Sunday, February 20

Ushtari i panjohur


Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë shkoja shpesh në Lidhjen e Shkrimtarëve. Çoja krijimet e mia të pakta dhe, tërë rrugës kisha emocion. Ndërkohë përgatisja me ngut edhe vëllimin e parë me vjersha, sepse asokohe, edhe me një libër të vetëm, të pranonin kandidat, madje edhe anëtar të Lidhjes dhe, unë e dëshiroja dhe e ëndërroja këtë anëtarësi. Për fat, më prisnin ngrohtësisht, më ndihmonin dhe, më silleshin sikur të isha plotësisht i rritur dhe jo një tetëmbëdhjetëvjeçar fluturues…
Shkrimtarët dhe, veçanërisht poetët, të cilëve ua lexoja rregullisht çdo gjë që botonin, i shihja tërë kërshëri dhe admirim të ndrojtur, tek hynin e dilnin nëpër mjediset e Lidhjes. Ata, të gjithë pa përjashtim kishin në sytë e mi një hije sunduese monumentale, që nuk u hiqej edhe atëherë, kur bënin shaka me njëri – tjetrin, edhe kur njëri – tjetrin e fyenin, e poshtëronin, apo e ndëshkonin rëndë. Eh, kështu ishte fillimi, por çdokush nga ne e di sa shpejt banalizohet dhe përdhoset gjithçka…
Një mëngjes në Lidhje u shfaqën tre redaktorë të rinj. I solli nëna Parti nga gjiri i klasës punëtore dhe, vendimet e saj, dihej që ishin supreme dhe të pakundërshtueshme. Tyryfylë të tillë, që këpusnin gafa nga më të paimagjinueshmet, u përhapën pa dyshim edhe nëpër zyrat e administratës shtetërore, edhe nëpër ministri, në Komitetin Qendror, si edhe në vetë kupolën e Partisë dhe të shtetit, në Byronë Politike…
Këta “ talente të rinj” të letërsisë, që gjer atëherë vetëm kishin shkarravitur ndonjë faqe fletoreje, do të përçonin të pastër vijën dhe mësimet e Partisë nëpër radhët e shkrimtarëve të intelektualizuar, të plogështuar dhe të molepsur nga mënyra mikroborgjeze e të jetuarit dhe të menduarit, nga burokratizimi atrofizues dhe nga izmat moderniste. I kishin harruar shkrimtarët fodullë temat e mëdha; merreshin me vogëlsira të parëndësishme, trajtonin detaje, jo vetë historinë, që gdhendej çdo çast pashueshmërisht në granitin e epokës revolucionare të socializmit, por “ talentet e rinj “, të devotshëm, siç ishin dhe, tërë energji, do t’i trandnin ata fort, do t’i zgjonin dhe, do t’i gjykonin: 
hej po flet klasa!...
Një skeç i estradës së Durrësit, që vinte në lojë një shkrimtar, sepse nuk dallonte dot kallëzën e grurit nga ajo e thekrës, jo më kot ishte i suksesshëm dhe pëlqehej deri lart… Po; i kujtoj fare mirë edhe sot e kësaj dite kur filluan punë në Lidhje. Njëri ishte axhustator, tjetri marangoz dhe, i treti murator. Për dy të parët thoshin se kolektivat e ndërmarrjeve, nga të cilat kishin ardhur, ishin gëzuar aq shumë prej largimit të tyre, sa, me atë rast kishin ndarë bujarisht edhe llokume. Sepse ata birbot na paskeshin qëlluar dembelë të mëdhenj, grindavecë dhe, patjetër edhe spiunë, që i ngatërronin dhe i merrnin në qafë të gjithë ata që u ndodheshin rreth e rrotull. Dhe vërtet, edhe me të vënë këmbë në Lidhje, filluan të përplasnin grushtin mbi tryezë, filluan të ngrinin zërin, të dërgonin raporte të gjatë në Komitet të Partisë “ për gjendjen katastrofale dhe armiqësore që mbizotëronte në institucion”; filluan t’i fyenin shkrimtarët shkak e pa shkak, filluan t’i trembnin dhe t’i kërcënonin, duke i këshilluar në të njëjtën kohë që të mos u krekoseshin më atyre “ punëtorëve të dikurshëm”, sepse ndërkohë ishin bërë kolegë të barabartë…
Por vetë e kalonin tërë ditën e ditës nëpër kafene, megjithatë, asnjëherë nuk harronin të merrnin me vete ndonjë vepër të Enverit, të cilën e mbanin sa më dukshëm ndër duar, ndonëse nuk e shfletonin dhe nuk e lexonin…
Por i treti, muratori, qëlloi burrë i mirë. Se ç’kishte shkruar një tregim, që ia kishte ujdisur për botim një redaktor mediokër dhe, s’dihej nëse kishte ndër mend të shkruante më, apo jo. Zihej ngushtë sa herë bisedohej për letërsinë dhe nuk hynte në diskutim. Kishte sy të çiltër, që nuk i përmbyste në asnjë rast, të folur të ngadaltë dhe të njëtrajtshme dhe, lodhej shpejt e mundohej, kur i duhej të mësonte ndonjë gjë të re. Por nuk qeshje dot me të dhe, s’e vije dot në lojë edhe atëherë kur tregohej fare naiv. I kishte pranuar përfundimisht me bindje të plotë mësimet e Partisë dhe të udhëheqësit të saj, njëlloj siç i pranojnë edhe besimtarët fanatikë dogmat e fesë së tyre, prandaj ishte e vështirë ta gjykoje dhe ta fajësoje, sepse ai nuk shtirej. Një pasdite tek po shëtisja në bulevardin e madh ( n’ato vite, vetëm në atë bulevard bëhej shëtitje …) me një shokun tim që sapo ishte kthyer nga Franca, ku
kishte studiuar për gjuhë dhe letërsi frënge, u gjenda papritur ballë për ballë me muratorin shkrimtar. Sapo i prezantova, ai iu kthye shokut tim dhe, me seriozitet dhe me detyrimin që ia ngarkonte solidariteti proletar, iu drejtua:
- Pse studiokan të rinjtë tanë në Perëndim? Kushedi sa vuante njerëzia e shkretë për bukën e gojës, atje në atë Francën ku paske qenë ti?
Shoku im u fry dhe u skuq, sakaq, iu zgurdulluan sytë, megjithatë, i instruktuar më së miri, siç ishte, për të përballuar edhe kësi rastesh, iu përgjigj:
- Ç’t’i bësh, ja që atje në Francë nuk qeveris një parti si kjo e jona!
- E dëgjove shokun tënd? – m’u kthye menjëherë mua gjithë qortim muratori shkrimtar – Prandaj, mos sillni më në redaksi poezira me lulka e bulka, por poezi të forta, ku të përshkruhet se si prodhohet buka, si vjen ajo gjer në sofrat tona. Ç’të bëj unë me poezitë tuaja, ku t’ua gjej vendin tani që ma caktuan mua faqen poetike në gazetë? Ngushtë zihem, por do t’ia dalim mbanë, ja ashtu, duke u përpjekur bashkërisht…
Kur u largua shkrimtari murator dhe mbetëm përsëri të dy, shokut tim s’iu durua:
- Ç’ishte ky? idiot, apo bir kurve…
Qesha shpërthyeshëm, ngaqë s’e përmbajta dot veten dhe pastaj iu përgjigja:
- S’e besoj të jetë as e para dhe as e dyta.
Më pas ia shpjegova me durim se si qëndronte puna me muratorin e ardhur në Lidhjen e Shkrimtarëve, së bashku edhe me dy punëtorë të tjerë, por shoku im i çmësuar, siç duket, njëfarësoj me mbrapshtitë e realitetit shqiptar, ndonëse babai i tij zëvendësministër i parë, me siguri që e instruktonte rregullisht, mezi më mori vesh, ndërkohë që u bë tepër nervoz dhe na e prishi fare kënaqësinë e shëtitjes.
- Por është burrë i mirë; - i shtova më në fund pas një pauze të gjatë – asnjëherë nuk të bën keq, s’të provokon dhe nuk rrotullon thashetheme lart e poshtë. E pe ndopak me vëmendje? Gjithë dimrit nuk mban më shumë se ajo bluza me tri kopsa, që kishte veshur edhe tani. Pëllëmbët i ka të stërmëdha dhe si të enjtura, ndërsa gishtat përplot të prera plagësh dhe me gjysmëthonj. E kanë caktuar, siç e dëgjove edhe vetë, redactor të faqes të poezisë në gazetën e Lidhjes dhe, ndonëse më sillet miqësisht, siç i sillet në fakt kujdo, më ka hapur mjaft telashe…
Dhe vërtet na vuri në vështirësi muratori shkrimtar, sidomos ne të rinjve. Por ç’t’i bëje dhe çfarë t’i thoshje? Asnjë argument tjetër nuk pranonte, përveç atij që rrekej ta paraqiste vetë, ndonëse të dëgjonte pa të ndërhyrë dhe pa të ndërprerë. Poezi të forta, poezi të forta…
Një ditë i shkova në zyrë për ta pyetur se ç’mendim kishte për ciklin tim të fundit me poezi që ia kisha dorëzuar qyshkur. Ç’mendonte dhe çfarë kishte vendosur të bënte me të? Ishim ulur ballë për ballë dhe m’u desh të prisja derisa të mbaronte së lexuari një dorëshkrim që e kishte filluar pa hyrë në zyrë unë. Ngaqë nuk kisha çfarë të bëja, nisa ta shoh tek lexonte dhe tek korrigjonte gjithë stërmundim me stilolaps. Dora e tij, që më bënte çdoherë përshtypje, e regjur siç ishte, të shtrëngonte të tjera vegla, fjala vjen, lopatën, apo qylyken, mistrinë apo çekanin; e aftë të ngrinte thasë çimentoje, apo tulla, të lëvizte gurë të mëdhenj, apo blloqe betoni, tani fare pa dashje dhe, pa e kuptuar ushtronte të njëjtën forcë edhe ndaj stilolapsit, prandaj dridhej e dridhej, mbi letër, a thua se muratori i shkretë vuante ngaparkinsoni. Kush e mori në qafë këtë njeri , duke e sjellë këtu në Lidhje, kujtohem edhe sot, që kam arsyetuar me vete në ato çaste të pritjes, kush e nxori nga abitati i vet dhe e hutoi!…
- Ja, më thuaj ti, ku t’i çoj unë poezitë e tua, ku t’ua gjej unë atyre vendin? – m’u drejtua papritur shkrimtari murator shumë i nevrikosur – M’i pranon kryeredaktori mua këto? Ja:
një gjethe e verdhë vjeshte / e vetme drithëron / në sfond të perëndimit…
Të tilla gjëra ke botuar gjer më sot, e marr me mend, por situata që po kalon vendi ynë tani, hovi i madh revolucionar që ka përfshirë gjithë popullin dhe, sidomos rininë heroike, kërkon nga ne shkrimtarët që të përgjigjemi, duke e pasqyruar këtë situatë sakrificash dhe vetmohimesh të panumërta. Kështu e ndihmojmë ne Partinë! – tha më në fund dhe, pasi heshti ca solemnisht m’u kthye prapë:
E dorëzove librin për botim? S’më ke thënë. Nëse ke futur në të veçse poezira të tilla tralala e trilili, s’do të të vejë puna mbarë, ta dish. Do të ta kthejnë dorëshkrimin për ta rishikuar dhe për ta ripunuar.
- Kam futur më shumë se dhjetë vjersha për aksionet e rinisë, por edhe ato, ashtu sipas mënyrës sime i kam shkruar. Nuk dal dot nga vetja!
- Prit, prit, sepse je fare i ri! Ah, të të kisha unë atje në brigadën time, te “21 Dhjetori”! ta tregoja unë ty si dilje nga vetja. Por, ç’po them! Ti je djalë i edukuar dhe unë do të të ndihmoja dhe do të të mbaja afër. Dëgjo! Do t’i propozoj kryeredaktorit të të nisë me shërbim në disa rrethe, ku ka kantiere të mëdha ndërtimi. Për shembull, në Vaun e Dejës, që e kanë quajtur “kantieri i dritës “. Shko e shih si punohet! Shko e shih dhe na sill nja dy reportazhe të mira…
Por unë mezi prisja të botoja një cikël të ri me vjersha, që të dilja pastaj të dielën paradite te Rruga e Dibrës dhe të takoja poetët, që harxhonin me qejf honoraret, te kafeneja përpallë Mapos së Madhe, te kafeneja e potershme letrare, mbi të cilën, tre kate më lart, banonte Kadareja…
Një ditë, përsëri ashtu papritur, e larguan nga Lidhja dhe, ne mësuam se e kishin emëruar në Komitetin Qendror, të punonte si instruktor për problemet e artit dhe të kulturës. As në ëndërr nuk e kishte parë një kapërcim të tillë ylberor, muratori i shkretë; nga maja e çatisë së popullit, ku radhiste e radhiste tjegullat mes acarit të madh, apo mes diellit përvëlues, këlltum e në çatinë e Partisë, dy kate nën Enverin…
U habitëm shumë të gjithë, por nuk e komentuam dhe nuk e shprehëm habinë tone sepse nuk na e mbajti. Madje disa thanë krejt të kundërtën e asaj që mendonin: ja, të tillë njerëz i duhen partisë, sepse ia forcojnë detashmentet…
Muratori u bë shoku shok dhe në Lidhje vinte vetëm atëherë kur i duhej të sillte direktivat nga lart apo për të kërkuar llogari, kur Partia shfaqte shqetësime. Udhëtonte me një makinë luksoze, të mbyllur me perde anash dhe prapa dhe, sigurisht që nuk mbante më atë zhilenë e tij me tri kopsa, por një kostum të ri, në ngjyrë të çelët, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, nyjen e së cilës e lironte vazhdimisht, si të ishte nyja e një litari, që ia merrte frymën pak e nga pak. Herën e parë, kur e pamë të zbriste nga makina përpara Lidhjes u afruam të ndrojtur për t’i folur, sepse menduam se do t’i ishte rritur mendja sakaq, por, me të vënë re se u skuq si i zënë në faj, u çliruam dhe u takuam tërë përzëmërsi. I ziu  murator! Kur hipte majë skelave, apo majë çative, me siguri që nuk i merrej mendja, kurse në çastin që doli nga vetura rrëzëllitëse, e humbi për pak drejtpeshimin.
- Ç’bëhet këtej?- pyeti sa për të thënë diçka - Si keni qënë me shëndet, si ju kanë vajtur punët? 
- O, mirë, fare mirë! – u përgjigjëm ne të gjithë sa ishim përballë tij.
- Urime për librin! – m’u kthye mua, pastaj – Në fillim ta pritën mirë, por tani po ta kritikojnë, ë? Me ty që je fare i ri e gjetën të merren? Nejse, ul kokën dhe reflekto! Në këtë moshë korrigjohesh më lehtë…
U mërzita mjaft që m’i kujtoi kritikat, të cilat ma kishin shuar ashpërsisht gjithë gëzimin që më përfshiu me t’u botuar dhe me t’u shpërndarë libri. Kushedi se si do të përfundonin ato kritika , por nëpunësi i lartë i Partisë nuk ma përmendi se më kishte paralajmëruar prej kohësh për ato. U ndamë, po ku ta dinim ne se e shihnim për herë të fundit? Një të diel në mëngjes kishte dalë për të pirë kafe dhe, teksa kapërcente rrugën, diku pranë “Ushtarit të Panjohur “, hutohet, nuk bën dot as para as mbrapa dhe, një makinë që po vinte me shpjetësi, e përplas në asfalt dhe e le të vdekur në vend. I ndjeri murator! Kishte harruar të ecte…


No comments: