Tuesday, May 31

96 fjalë në teatër



- Po kjo lule këtu?
- Është një qiri i kristalizuar dhe nuk është këtu, por atje.
- Po, është një qiri i zi, që pa u nxituar po gjelbëron nga varri. Më pranë teje o Zoti im!

Harabeli* i gjymtuar u ul i paprekur, ndërsa Sorra* gjithë guxim dhe mospërfillëse vazhdonte të vinte rrotull. Mendueshëm bënte figura rreth një tubi. Në fund heshtjen në bibliotekën e zymtë me dërrasat e kuqe dhe vijat e bardha e solli kontrolluesi me një pjatë në dorë:
- Vdekja e orës pesë u dashka shërbyer.

*i kishin larguar njërin krah
*me fundin e bishtit



Sunday, May 29

Do të vijë...



Do të vijë vetë XZ, shkrimtari i kombit! Besoj ta keni marrë vesh të tërë, sakaq, apo jo? Por, a e dini çfarë do të thotë kjo për shkollën tonë? Ngjarje e rëndësishme kulturore, do të thotë, ngjarje që do të na vendosë në krye të të gjitha shkollave të tjera.
XZ do të urdhërojë te ne i shoqëruar si çdoherë nga botuesi i tij i respektuar dhe, ne na duhet të blejmë plot treqind libra. Po, po, treqind libra brenda për brenda institucionit tonë. Fjala është për romanin më të fundit të tij, të titulluar “Të asketosh në pleqëri” Kopjet e para do t’i blini ju, mësueset e letërsisë, për të dhënë kështu shembullin tuaj; më pas do t’i blejnë nxënësit dhe, pikërisht maturantët, të cilët, për këtë rast, do të tubohen në sallën e shfaqjeve, te kati i dytë, ku do të zhvillohet ceremonia. Sepse do të ketë vërtet një ceremoni, jo një takim të thatë, pa emocione, pa entuziazëm dhe, pa falënderime. Por ne nuk synojmë thjesht blerjen e disa librave nga ana jonë; oh, do të na shanin, duke u ngutur ta quanin të gjithë këtë që po përpiqemi të zhvillojmë, si të shpifur, spekulative dhe banale; blerja e atyre treqind librave është automatikisht e garantuar, por ne na intereson më së shumti prania e vetë shkrimtarit tonë me famë botërore, në mjediset e shkollës, kuvendimi i tij me nxënësit e mençur dhe artdashës; na interesojnë fotografitë që do të bëhen me këtë rast, të cilat do t’i vendosim më pas gjithë përkujdesje dhe delikatesë lart e poshtë nëpër stenda, por edhe drejt e në mure. Kështu dora- dorës do të pasurohet historiku i shkollës sonë; pse s’i pandehni ju?
Përmban edhe diçka tjetër mjaft të rëndësishme ardhja e XZ te ne, diçka ndoshta paksa abstrakte, në vështrim të parë, metafizike ndoshta, ndoshta supersticioze, por sido që ta përkufizojmë ne këtë dukuri, sido që ta përcaktojmë, një gjë është e sigurt; hija e bekuar dhe e pashlyeshme, që lenë përngaherë ngado që shkelin njerëzit e mëdhenj, ta shenjtëron vendin. Nuk po e teproj jo; ah, sikur të më kuptonit…
Por dëgjoni! Do të njoftojmë edhe gazetarët, që të vijnë dhe të bëjnë një kronikë për të qenë.Vijnë ata, vijnë, sepse deklaratat që ka dhënë kohët e fundit XZ, kanë qenë, hehe, ca si shumë hapatazi pro politikave të qeverisë. Le që unë i kam miq mbarë e prapë. Aha; se për pak harrova; libri kushton veçse pesëqind lekë, asgjë fare, pale pastaj kur mendon se çfarë vlere do t’i shtohet atij në bibliotekën tuaj me atë firmën piktorike të XZ! Sepse është pa dyshim nder të marrësh një libër nga vetë dora e këtij autori vigan. Por do të jem vetë aty; e si mund të mungojë pikërisht drejtori?!
Atëherë, pasnesër, në orën njëmbëdhjetë. Për të gjitha porositë që dhashë, përgjigjeni drejtpërdrejt ju, mësueset e letërsisë; ika, fillimisht mblidhni paret…
- Ama, ç’drejtor! Siç flet me nxënësit, flet edhe me ne, mësueset. Le të tjerat, por harron budallai se, është më i vogël se ne.
- Si të mos harrojë, përderisa, ata që e vunë drejtor, janë edhe sot e kësaj dite në pushtet?
- Gjithmonë ka një thartim ironie në fytyrë.
- Mirë mirë, por që tani na duhet të nisim nga puna; të përpilojmë listat me emrat e nxënësve që do ta blejnë librin, të caktojmë nja dy apo tre prej tyre, për të recituar, ca të tjerë për të bërë pyetje, gjithsesi jo provokuese, kurse disa të tjerë…
- E çfarë poezish të zgjedhësh nga XZ për të recituar; ai pothuaj veçse për partinë e punës është këputur më dysh. Pas nëntëdhjetës, sikur nuk ka shkruar më poezi.
- Ç’ rëndësi ka; do t’i gjej unë, ato që na duhen nëpër antologjitë e situra, të botuara së fundmi.
- Pesëqind lekë, hë? Sa rroga jonë ditore. Ç’të bësh, do ta blejmë edhe ne se s’bën.
- Mësuese letërsie jemi ne; ne vazhdimisht lexojmë , nuk jemi shkëputur ndonjëherë nga librat.
- Ashtu është, por se si të vjen kur ta japin me detyrim , më keq se ato veprat e Enverit qëmoti…
- Sa e poshtër je ti! Epo edhe ky, gjithë ai shkrimtar, kaq në hall është i ziu sa, të shesë libra si ambulant nëpër shkolla? Në panaire autori më i shitur, nëpër librari më i shituri, jashtë shtetit po ashtu, atëherë, përse na bie në qafë edhe ne, të varfrave? Të paktën, kur shpërndajmë librin e ndonjë shkrimtari modest, fitojmë edhe neve ndonjë përqindje; shtatëdhjetë lekë për copë, apo edhe më tepër, aq sa na mjafojnë për të blerë ndonjë palë geta, apo edhe ndonjë të kuq buzësh, pa na u dridhur dora. Kurse me këtë të shquarin, as që bëhet fjalë për pazare të tilla.
- Ky i shquari ndoshta dëshiron të lexohet nga të gjithë komunitetet …
- Por, a e ke idenë, është i përshtatshëm ky libër për një adoleshent? Se si më tingëllon titulli i tij!
- Sot një adoleshent mund të lexojë gjithçka…

Të pasnesërmen, në orën njëmbëdhjetë, drejtori i shkollës, priste te porta e hapur i veshur me një kostum blu fare të ri. Qëndronte drejt dhe pa lëvizur, si t’i kishin dhënë komandën gatitu dhe, ashtu i rruar dhe i krehur me merak, të kujtonte lehtësisht një maxhordomo të vetëkënaqur hotelesh.
Por ora po shkonte njëmbëdhjetë e një çerek dhe, personaliteti i letrave nuk po shfaqej. Si kështu? Eh, çfarë nuk iu dalin pa pritur dhe pa kujtuar njerëzve të rëndësishëm, duke ua ndryshuar kryengulthi tërë agjendën e miratuar që më parë prej vetë atyre. Por nuk po dukej gjëkundi as edhe ndonjë ekip i medias?! XZ dhe botuesi i tij, s’janë veçse spontanisht të sjellshëm dhe mirënjohës, i pati thënë një natë më parë në telefon shefi i një departamenti lajmesh drejtorit të shkollës dhe, tashmë ky po e kuptonte kumtin e vërtetë të atyre fjalëve. Po në djall mediat! Le të vinte shkrimtari i shquar, pa të tjerat ndreqeshin…
Aty nga ora njëmbëdhjetë e gjysmë, shkrimtari i shquar mbërriti më në fund. Përballë portës së lartë të shkollës frenoi një off road i vjetër dhe, që andej zbriti botuesi, i cili nxitoi t’ia hapte derën e makinës autorit të tij, që veçse atëherë zbriti edhe ai, ngathtësisht dhe, si me zor. Me sa dukej, botuesit, përveç detyrave të tjera nga më të rëndomtat i qe shtuar edhe ajo hapja dhe mbyllja e derës, pas së cilës ulej XZ, që ndërkohë ishte rrëgjuar ca si tepër dhe, në publik dukej përherë i lodhur dhe nervoz.
- Ah ah, qenkësh plakur edhe ky, - tha me pikëllim drejtori i shkollës, kur e këqyri XZ, megjithatë, buzagaz dhe me gjeste të prera robotike, u lëshua drejt tij, që t’i jepte dorën dhe t’i uronte mirëseardhjen.
- Tungjatjeta! Unë jam drejtori i shkollës. Ju falënderoj; që erdhët te ne dhe …
- Dëgjo! - ia ndërpreu botuesi formulën e mikpritjes - Sill këtu te makina nja dy kalamaj, që të tërheqin pakot me libra; janë plot tridhjetë. Por sa më shpejt, të lutem, sepse asnjëherë nuk kemi shumë kohë.
- Po po, ja menjëherë…

Dhe ja, shkrimtari, botuesi i tij, drejtori dhe, mësueset e letërsisë të nisura dhe të stisura, zunë vend te një farë presidiumi, përpara nxënësve - blerës, ashtu, me një buzëqeshje të shpërndarë në fytyrë si sheqerosje tortash; ah ah…
- Të dashur nxënës! - e mori fjalën drejtori, pasi u çua së pari në këmbë - E di që sot jeni veçanërisht të lumtur, ngaqë mes jush ndodhet…
Botuesi lëvizte tërë kohës mbi karrigen e tij, si ai që mezi pret një çast të volitshëm për t’ia mbathur tinëzisht nga një zyrë policie, ndërsa, shkrimtarit ia bënin të palexueshëm mendimin që kishte te sytë, reflekset e ashpra të gjyslykëve. Celularët binin pareshtur, secili sipas melodisë së vet.
- Dëgjomë pra, të lutem! - iu kthye botuesi drejtorit të shkollës, ndërkohë që fjalën e kishte marrë njëra nga mësueset e letërsisë - Nuk mund të rrimë më këtu asnjë minutë. Na presin në një tjetër vend, ta thashë sapo u takuam, më duket. Le të vijnë kalamajtë të tërheqin librat. Nxënësit u çuan rrëmujshëm nga vendi dhe, u grumbulluan përreth shkrimtarit, që filloi t’i firmosë librat me një shkathtësi dhe me një dëshirë të habitshme, a thua se, përmes asaj gërvimës se stilolapsit, shkarkonte një elektricitet statik të akumuluar mundimshëm në organizmin e tij.

Pas këtij akti nxënësit e çliruar u lëshuan tëposhtë shkallëve, por u përplasën me pastruesen, një cigane e ngjallme si ato këngëtaret e bluseve, e cila pa iu drejtuar askujt, pyeti me zë të lartë:
Ç’bëhet kështu, ç’bëhet kështu? Po vaksinohen nxënësit? Prapë ka rënë ndonjë epidemi ?

2001

Saturday, May 28

motive lartësie







Dy këmbë të stërmëdha
me çizme të tmerrshme gjithë gozhdë,
që nxjerrin vetëtima si "s" satanike;
lart qillota të fryra ushtarake
si kofshë bretkose...
kërrusur vij rrotull
sikur mbaj një gur mbi shpinë
shoh
vetëm këmbë, vetëm këmbë
shtypëse rrafshuese.
Këmbë dhe aty ku duhej të fillonte barku i butë,
stomaku ku duhej të fillonte, mushkëritë
zemra
madje, këmbë dhe atje ku duhej t'ishte
koka,
dy këmbë të stërmëdha, gozhdë dhe qillota.

Te vitrinat e mugëta
Xhokondën shoh me një goxha penis ndër duar
më tej një bjonde nudo
me flokë të kreshpëruar
si perturberanca diellore,
pyll plastik penisësh monumentalë,
organe plastike femërore futur në kuti,
përpara me celofanë
diçka si ambalazhi i kukullave,
koka,
gozhdë dhe qillota, këmbë të stërmëdha.

Tuesday, May 24

O

Miniaturë


Mijëra zogj fluturojnë;
glasa hedhin
mbi hundë të mëdha 
njerëzish që shëtisin...

Të tjerë si të çalë kërcejnë në kafaz,
sqepat duke kërkëritur
me ankth të madh, zogj
pa qiell në kafazin-varr.




Friday, May 20

Lulet e mundimit


Si nuk po vyshken lulet e mundimit,
si s’po mbaron kjo natë e brengës sonë
o mike e dhëmshur, vallë gjithëmonë
do jemi fli e lotit, e trishtimit?
Atje ku ankthi vret me pa mëshirë,
atje ku shpresa zhduket sa po vjen
e pikëllimi zemrën nis e bren,
ne endemi të dy – me sy të ngrirë,
e këta sy vështrojnë rreth e rreth,
por vesa s’ndrin e ëmbël përmbi gjeth
e paqja shpirtin krejt e ka harruar …
Kudo veç pluhur, ndot e fat i zi,
urrejtje e ftohtë, çpagim edhe zili
e lot krenar që fshehur rrjedh helmuar. ..

Syt’ e tu, e dashtun, janë të përlotun
Sytë e tu, e dashtun më hapin një botë të tanë
Që e kam andrruem, por nuk e paskam njoftun,
Syt’ e tu, e dashtun që tash i kam aq pranë ...
Në shregull shpresash të marra jam kotun,
Maleve të nalta, që puthen me qiejt, jam ngjitë
Dhe greminave të thella, ku lëvrijnë
kaçamijt’ e krimbat kam rrëshqitë
Dhe kam vra, sepse kam dashunue
Dashuninë që s’ishte dashuni
Dhe kam pëmbysë me hov të çmendun
Kështjella fantazish që kisha ngrefun
Në trunin tem të smuet e n’zemrën teme l’lodhun
Për me gjetë ndër mija sy
dy sy, e dashtun, si tuejat, të përlotun...

Robert Shvarc



Monday, May 16

pra



Flatrat përgjakin telave të kafazit
puplat shkundin, ashpër çirren,
njëri brenda, tjetri jashtë
nguten e bashkohen;
zogu i kafazit dëshiron hapësirë
kafaz zogu q' është jashtë...
intrigë dyskajëshe e përjetshme,
që bën lëvizjen,
kohën, pra...



Wednesday, May 4

Një njeri




Një njeri përshpirtet në heshtje
një ditë ta ketë atë që dëshiron
derikur mashtrimit i jepet dhe
në fund dëshrion veç atë që ka.  


Eugen Roth

Monday, May 2

Dëshirë


Shiu që çukiti befas qelqet e dritares, m’u duk se më bëri një ftesë të ngutshme për të dalë përjashta dhe unë ia pranova menjëherë; renda dhe pashë natën, një natë përthithëse dhe të mbytur nga lagështia. Vetëtinte pareshtur dhe bubullimat rrokulliseshin nëpër qiell, duke e dridhur vendin përreth mu si ato vozat e mëdha me verë kur bien në qilar…
Fërgëllova nga freskia dhe elektriciteti i rrufeve, të cilat ma rrëqethën dhe ma kreshpëruan krejt trupin me sëmbimet e tyre si gjilpëra. Pemët e larta dhe të dendura tutje në kopsht, që arrija t’i vështroja, i përkulte me vrull dhe ua mplekste kurorat me njëra – tjetrën era, e cila me sa dukej, mbërriti për t’i dhënë frymë ringjallësh çdo qenieje. Ishte erë aromatike që të këndellte kur të gufonte kraharorin dhe, të nxiste ta pranoje përjetësinë…
Sythat ishin fryrë sakaq, nëpër lastarë, ishin lëngëzuar dhe rridhnin rrëshirë veshtullore të ndritshme. Lëkura e kuqërremtë e drurëve ish e zbutur dhe ish lëmuar. Përgatitja nëpër natë e lindjes së pranverës, mbështjellë me misterin sundues të krijimit, ishte gjithë afshe dhe përndezje djegëse, gjithë dhele të egërsuara dhe dhunë erotizmi, plagë, shqetësime, dhembje dhe shpërthime orgazmash çliruese. E nuk kish sëmundje në kopshtin me natë fshehëse; nga kopshti pikërisht sëmundja po largohej, dimri i ndrydhur...
Kaq ethshëm po jepnin e merrnin lylat e shiut dhe rrufetë goditëse si elektroshok, baltat dhe ujërat që përziheshin, retë e rënduara që shembeshin përdhe dhe hëna që dukej - e zhdukej dhe derdhte fosfor sa, për një çast besova vërtet se, po ngjizej mbi tokë jeta edhe një herë nga e para, si në Zanafillën biblike. Dhe shih kur të fillonte kori i stërlashtë i bretkosave në brigjet e trazuara të liqenit...