Monday, April 18

Ekspozitë




Furra të shuara dhe të shembura
Si kratere vullkanesh të vdekur;
Xhama të thyer mprehtësisht gjer lart,
Që të shqetësojnë
Si të ishin thyer vetë qiejt...
Kjo uzinë e braktisur hesht, por sot
Aty një ekspozitë arti është hapur.
 
Çapiten vizitorët mbi zhurin e truallit;
Vëmendshëm si nxënësit në shkollë vështrojnë
Pikturat me ngjyrat e ngjeshura nervozisht,
Varur mbi muret me suva të prishur...
Pastaj portretet me asimetri tragjike,
Modeluar në baltë me mollëzat e dridhshme
Të gishtave;
Më pas diademat me diamante
Flamurin e një supershteti më tutje
Krekosur në bishtin e një fshese të madhe,
Pemët e shkulura, hedhur mbi shkrumb.
Dhe oturakët e azilit të pleqve
Mbushur me lule…

Por shih!
Shkëputet një vizitor
Për të pshurrur te rrënojat, në fund të repartit.
Të tjerët e ndjekin me interes,
Që të shijojnë performancën e tij të beftë.
Ah, ç’zgjidhje e hollë
E kuratorit ….

1995

No comments: