Sunday, May 2

Der rote Punkt / Njolla e kuqe



Njeriu është e vetmja gjallesë që qesh dhe, që në dallim nga të tjerat, e njeh vdekjen. Macja e fqinjit tim nuk e njeh vdekjen! Asaj i ka rastisur të shohë mace të tjera të ngordhin, por nuk e di se, një ditë, edhe macet e fqinjëve të fqinjit tim, bashkë me gjithë të tjerat që teprojnë, do të ngordhin.
Kjo njohuri për vdekjen, për të cilën njerëzit bëhen koshient shpesh qysh në vitet e para të jetës, na mërzit, na tremb, na irriton e na shtyn që të ideojmë zgjidhje, herë-herë nga më naivet, edhe pse, po të donim të zbatonim një ligj fare të thjeshtë të shkencave ekzakte, duke mbledhur vdekjen, dhe të qenit ne dijeni për të, me një element invers, pra me aftësinë për të qeshur, teorikisht do të ktheheshim në një zonë neutrale, jo boshe. Në zonën zero.

Thonë se ne kemi filluar të qeshim dhe të bëjmë humor, pasi kemi kuptuar se do të vdesim.
E ndërsa të qeshurën e kemi monopolizuar në Tokë, sa herë shohim ndonjë fotografi nga kush e di ç'turist, përgjithësisht perëndimor, të cilëve s'para u pëlqen të qeshin dukshëm e të vënë në lëvizje muskuj si „venter occipitofrontalis“ dhe „depressor labil inferioris“- meqenëse këta janë përgjegjësit për shfaqjen e rrudhave që të afrojnë plakjen, e bashkë me të edhe vdekjen- dhe, që shkrepin e fiksojnë me sensorët e aparatit të tyre dixhital (në lat. digitus: gisht) në kush e di se ç'fshat të ndonjë vendi mjerisht të varfër, apo në ndonjë katund të humbur edhe të vendit tim, të qeshurën e fëmijëve, grave dhe të pleqve që jetojnë aty, çuditemi për një hov për gëzimin e tyre. Pastaj radha i vjen pyetjes se, si ndodh, që njerëz, të cilët me vështirësi arrijnë të plotësojnë nevojat më elementare të jetës, të qeshin apo të jenë të lumtur?

Nuk ka asnjë shkak për të qenë i lumtur në këtë botë. Në çdo çast, diku sëmuret, ndahet, largohet, braktiset, keqtrajtohet, poshtërohet, nënshtrohet, masakrohet, përdhunohet, vritet dikush.
Mirëpo, edhe trishtimi mbart problemet e tij. Spinoza thoshte se trishtimi, njëlloj si mërzia, e fsheh arsyen e tij dhe ne, shpejt harrojmë se ç'na shtyn në humbëtirën e tyre, të vetëm.
Për më tepër, trishtimi zgjat shumë, sepse, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë që ai ka me botën, na duhet të presim gjatë, derisa kjo e fundit të na lumturojë. Dhe ky është paradoksi i lumturisë, e cila shfaqet në një botë, që vazhdimisht të trishton dhe që duket se nuk është krijuar për të na bërë të qeshim.

Në një nga leksionet e fundit në Fakultetin e Ekonomisë, pata fatin të qesh gjatë, pa u lumturuar, për shkak të një harte, e cila shërbente si prapavije gjatë nëntëdhjetë minutave, kur Profesori i Universitetit fliste mbi Ekonomitë e Lumtura dhe shpërndarjen e tyre në globin ekonomik.
Ishte një hartë e thjeshtë me tri ngjyra, realizuar me ndihmën e programit FreeHand (dorë e lirë); me një legjendë, ku shpjegohej se në ç'mënyrë duhej kuptuar kufiri mes ngjyrave.
Nuk bëhej fjalë për një hartë politike, por për shtete me masa njerëzore të lumtur, të ngjyer me blu, ata më pak të lumtur, më ngjyrë portokalli dhe për shumë të tjerë aspak të lumtur, më ngjyrë të kuqe.
Ndarja e lumturisë ishte bazuar patjetër në të ardhurat mesatare vjetore për kokë, në rritjen ekonomike, në lirinë e fjalës dhe veprimit, në lirinë për konkurrencë etj. ..., apo në qeverisje politikanësh, të cilët në vend që të shkaktojnë probleme për të gjithë, përpiqen për një pjesë të japin zgjidhje, mendova unë.
Diku nga minuta e dyzet e nëntë, asistenti, që deri në atë moment kishte shërbyer si një objekt lëvizës me periodë konstante të mërzitshme, dhe që ia hidhja sytë sa herë shfryja pakënaqësi ndaj kursimit të ngjyrave dhe mungesës së përgjithësisë së atyre që u kishte vajtur mendja për gjetjen, shtypi butonin e zumit në pult duke vënë në fokus Evropën, lumturinë monotone dyngjyrëshe të së cilës e „zbukuronte“ vetëm e kuqja e ndezur e vendit tim të vogël, jo të lumtur, kjo jo vetëm ekonomikisht.

Më ngjau si një detyrë me rëndësi që të mund të ndaja mes lumturisë dhe gëzimit, te cilin edhe aparati im fotografik rastis të memorizojë brenda ¼ -ën e sekondës, kur unë e shkrep enkas për të kapur qeshjen, dhe herë-herë zgërdheshjen e ndokujt.
M'u kujtua Primo Levi dhe gëzimi që e gjente atë, madje edhe brenda kampeve të përqendrimit, si dhe Annah Arendt, që fliste për gëzimin si një domosdoshmëri dhe forca e vetme që kemi, për të mos e lejuar të keqen të shndërrohet në absolute, teksa vrisja mendjen se ç'përgjigje t'iu jepja atyre që haptazi i bezdiste tashmë lumturia e tyre absolute.