Wednesday, September 16

God's humor




1.
Asnjë shenjë keqardhjeje s'duhet të të përcjellë gjendja ime. Përkundrazi, unë pata shumë fat që jam në këtë vend. Këtu është errësirë e, për të hedhur ndonjë hap më duhet, përveç këmbëve, të përdor edhe duart, ndërsa sytë më ndihmojnë më shumë kur i mbaj të mbyllur por, është qetësi...
Çdo ditë unë zgjohesha në mëngjes, punoja deri në mbrëmje vonë dhe, pas ndonjë kafeje me pak qumësht, flija për t'u zgjuar të nesërmen e për të fjetur sërish të pasnesërmen. Kur pija kafenë mbrëmjeve në shtëpi, më pëlqente të ulesha përballë kalendarit me fotografinë e një ëngjëlli, i cili, sikur qortonte jetën time. Por edhe unë e sfidoja. Çdo mbrëmje e gjeja kohën të ulesha përballë tij.
Nuk e di sesi ndodhi e, aq më pak pse. Engjëlli i kalendarit jo vetëm që u shfaq, por edhe më foli:

-Sot, në orën 23.50 ti do të vdesësh! Do të jetosh në rrethin e katërt të ferrit, ndërsa të tjerët do të dinë të vdekur! Do të heqësh dhembje njëzet herë më të forta se dhembja më e rëndë që ke përjetuar ndonjëherë në jetën tënde këtu në tokë!
Nuk dija më sesi ta sfidoja. Ky ishte çasti kur u bë e qartë se kush urdhëronte mbi gjithçka. S'kish kaluar ende asnjë minutë por, pas shtangies së gjatë, më dukej sikur demonët do të vinin nga çasti në çast për të më marrë. Krahas kësaj, të qëndruarit ende përballë kalendarit me engjëllin, që ndërkohë ishte kthyer në faqen e muajit Dhjetor, më kujtonte disfatën time. Kujt i duheshin tani këto orë dhe minuta të tepërta?! Le pastaj ajo ndjenja e hidhur e humbjes! Tani s'kish vlerë më asgjë!
(edhe 1h 59min 47s )
Fërkova sytë fort dhe vendosa të merrja pak ajër të pastër jashtë. Fundja, s'kish ndodhur asgjë! Derën gjithsesi e lashë të hapur dhe dola.
(edhe 1h 35min 14s )
Në ferr? Ç'ne!? Ishte fillim Marsi. Unë po rrokullisesha si fëmijë mbi barin e parkut, po ngopesha me aromën e pemëve dhe me freskinë! Si s'më kishte shkuar ndër mend të vija këtu çdo pasdite!

(edhe 0h 10min 45s )
U përsërit e njëjta situatë! Engjëlli m'u shfaq përsëri dhe, unë ndodhesha edhe njëherë përballë tij në shtëpinë time! Këtë herë lëshova një klithmë habie. Më kishin mbetur edhe pak minuta kohë, kështu që vendosa të arratisesha. Dera qe e hapur:
-Demonët do të vinë dhe, ti, kudo që të ndodhesh, do t'u dalësh përpara! Ata do të të kryqëzojnë, do të të rrjepin eksodermën, do të djegin mezodermën, do të ushqehen me organet e tua dhe dikur, ti do të gjendesh në rrethin e premtuar! Ujë i përvëluar do të derdhet mbi ty, herë pas herë do të të veshin me lëkurë të re, për të të rrjepur dhe djegur deri në pafundësi... Më thuaj, do t'i presësh apo do të largohesh?
(edhe 0h 0min 1s )
-Ik e, mos u kthe më nga vendi ku do të të dërgoj Unë!
Sytë unë i mbaj mbyllur dhe lëviz fare pak këtu ku jam. Por sa herë i hap, shoh hapat e tyre!

 
2.
Dukej i qetë dhe shpërfillës. Unë picërrova sytë! Sapo kisha mbaruar së lari enët dhe, shfaqjen e një ëngjëlli as nuk e kisha ëndërruar. Por, më në fund e la shpërfilljen dhe me fytyrën e bardhë shqiptoi fjalët:

-Pas pesë ditësh ti do të vdesësh. Në qiellin e gjashtë në parajsë do të jetosh ti, ndërsa të tjerët do të dinë të vdekur.
Hera e parë... Kjo s'më kish ndodhur kurrë! Kisha dëshirë të pija një gotë e të festoja! Fundja, tha parajsë...!
(edhe 5 ditë 1h 1 min 1s)
Shtanga dhe vështrova dyshemenë. Pije alkoolike gjithsesi s'kisha në shtëpi. Isha ende e lirë, mund të vazhdoja të ecja e të dilja nga njëra prej dyerve të drunjta. Mund të bëja sikur nuk e kisha dëgjuar zërin e tij dhe të laja edhe dyshemenë, të cilës vazhdoja t'ia ngulja sytë.  (edhe 4 ditë 80h 5min 1s)
Fillova të telefonoj ca njerëz që kisha vite pa ia dëgjuar zërin. Mora leje nga puna dhe vendosa të vizitoja nënën, të cilën nuk e shihja që prej dy muajsh. Kur e takova, nuk e mbajta dot:
(edhe 3 ditë 58h 56min 43s)
-Po ti ke qenë gjithnjë njeri i mirë... atje në parajsë do të harrosh çdo hall...
Lumenj me verë do të rrjedhin atje, frutat dhe gjithë të mirat që njeh si dhe ato që s'njeh syri ynë, të presin ty.

(edhe 3 ditë 57h 4min 3s)
Nuk dija si të dilja nga kjo gjendje. Unë nuk doja të vdisja, nuk i doja lumenjtë me verë dhe as frutat që do më zinin frymën.
Unë doja të pija kafenë me pak qumësht të mëngjesit, të shkoja në punë e të kthehesha sa më shpejt në shtëpi.
(edhe 3 ditë 57h 3min 3s)
I kërkova nënës të arratisej me mua. 
-Të vinë demonët e të na marrin për në ferr thua ti?!
S'është teprim të them se e urreva në atë çast. U largova për të takuar të dashurin tim e, për t'u ndarë nga ai.

(edhe 3 ditë 53h 3min 56s)
-Arratisu me mua! -tha ai.
-Të vinë demonët e të na marrin të dyve për në ferr thua ti?!
Dreqi e marrtë! U ktheva për në shtëpi.

(edhe 3 ditë 50h 12min 5s)
Të nesërmen, letërshpërndarësi s'më dha letrën që mbante në dorë.
-Ka të reja nga nëna juaj, zonjushë...

(edhe 2 ditë 47h 50min 7s )
Rreth trupit të saj vinin rrotull tre meshkuj të policisë dhe një hetues veshur me të bardha.
-Ka vrarë veten dje në mbrëmje... Nuk e kuptoj, ç'i shtyn njerëzit të bëjnë një gjë të tillë! Të vrasësh veten?! Po të gjithë e dinë se shkon menjëherë në ferr...

Idiot, mendova unë.
(edhe 2 ditë 47h 50min 6s )
Përtej, në gjysmëhije, m'u shfaq imazhi i të dashurit. Belbëzova disa gjëra të përgjithshme dhe vrapova për tek ai. 
(edhe 2 ditë 46 h 34min 56s )
Shkoja e vija nëpër dhomë në shtëpinë e tij. Nuk e shihja gjëkundi.
(edhe 2 ditë 46h 31min 59s )
Me gërshërën, që gjendej mbi komodinë, e vrava dhe, i lashë ashtu, të shtrirë mbi krevat siç ishin përpara se unë të hyja në dhomë.
(edhe 2 ditë 45h 5min 6s )
Më mbytën lotët dhe mezi e pashë ëngjëllin, i cili u sërish u shfaq:
-Do të jetosh në rrethin e katërt të ferrit, ndërsa të tjerët do të të dinë të vdekur! Do të heqësh dhembje njëzet herë më të forta se dhembja më e rëndë që ke përjetuar ndonjëherë në jetën tënde këtu në tokë!
(edhe 0h min 0s)


No comments: