sheqeri, por a e kishin idenë se, sa shumë e kishin mashtruar urinë time ata dy të ngopurit? A nuk më kishin vënë re vallë se, isha rrëgjuar dhe isha mjeruar, aq sa edhe vetë shalli im nuk më shkonte më? Por që ishte ende imi përderisa ende nuk zotëroja asgjë nga këmbimi i tij, a e dinin?
Kaloi një muaj i tërë dhe, dielli sikur e mpaku ndriçimin e ftohtë si shije e hidhur. Drithërat kishin marrë sërish ngjyrë të blertë në të argjendtë, teksa kopra ishte harbuar fare. Tek ndukja ende jastëkun, u ngrita të dal nga bodrumi, por me t’u përkulur te hyrja, rrëzova padashur llambën dhe, përpara syve m’u shfaq dielli i zi, ai dielli i sigurimit SS! Gatova ca drithëra, që më kujtuan shijen e baltës, por ende nuk kisha asnjë kokërr kripë!
Dhe Tur Prikulitçi mbante qafës shallin tim dhe, unë e kaloja turnin e natës në bodrum, ndërsa pasditeve, ashtu me barkun bosh hidhesha për nga mbeturinat, prapa mensës, të cilat më shijonin më shumë se spinaqi im fals dhe drithërat e mia pa kripë…
Rrugës për te mbeturinat takova njëherë edhe Bea Zakelën dhe, ajo nisi si gjithmonë, të më fliste për bjeshkët (die Beskiden, në origj. gjermanisht) që derdheshin në Karpate. Kur filloi të më rrëfente sesi ishte larguar nga fshati i vogël për t’u zhvendosur në Pragë dhe, sesi Turi ndërkohë kishte mundur të kthehej nga një misionar në një tregtar, unë munda më së fundmi ta ndërprisja dhe ta pyesja:
- Bea, mos ia ke falur gjë shallin tim Turit?
- E mori pa më pyetur; - ma ktheu - ti e njeh çfarë tipi është ai.
- Si kështu? – e pyeta unë
- Po ja; ai me siguri që do të të japë diçka në këmbim të shallit. Ndonjë ditë pushimi, ndoshta?
Në sytë e Beas nuk reflektonte më shkëlqimi i diellit, por frika, frika nga Turi, jo nga unë.
- Bea, e çfarë më duhen mua ditët e pushimit? Mua më duhet Kripa dhe Sheqeri...


Pasthënie

Në verën e vitit 1944, kur Ushtria e Kuqe kishte marshuar thellë në Rumani, diktatori fashist Antonesku u arrestua dhe u ekzekutua. Rumania kapitulloi dhe si për
çudi, i shpalli luftë ish-aleates së saj, Gjermanisë Naziste. Në Janar të vitit 1945 gjenerali sovjetik, Vinogradov, i kërkoi qeverisë rumune rekrutimin, në emër të Stalinit, të gjithë gjermanëve, që jetonin në Rumani, për të „rindërtuar“ Bashkimin Sovjetik, të rrënuar gjatë luftës së Dytë Botërore.
Të gjithë meshkujt dhe femrat nga mosha 17 deri në 45 vjeç u dërguan për punë të detyruar në Gulakë. Edhe ime më qëndroi pesë vjet në kamp.
Meqenëse këto kampe na kujtonin të shkuarën e Rumanisë gjatë regjimit fashist, tema e shpërnguljes ishte tabu. Vetëm brenda familjes apo me të besuar, që edhe vetë ishin shpërngulur, mund të shkëmbeje ndonjë fjalë e të ankoheshe. Madje edhe me ta përdornim nofka e nënkuptime.
Këto biseda të fshehura më kanë shoqëruar gjatë gjithë fëmijërisë. Përmbajtjet nuk ia kuptoja, por ankthin ua ndieja.
Më 2001 nisa të mbaja shënim biseda me të shpërngulur nga fshati im në Rumani. E dija se, edhe Oskar Pastiori ishte njëri prej tyre dhe, i tregova se doja të shkruaja një libër rreth kësaj ngjarjeje. Ai donte të më ndihmonte me ato ç'kishte përjetuar dhe mbante mend. Ne takoheshim rregullisht, ai tregonte dhe, unë mbaja shënime. Por dikur, lindi dëshira për ta shkruar së bashku librin.

Më 2006 Oskar Pastiori vdiq papritmas. Mua më mbetën katër fletore plot me shënime të shkruara me dorë dhe tregime që do të mjaftonin për disa kapituj. Pas vdekjes së tij, unë pushova së punuari. Afërsia personale me shënimet e bënte humbjen edhe më të madhe. Vetëm pas një viti munda të mbledh veten, të ndahesha nga „ne“ dhe ta shkruaja vetëm romanin. Gjithsesi, pa detajet e Oskar Pastiorit mbi të përditshmen në kamp, nuk do të mund t'ia kisha dalë mbanë.

Herta Müller
Mars 2009