Saturday, September 26

GAZ 69

E vështroj me habi dhe kërshëri, sepse paraqitja e tij nuk po më përputhet me atë çka më ka mbetur në kujtesë; e përfytyroja më të madh dhe më të zymtë dhe, mbi të gjitha, më agresiv. Si mund ta përfytyroja ndryshe, përderisa çdoherë më lëvizte në sfondin njëngjyrësh të diktaturës, duke çuar vaj dhe mort kudo që ndalte?
Tani e vërej me psikologjinë e një spektatori të vëmendshëm në sallën e një teatri, i cili priret çdo çast për të ndjekur ngjarjet dhe fatet e personazheve, ndonëse objekti që kisha unë ballë për ballë nuk lëvizte dhe nuk bëzante. Nuk di se kush e ka këtë relikte të Sigurimit të Shtetit komunist, këtë metaforë të mynxyrë të tij, që rri haptazi dhe si pa turp aty, midis të tjerave, modeleve të fundit, mu si ai vrasësi që ka marrë garanci të plotë nga kapot e policisë se, nuk e trazon njeri. Me atë të gjelbërtën ushtarake, mushamanë e zezë blozë, parafangot e nxjerra, me forma dhe vëllime të plota, me skermën e lartë të radiatorit dhe, me fenerët e rrumbullakët si sy të shqyer, më duket veçse e shëmtuar dhe e mjerë, ndonëse në përgjithësi, makinat e prodhuara tri apo katër dekada të shkuara, të pëlqejnë dhe të joshin, kur i ndesh rrallë e më rrallë nëpër rrugët e kthyera në lumenj, dhe të ngjallin një nostalgji të ëmbël gjithë romantizëm.
Në mëngjesin e kësaj të hëne të Tiranës rri ndanë trotuarit bashkë me gjashtëdhjetenëntëshin, që po të më lejonte drejtshkrimi, do të kisha dashur shumë ta shkruaja gjashtenënçin…
Te xhami i derës së shoferit, te xhami i ngushtë si frëngji, i kapur te mushamaja, jo drejt e te korniza e derës, është ngjitur një letër, ku shkruhet:
Shitet
me çmim të arsyeshëm, Cel:
I afrohem dhe nis t’i vij vërdallë, siç i vihet çdo gjëje që shitet dhe, më pas ngjesh fytyrën pas xhamit dhe këqyr brenda në kabinë; ndenjëse të zeza, kruskotë e zezë, timon dhe levë e gjatë marshesh e zezë; një kult i vërtetë i të zezës, në atë skëterrën, ku të fusnin me pranga ndër duar dhe, të ngjeshnin në mes dy agjentë të ngjallëm si derrat, e cila shitej me një çmim të arsyeshëm…
- Ej; - më afrohet një burrë rreth të pesëdhjetave – si po të duket?
- Për Zotin, ku e ke rrëmuar këtë? Jotja është?
- Ende po. Ku e kam rrëmuar, the? Pse, pak të tilla kishte nëpër tunelet dhe nëpër magazinat e ushtrisë? Pse po çuditesh? A e di ti se, çfarë makine është kjo? Tank tank! Bjeri, bjeri llamarinës me çokun e dorës! – më propozon, por në fakt i bie vetë bam bam bam - E dëgjove çfarë tingulli kumbues nxori? Pse, ç‘kanë makinat e blinduara më tepër? Hiçasgjë.
- Ç'pune ke bërë, apo edhe ç'pune bën tani?
- Kam qenë kapter ushtrie, nënoficer me një fjalë; tani shes materiale ndërtimi në një pikë shumice.
- Të lumtë ty!
…Korb i zi që çan e krakëllin/ krak krak nëpër natë! Kush kishte lënguar duke e shkruar këtë varg për këtë përbindësh të Sigurimit? Krak krak korb i zi nëpër natë... 
Nuk ka arrestim në emër të popullit që të mos jetë kryer me këtë makinë, e cila i kallte datën kujtdo që e haste përpara, qoftë edhe rastësisht. Por këtë makinë nuk e përdorte vetëm Sigurimi shqiptar; këtë makinë e përdornin për të njëjtin qëllim të gjitha vendet e Europës Lindore, të ashtuquajtura vende të demokracisë popullore, duke përfshirë pa dyshim edhe vetë Bashkimin Sovjetik, ku kjo makinë prodhohej. GAZ 69! Duke përsiatur për të, fillon të më duket sërish agresive, madje këtë herë më shumë nga ç’më kish mbetur në përfytyrimin tim, aq sa për një çast më bëhet sikur i zgjohen instinktet, sikur përndizet dhe, të gjitha ato makina forfuritëse përqark, i ngjesh shuk në një qoshe! 
GAZ 69, Gorkij Avtomobilnij Zavod. Plotësoj këto iniciale cirilike dhe kujtoj që, marka e saj përmbante edhe emrin e Maksim Gorkit. Ç’t'i bëj; e ku nuk ngatërrohesh nganjëherë pa dëshirën dhe pa dijeninë tënde. Këto iniciale në gjuhën shqipe formojnë një fjalë që ka disa kuptime. Njëri prej tyre: gaz – ndjenjë gëzimi, hareje dhe kënaqësie. Ky sigurisht vetëm gaz nuk sillte.

2007

No comments: