Monday, May 2

Dëshirë


Shiu që çukiti befas qelqet e dritares, m’u duk se më bëri një ftesë të ngutshme për të dalë përjashta dhe unë ia pranova menjëherë; renda dhe pashë natën, një natë përthithëse dhe të mbytur nga lagështia. Vetëtinte pareshtur dhe bubullimat rrokulliseshin nëpër qiell, duke e dridhur vendin përreth mu si ato vozat e mëdha me verë kur bien në qilar…
Fërgëllova nga freskia dhe elektriciteti i rrufeve, të cilat ma rrëqethën dhe ma kreshpëruan krejt trupin me sëmbimet e tyre si gjilpëra. Pemët e larta dhe të dendura tutje në kopsht, që arrija t’i vështroja, i përkulte me vrull dhe ua mplekste kurorat me njëra – tjetrën era, e cila me sa dukej, mbërriti për t’i dhënë frymë ringjallësh çdo qenieje. Ishte erë aromatike që të këndellte kur të gufonte kraharorin dhe, të nxiste ta pranoje përjetësinë…
Sythat ishin fryrë sakaq, nëpër lastarë, ishin lëngëzuar dhe rridhnin rrëshirë veshtullore të ndritshme. Lëkura e kuqërremtë e drurëve ish e zbutur dhe ish lëmuar. Përgatitja nëpër natë e lindjes së pranverës, mbështjellë me misterin sundues të krijimit, ishte gjithë afshe dhe përndezje djegëse, gjithë dhele të egërsuara dhe dhunë erotizmi, plagë, shqetësime, dhembje dhe shpërthime orgazmash çliruese. E nuk kish sëmundje në kopshtin me natë fshehëse; nga kopshti pikërisht sëmundja po largohej, dimri i ndrydhur...
Kaq ethshëm po jepnin e merrnin lylat e shiut dhe rrufetë goditëse si elektroshok, baltat dhe ujërat që përziheshin, retë e rënduara që shembeshin përdhe dhe hëna që dukej - e zhdukej dhe derdhte fosfor sa, për një çast besova vërtet se, po ngjizej mbi tokë jeta edhe një herë nga e para, si në Zanafillën biblike. Dhe shih kur të fillonte kori i stërlashtë i bretkosave në brigjet e trazuara të liqenit...

No comments: