Wednesday, March 23

Zoti Kallashnikov

1997

I dashur zoti Kallashnikov –
Kështu po ju drejtohem, sepse e ndiej
Që më s’ ju shkon ndajshtimi shok –
Te ju, në Rusi, ashtu si edhe te ne,
Gjërat ndryshuan me shpejtësi
Qoftë për mirë, qoftë për keq...
E pra, zoti Kallashnikov,
Nëse i hipni avionit dhe zbrisni në Shqipëri
Ju siguroj se do të priteni me brohoritje,
Do të përjetoni çaste madhështore prej heroi
Pikërisht tani që s’e prisni, në pleqërinë boshe,
Harruar tërësisht nga shteti,
Mbetur me një pension fyes, fare të vogël
Që s’të lejon asnjë lloj luksi,
Përveç një shisheje vodkë, që çuditërisht,

Nuk markëtohet ende Vodka Kallashnikov.
Do t’ju duken fatalisht të verbër njerëzit
Brohoritës,
Verbëri që rrezikon t’ju përlajë edhe juve.
Por s’ prish punë, s’prish asnjë punë,
Verbëria në Shqipëri
Është institucion kombëtar
Prej kohësh…

E pra mund të vini tani, në Shqipëri
Veshur me kostum dosido, jashtë mode,
Ose me kapotë të gjatë e të ashpër ushtarake,
Pa grada;
Suksesi në çdo rast është i garantuar;
Një hije hollivudiane do t’ju zbresë në portret
Edhe pse vini nga Rusia.
Krismat e armës tënde
Do të shpërthejnë në përshëndetje;
Ngjajnë shumë ato
Me emrin tënd të shkurtër konfidencial
Kallash
Kallash!

Kallash
Kallash,
Emblema e ditës kallash,
Apokalipsi kallash!
Provo firmos pa krismën e tij,
Pa krismën e tij provo vendos!
Kallash
Kallash

I shembëm monumentet ne në Shqipëri
Njëlloj si ju, në Rusi, por sigurisht më egërsisht,
Dhe, nuk u ngritën monumente të rinj.
Historia jonë nuk shkruhet ende,
Veçse çdo ditë bëhet e zhbëhet;
Dua të them në fund të fundit,
Një monument për ju kapter Nikov,
Fare mirë mund të ngrihet;
Ia kemi marrë dorën ne shqiptarët
Këtyre punëve…
Do të jetë një monument më i sigurt se ai
I Leninit,
Apo Stalinit;
Meritoni më tepër se këta të shemburit.
Pastaj shqiptarët i respektojnë shumë
Shpikësit e mëdhenj të armëve…


Kallash
Kallash
Një ditë Shqipëria u gdhi me armë në çdo shtëpi,
Armën mitike, armën ligjvënëse.
Me të shkonin njerëzit në punë, me të në kafe,
Dhe në krevat;
Me të në bilardo, ku e përdornin si stekë…
Fëmijët me të loznin dhe argëtoheshin,
Me të vriteshin…

Ia mbërritëm të bëhemi
Lajmi i parë në të gjithë televizionet
E botës,
Padrejtësisht herë – herë na dilte përpara
Veçse Zairea
Dhe e ngatërronin me të Shqipërinë e shkretë!
Cinikë dhe indiferentë lajmëronin spikerët
Se kurrsesi Shqipëria s’qenkësh një shtet...

Kështu çdo ditë,
Lajme e lajme për Shqipërinë
Të freskët, aq sa të dukej se kapërcenin kohën.
Pas ferrit shqiptar Evropa punët e saj shihte;
Me radhë numrat e sexifonëve magjikë
33.33/33.33...
Sa të lehtë për t’u mbajtur mend
33/33...
Si numrat e zjarrfikësve 33/33...
Pastaj këshilla për pastrimin e enëve t’argjenda,
Të enëve prej ari pastaj;
Pastaj këshilla për zhdukjen e celuliteve dhe
mostrashjen e bythëve,
Sfilatat e modës pastaj në Milano dhe Paris
Versaçeja që porosiste këmbëngulshëm;
Patjetër këtë pranverë, çfarëdo që të vishni sipër,
Tejdukëse të jetë,
Të shihen brekët poshtë marramendshëm.
Të bardha qofshin, të zeza të kuqe,
Patjetër të shihen...

Kallash
Kallash
Porosiste këmbëngulshëm Versaçeja.
Por pranverën në Shqipëri
Askush s’e mori vesh sivjet që erdhi.
Aroma e luleve u përzie me erën helmuese
Të barutit të djegur,
Petalet me gëzhojat,
Cicërimat me krismat...
Përndizej perëndimi tejembanë si shpirt i lirë,
Pëshpëritnin pemët n’intimitet,
Mot i bukur ishte,
Por ne në rrugë
Ndjeheshim si molusqet jashtë koracës
Dhe turreshim drejt shtëpisë,
Që të mbylleshim.
Gjendje e jashtëzakonshme,

Orë ndalimqarkullimi, postblloqe policie,
Drita rotative blu, sirena rrëqethëse,
Zinxhirë tankesh si gjymtyrë përbindëshash,
Krisma nga dritaret, nga tarracat krisma.

Ah, pesëmijë dollarët e humbura...
Dhe shkrehej në qiell një karikator
Kallash‚ kallash
Ah, një milion dollarët e mi...
Dhe shkreheshin tërë natën dhjetëra karikatorë
Kallash
Kallash
Puna e shqiptarëve ishte radha pas dyerve
të fajdeve.
Ku do t’i gjenin tani paratë,
Punë, ku do të gjenin tani?
Ç’na bëre moj qeveri!


Kallash
Kallash
Një mëngjes shqiptarët nga fajdet,
Si n’ëndërr të pasur u gdhinë
Nga fajdet, një mëngjes përsëri
Si n’ëndërr të varfër u gdhinë
Fjala fajde hyri në folklor;
Hyri në folklor fjala kallashnikov.

Kallash
Kallash
Fëmijët si zogj të trembur u strukën brenda,
Humbën shkollën, s’pinin më qumësht
te freskët,
Urrejtshëm na shihnin, guxonin të na fyenin.
Neve prindërit e tyre,
Që hapnim fshehtas dollapët,

Dhe numëronim ushqimet:
Pesë shishe vaj, dhjetë qese sheqer,
Dy kripë, një thes miell…
Si s’u sos o Zot, një herë,
Ky ritual dërmues
I numërimit të ushqimeve!
Blini bombola gazi, porositnim ashpërsisht;
Sepse do të mbetemi pa energji elektrike,
Në tapet uluni, t’i keni kokat poshtë dritareve,
Ujë mbani sa më shumë, ulërinim,
Sepse ndoshta s’vjen më, ndoshta helmohet fare;
Murtaja vetë, ndoshta ndodh që bie...


Vriteshin përditë njerëz,
Në Adriatik mbyteshin, në varrin blu,
Që u hapej shqiptarëve
Udhës, drejt Evropës...
Mbyteshin, vriteshin,
S’ i linin radhë qeverisë
Të shpallte ditë zie kombëtare,
Flamurin në gjysmështizë s’e linin ta ulte në
hyrjet e ministrive...
Lutej Papa për ne
Në ballë i binte dielli, drita e Zotit,
Por ne kishim pushtuar vetveten
Dhe ky, patjetër,
Ishte pushtimi më i tmerrshëm…

Shqipëria u zvogëlua shumë
Si makth, shumë, shumë
Bënim vetëm pak metra rrugë
Nga puna në shtëpi, nga kafja në shtëpi,
Televizionet e huaj na mësonin të vërtetat
Mbi Shqipërinë.
Na mësonin ç’ndodhte poshtë dritares sonë.
Televizionit të vetëm shqiptar.

I zinin rrugën;
Kamerat ia thyenin.

Se ç’ ndodh atje, në Jug?
Prisni prisni CNN –in, RAI –in prisni.
O, ja më në fund na njohu bota.
Ishim keq të na njihte, gjithë jetën e vuajtëm.
Dhe, ja na njohu me gurë në dorë,
Duke gjuajtur kuturu, duke vrarë njeri – tjetrin.
Shko në Strasburg dhe grindu
Shqiptar me shqiptar
Duke pritur se, cilës palë të drejtë
Do t’ i japin të huajt…

Në sallat me plazmë historie,
Në sallat e ritualeve të jakave
Dhe buzëqeshjeve të ngrira,
Ku hyhet pas përplasjeve kumbuese
Të dyerve të automobilave të mëdhenj;
Në sallat, ku shtrëngimet e duarve
Në sfondin e pikturave të Rembrandtit,
Apo, të De La Françeskës,
Duket sikur shkaktojnë shkreptima blicash,
Në sallat me rrëzëllima eternale,
Me kupola të larta qiellore dhe vula të rënda,
Ku madhështia të tremb dhe të xhuxhëzon,
Delegatët shqiptarë të ndarë
Më dysh kanë hyrë gjithmonë...

Më dysh delegatët,
Populli më dysh,
Dje nga dosjet politike dhe lufta klasore,
Sot nga partitë...
N’Evropë filloi prapë episodi i bishtit
Dhe bishtit vendi i duhet gjetur…
Po kush thotë se, shkaba dykrerëshe
Qenkësh emblemë e lashtë bizantine?

Në ka emblemë autentike shqiptare,
Kjo është shqiptare…

Dhe e mbyllën sinjalin e BBC-së,
Sinjalin e Zërit të Amerikës e mbyllën
Ata që me luftë i hapën;
Ulërijnë egërsisht që të rihapen
Ata që gjysmë shekulli
Mbyllur me dhunë i mbajtën...

Kallash
Kallash
Shqipëria rrezikoi përsëri të copëtohej,
Të zhdukej krejt rrezikoi.
Harta të vjetra
Si silueta kafshësh prehistorike,
Se nga dolën papritur.
Rilindës kolosë
Neve, kohën
Pas e kthyem,
Më pas dhe nga ç’ishte koha juaj
Ulem të shkruaj dhe në vargje
Germa alfabetesh të huaj, më duket se më futen.
Ah, drita juaj ,
Ah, shenjtëria juaj!


Evropa ushtarët e saj solli
Të na ndanin pa sherre kafshatën e bukës.
Ne pinim kafe nën hijen e pishave të larta
Si të pyjeve…
Gjinkallat e La Fontenit
Motivin e përtacisë këndonin.

Në bulevardin e madh të qeverisë,

Fjalën policia në shumë gjuhë të botës
Mund ta lexosh mbi xhips.
Por rend nuk ka, vret e pret kushdo,
Më pas zjarrfikësit, si t’ishte bojë,
Gjakun mbi asfalt lajnë me pompë...
Ushtarët evropianë, si pas paradës,
Shëtisin më nge me armët në krah.
Indiferentë i shihnim, shpërfillshëm
Ne, që i thirrëm urgjent të na ndanin.
Ndalnin herë – herë ushtarët evropianë,
Akullore hanin, shkëmbenin valutë,
Bënin fotografi të mbështetur te autoblindat
Rrethuar çdoherë prej lypësve vocërrakë.
Ndiqnin përhumbësh minifundet e femrave
Vithet që tundeshin, pulpat që zbardhnin
Dhe i zinte dalldia shqiptare ushtarët e huaj;
Dhe më keq, kotësia shqiptare i zinte.
Megjithatë,
Vakancë ekzotike gjithë diell ishte për ta
Shqipëria.
Për të cilën nesër në vendin e tyre;
Do t’i mbyste nostalgjia...

Kallash
Kallash
U çoroditën pleqtë,
O zot, përsëri bersalierët
Me puplat si shkrumb i zi zjarresh të shuar.
Austriakët përsëri
Si në luftën e parë botërore!
Përsëri francezët, holandezët përsëri,
Greku i parë, i dytë, i pesëdhjetë përsëri...
Po ato flamurë, po ato emblema,
Uniformat po ato…
Veçse ne majmunërisht
Një herë u veshëm si italianë,
Një herë si jugosllavë;
Si sovjetikë një herë,
Një herë si kinezë...

Vriten njerëz ditën për diell
Dhe askush nuk ndërhyn.
Si në mesjetë tregtarët rrugëve plaçkiten
Dhe, askush nuk ndërhyn
S’kemi urdhër, s’kemi urdhër.
Sqarojnë ushtarët evropianë,
Ushtarët çdoherë të saporrojtur, ushtarët
Me uniforma të bukura,
Me armë të sofistikuara dhe,
Autoblinda të sigurta...

Kallash
Kallash
Ne, që porositnim gjer dje serinë e fundit
Të Mercedesit,
Këmisha të shtrenjta që blinim butikëve luksozë,
Që niseshim nga një tekë gjer në Santo Domingo,
Një mëngjes
Zbritëm shtrembër – shtrembër në dyqan
Dhe bukën e morëm me listë,
Shitësi uli sytë...
Por s’ka gjë, s’ka gjë;
Le të jenë fringo armët e shumëkombësve,
Ti, kallashnikov
Shpon më shumë ...


E mjera Shqipëri,
Ka brohoritur përherë miq të rremë,
Atyre monumentet ua ka ngritur aty,
Ku bijve të saj duhej t’ua ngrinte/
Tashmë armiq të vërtetë i dolën miqtë e rremë,
Të tmerrshëm tradhtarë cinikë,

Por ne ende përgjumësh pyesim veten
Pse s’ecën ky vend,
Si të tjerët, pse s’ecën?

Kallash
Kallash
Po kush në botë si ne,
Prishi kisha dhe xhami?
Kush ua ktheu në kulla vrojtimi zjarrfikësish
Minaret dhe kambanoret?
Kush i ktheu vetë ato në magazina veglash bujqësore;
Në depo pesticidesh, në depo municionesh?
Kush në botë i bëri qendra të edukimit politik?
Palestra sportive kush i bëri?
Përplasej dhunshëm si shuplakë topi i lojtarëve
Mbi fytyrën e Krishtit, të Shën Mërisë
Dhe të ëngjëjve,
Apo mbi shkrimet e shenjta.
Por ne ende përgjumësh pyesim veten,
Pse s’ecën ky vend
Si të tjerët, pse s’ecën?

Kallash
Kallash
Kufoma çdo ditë, çdo ditë gjak;
Aq shumë u shkatërrua Shqipëria,
Sa dhe arkivolet
Porositeshin jashtë,
Kallash
Kallash

Ashtu si gjithçka
Shqiptarët përdhosën dhe fjalën demokraci.
Dhe iku një palë shqiptarësh,
Një palë tjetër shqiptarësh u kthyen.

E tillë është e gjithë historia jonë;
Ikjeardhje – ardhjeikje.
Vend në Shqipëri
Ka vetëm për fituesit...


Siç kthen koha karbonin në diamant,
Alkimia e mallit baltën e mëmëdheut
Në mjaltë ua ktheu rilindësve tanë.
Po të ikurve sot
Në çfarë u kthehet balta e mëmëdheut vallë?
Apo sot është moda për të sharë
Vendin tënd racën tënde nënën tënde;
Sot i thuhet mut asaj që i thuhej
Mjaltë?

Kallash
Kallash
Kush ka provuar të jetojë pa ligje,
Pa ministri, pa burgje, pa spitale,
Pa moral
Kush është mbyllur në shtëpi duke pritur,
Pa ditur ç’pret,
Edhe, nëse e ka pasur zor të pranojë
Prejardhjen e njeriut nga majmuni,
Lehtësisht e pranon zotërinj
Prejardhjen e majmunit nga njeriu...


Nga tarraca në Hotel Tirana
Si strategë lufte gazetarët e huaj
Sheshin Skënderbej vëzhgonin
Dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit;
Kryet mendueshëm tundnin pastaj,
Krahët ua kthenin;
Përballë kamerave vendoseshin,
Ndanë antenave satelitore.

Mikrofoni në dorë, gati RAI UNO, BBC, CNN?
Live nga Shqipëria...
Ja, pas nesh sheshi kryesor, bulevardi i vetëm,
Ku ndihet lehtësisht se si gdhihet shteti;
Ministritë më tej, Banka Kombëtare, Universiteti,
Në fund Presidenca, ku
Rojet shërbim bëjnë veshur me rroba civile...

Sot pati tridhjetë të vrarë, njëzet të plagosur;
Asnjë shans përmirësimi…
Miting inkandeshent në shesh, partitë prapë u
Grindën,
Në jug dy ura n’erë, s’i pranojë shumëkombësit
N’oborret e shtëpive tanke mbajnë shqiptarët dhe, mbi çelik
Shkruhet taxi, apo jepet me qira…
Dhe i përdorin për të marrë nuse, krushq për të marrë
Për të sjellë pa dhunuar të vdekurin, apo
Për të mbartur lart e poshtë cigaret kontrabandë…
Janë një rutinë tashmë të gjitha këto, siç janë
Një rutinë edhe kufomat, që pastrohen
Njëlloj si edhe plehrat e tjera...
Por, sa e bukur është natyra!
Ka çelur një pranverë gjithë sensualitet,
Ndonëse ky popull
Mbeti me arkivol mbi supe…


Ç'thoni tani për një vizitë në Shqipëri
Zoti Aleksej Timofijeviç Kallashnikov?
Po për ngritjen e monumentit tuaj,
Kapter Nikov, ç’thoni?
Nderin që s’ta bëjnë në vendin tënd,
Ndodh që ta bëjnë në një vend të huaj...
Veçse kujdes!
Ky monument,
Nuk duhet t’iu ngjajë kurrsesi
Monumenteve të dikurshëm të Leninit dhe Stalinit...

Apo, pikërisht atyre duhet t’ iu ngjajë
Ky monument?

1997

No comments: