Sunday, May 29

Do të vijë...



Do të vijë vetë XZ, shkrimtari i kombit! Besoj ta keni marrë vesh të tërë, sakaq, apo jo? Por, a e dini çfarë do të thotë kjo për shkollën tonë? Ngjarje e rëndësishme kulturore, do të thotë, ngjarje që do të na vendosë në krye të të gjitha shkollave të tjera.
XZ do të urdhërojë te ne i shoqëruar si çdoherë nga botuesi i tij i respektuar dhe, ne na duhet të blejmë plot treqind libra. Po, po, treqind libra brenda për brenda institucionit tonë. Fjala është për romanin më të fundit të tij, të titulluar “Të asketosh në pleqëri” Kopjet e para do t’i blini ju, mësueset e letërsisë, për të dhënë kështu shembullin tuaj; më pas do t’i blejnë nxënësit dhe, pikërisht maturantët, të cilët, për këtë rast, do të tubohen në sallën e shfaqjeve, te kati i dytë, ku do të zhvillohet ceremonia. Sepse do të ketë vërtet një ceremoni, jo një takim të thatë, pa emocione, pa entuziazëm dhe, pa falënderime. Por ne nuk synojmë thjesht blerjen e disa librave nga ana jonë; oh, do të na shanin, duke u ngutur ta quanin të gjithë këtë që po përpiqemi të zhvillojmë, si të shpifur, spekulative dhe banale; blerja e atyre treqind librave është automatikisht e garantuar, por ne na intereson më së shumti prania e vetë shkrimtarit tonë me famë botërore, në mjediset e shkollës, kuvendimi i tij me nxënësit e mençur dhe artdashës; na interesojnë fotografitë që do të bëhen me këtë rast, të cilat do t’i vendosim më pas gjithë përkujdesje dhe delikatesë lart e poshtë nëpër stenda, por edhe drejt e në mure. Kështu dora- dorës do të pasurohet historiku i shkollës sonë; pse s’i pandehni ju?
Përmban edhe diçka tjetër mjaft të rëndësishme ardhja e XZ te ne, diçka ndoshta paksa abstrakte, në vështrim të parë, metafizike ndoshta, ndoshta supersticioze, por sido që ta përkufizojmë ne këtë dukuri, sido që ta përcaktojmë, një gjë është e sigurt; hija e bekuar dhe e pashlyeshme, që lenë përngaherë ngado që shkelin njerëzit e mëdhenj, ta shenjtëron vendin. Nuk po e teproj jo; ah, sikur të më kuptonit…
Por dëgjoni! Do të njoftojmë edhe gazetarët, që të vijnë dhe të bëjnë një kronikë për të qenë.Vijnë ata, vijnë, sepse deklaratat që ka dhënë kohët e fundit XZ, kanë qenë, hehe, ca si shumë hapatazi pro politikave të qeverisë. Le që unë i kam miq mbarë e prapë. Aha; se për pak harrova; libri kushton veçse pesëqind lekë, asgjë fare, pale pastaj kur mendon se çfarë vlere do t’i shtohet atij në bibliotekën tuaj me atë firmën piktorike të XZ! Sepse është pa dyshim nder të marrësh një libër nga vetë dora e këtij autori vigan. Por do të jem vetë aty; e si mund të mungojë pikërisht drejtori?!
Atëherë, pasnesër, në orën njëmbëdhjetë. Për të gjitha porositë që dhashë, përgjigjeni drejtpërdrejt ju, mësueset e letërsisë; ika, fillimisht mblidhni paret…
- Ama, ç’drejtor! Siç flet me nxënësit, flet edhe me ne, mësueset. Le të tjerat, por harron budallai se, është më i vogël se ne.
- Si të mos harrojë, përderisa, ata që e vunë drejtor, janë edhe sot e kësaj dite në pushtet?
- Gjithmonë ka një thartim ironie në fytyrë.
- Mirë mirë, por që tani na duhet të nisim nga puna; të përpilojmë listat me emrat e nxënësve që do ta blejnë librin, të caktojmë nja dy apo tre prej tyre, për të recituar, ca të tjerë për të bërë pyetje, gjithsesi jo provokuese, kurse disa të tjerë…
- E çfarë poezish të zgjedhësh nga XZ për të recituar; ai pothuaj veçse për partinë e punës është këputur më dysh. Pas nëntëdhjetës, sikur nuk ka shkruar më poezi.
- Ç’ rëndësi ka; do t’i gjej unë, ato që na duhen nëpër antologjitë e situra, të botuara së fundmi.
- Pesëqind lekë, hë? Sa rroga jonë ditore. Ç’të bësh, do ta blejmë edhe ne se s’bën.
- Mësuese letërsie jemi ne; ne vazhdimisht lexojmë , nuk jemi shkëputur ndonjëherë nga librat.
- Ashtu është, por se si të vjen kur ta japin me detyrim , më keq se ato veprat e Enverit qëmoti…
- Sa e poshtër je ti! Epo edhe ky, gjithë ai shkrimtar, kaq në hall është i ziu sa, të shesë libra si ambulant nëpër shkolla? Në panaire autori më i shitur, nëpër librari më i shituri, jashtë shtetit po ashtu, atëherë, përse na bie në qafë edhe ne, të varfrave? Të paktën, kur shpërndajmë librin e ndonjë shkrimtari modest, fitojmë edhe neve ndonjë përqindje; shtatëdhjetë lekë për copë, apo edhe më tepër, aq sa na mjafojnë për të blerë ndonjë palë geta, apo edhe ndonjë të kuq buzësh, pa na u dridhur dora. Kurse me këtë të shquarin, as që bëhet fjalë për pazare të tilla.
- Ky i shquari ndoshta dëshiron të lexohet nga të gjithë komunitetet …
- Por, a e ke idenë, është i përshtatshëm ky libër për një adoleshent? Se si më tingëllon titulli i tij!
- Sot një adoleshent mund të lexojë gjithçka…

Të pasnesërmen, në orën njëmbëdhjetë, drejtori i shkollës, priste te porta e hapur i veshur me një kostum blu fare të ri. Qëndronte drejt dhe pa lëvizur, si t’i kishin dhënë komandën gatitu dhe, ashtu i rruar dhe i krehur me merak, të kujtonte lehtësisht një maxhordomo të vetëkënaqur hotelesh.
Por ora po shkonte njëmbëdhjetë e një çerek dhe, personaliteti i letrave nuk po shfaqej. Si kështu? Eh, çfarë nuk iu dalin pa pritur dhe pa kujtuar njerëzve të rëndësishëm, duke ua ndryshuar kryengulthi tërë agjendën e miratuar që më parë prej vetë atyre. Por nuk po dukej gjëkundi as edhe ndonjë ekip i medias?! XZ dhe botuesi i tij, s’janë veçse spontanisht të sjellshëm dhe mirënjohës, i pati thënë një natë më parë në telefon shefi i një departamenti lajmesh drejtorit të shkollës dhe, tashmë ky po e kuptonte kumtin e vërtetë të atyre fjalëve. Po në djall mediat! Le të vinte shkrimtari i shquar, pa të tjerat ndreqeshin…
Aty nga ora njëmbëdhjetë e gjysmë, shkrimtari i shquar mbërriti më në fund. Përballë portës së lartë të shkollës frenoi një off road i vjetër dhe, që andej zbriti botuesi, i cili nxitoi t’ia hapte derën e makinës autorit të tij, që veçse atëherë zbriti edhe ai, ngathtësisht dhe, si me zor. Me sa dukej, botuesit, përveç detyrave të tjera nga më të rëndomtat i qe shtuar edhe ajo hapja dhe mbyllja e derës, pas së cilës ulej XZ, që ndërkohë ishte rrëgjuar ca si tepër dhe, në publik dukej përherë i lodhur dhe nervoz.
- Ah ah, qenkësh plakur edhe ky, - tha me pikëllim drejtori i shkollës, kur e këqyri XZ, megjithatë, buzagaz dhe me gjeste të prera robotike, u lëshua drejt tij, që t’i jepte dorën dhe t’i uronte mirëseardhjen.
- Tungjatjeta! Unë jam drejtori i shkollës. Ju falënderoj; që erdhët te ne dhe …
- Dëgjo! - ia ndërpreu botuesi formulën e mikpritjes - Sill këtu te makina nja dy kalamaj, që të tërheqin pakot me libra; janë plot tridhjetë. Por sa më shpejt, të lutem, sepse asnjëherë nuk kemi shumë kohë.
- Po po, ja menjëherë…

Dhe ja, shkrimtari, botuesi i tij, drejtori dhe, mësueset e letërsisë të nisura dhe të stisura, zunë vend te një farë presidiumi, përpara nxënësve - blerës, ashtu, me një buzëqeshje të shpërndarë në fytyrë si sheqerosje tortash; ah ah…
- Të dashur nxënës! - e mori fjalën drejtori, pasi u çua së pari në këmbë - E di që sot jeni veçanërisht të lumtur, ngaqë mes jush ndodhet…
Botuesi lëvizte tërë kohës mbi karrigen e tij, si ai që mezi pret një çast të volitshëm për t’ia mbathur tinëzisht nga një zyrë policie, ndërsa, shkrimtarit ia bënin të palexueshëm mendimin që kishte te sytë, reflekset e ashpra të gjyslykëve. Celularët binin pareshtur, secili sipas melodisë së vet.
- Dëgjomë pra, të lutem! - iu kthye botuesi drejtorit të shkollës, ndërkohë që fjalën e kishte marrë njëra nga mësueset e letërsisë - Nuk mund të rrimë më këtu asnjë minutë. Na presin në një tjetër vend, ta thashë sapo u takuam, më duket. Le të vijnë kalamajtë të tërheqin librat. Nxënësit u çuan rrëmujshëm nga vendi dhe, u grumbulluan përreth shkrimtarit, që filloi t’i firmosë librat me një shkathtësi dhe me një dëshirë të habitshme, a thua se, përmes asaj gërvimës se stilolapsit, shkarkonte një elektricitet statik të akumuluar mundimshëm në organizmin e tij.

Pas këtij akti nxënësit e çliruar u lëshuan tëposhtë shkallëve, por u përplasën me pastruesen, një cigane e ngjallme si ato këngëtaret e bluseve, e cila pa iu drejtuar askujt, pyeti me zë të lartë:
Ç’bëhet kështu, ç’bëhet kështu? Po vaksinohen nxënësit? Prapë ka rënë ndonjë epidemi ?

2001

No comments: