Sunday, September 6

Dielli dhe Rrëketë


Kështu the në mëngjes lart e poshtë në të gjithë qytetin; çfarë shiu ra mbrëmë jashtë, ra dhe brenda shtëpisë...
Kështu the dhe partia e di. Pastaj aq shumë u qullën trarët e vjetër të çatisë, sa kur u gdhi, u tmerruam nga kërpudhat e zeza, që ishin zhvilluar shpërthyeshëm gjatë natës dhe vareshin teposhtë si bolla kërcënuese...
Deshe t'i prekësh njerëzit me kushtet e vështira në të cilat gjoja jeton; deshe t'i revoltosh dhe t'i armiqësosh ndaj pushtetit, por populli ynë revolucionar, nuk e ka mendjen të shqetësimet e tua të vockla prej mikroborgjezi. Republika jonë popullore, është i vetmi vend në botë, që ndërton me sukses socializmin, që çan me sukses rrethimin e egër imperialisto-revizionist, që ka një ekonomi të qëndrueshme, që nuk njeh kriza, inflacion, papunësi, ngritje çmimesh dhe fenomene të tjera negativë, që gërryejnë shoqërinë e vendeve borgjezo-revizioniste. Por ti, duke vënë interesin personal mbi atë të përgjithshëm, përqurresh rrugëve dhe,ç'është më e keqja, merr penën dhe katranos një poemë, që mban titullin e palejueshëm “Dielli dhe Rrëketë”. Përse ti, përgjithëson fare pa të drejtë një ngjarje krejt personale? Sigurisht, që kjo pegerë libreske, s'është veçse një çoroditje ideologjike dhe politike, që shtrembëron me dashje natyrën e pushtetit tonë popullor dhe, njëherësh, edhe marrëdhëniet e pazgjidhshme parti-popull. Por, ç'bëhet, pyesim ne, kush i boton këto shkarravina?
Ne sugjerojmë të mbahet qëndrim i ashpër kritik edhe ndaj redaktorëve të gazetës “Zëri i rinisë”, të cilët, duke u treguar syleshë, botojnë pa hezitim gjithçka u dërgon ky autor. A marrin pjesë rregullisht në orët e edukimit politik këta redaktorë; punë fizike një muaj në vit, bëjnë në bazë?
Po lajmet në mbrëmje, a i ndjekin, apo e kanë harruar një herë e mirë luftën e klasave, të cilën partia e zhvillon brenda gjirit të saj? Nëse do të silleshim kështu të gjithë, Shqipëria, atdheu ynë i dashur, nuk do të quhej më “feneri ndriçues i komunizmit në Adriatik”!
Përse nuk pyesin gazetarët e “Zërit të rinisë”, shkon, apo nuk shkon autokinemaja në fshat, shtypi i partisë a shkon? Përse nuk shkruajnë ata për kishat dhe xhamitë e kthyera në vatra kulture, në depo drithi (domethënë bereqeti...) apo në magazina veglash bujqesore? Apo atyre u bie ndër mend të pyesin në telefon të afërmit dhe miqtë vetëm nëse doli sot terital në mapot ë qytetit?
Ndoshta i rënduam pak si tepër, por ne, duke gjykuar si revolucionarë, mendojmë se është më mirë ta parandalosh të keqën ende pa u shfaqur....
Por të kthehemi të poema në fjalë. Ja, si fillon ajo:
Ndërsa çatia e atdheut tim është
e kaltër dhe optimiste,
Çatia e shtëpisë sime qaramane është...
 
Ç'kuptim kanë këto vargje të mbrapshta?! A nuk është “çatia e atdheut” vetë çatia e popullit? Atëherë, çfarë mëton ky poet (kështu po e quajmë ende), që shkollën ia dha partia? Sipas tij, të gjithë na qenkan keq e mos më keq, ndërsa burokratët e pushtetit na flekan “gjumë të ëmbël” dhe, në mëngjes, ua mbyllkan derën në surrat punëtorëve duarartë, në një kohë që strehojnë gjithë “sojin dhe sorollopin e tyre”. Madje, këta burokratë, të cilëve “do t'ua thyejë dhëmbët dhe dhëmballët klasa punëtore”, paskan degjeneruar deri në atë shkallë sa, “për një cigare me filtër”, të venë përpara një apartament apo një të drejtë studimi për vajzën!!
Ende më keq: autori na bën thirrje edhe neve, që të bashkohemi nën flamurin e tij të rreckosur kundër burokratëve shpirtkazmë (!!!), që po ua thithin gjakun si shushunja njerëzve të ndershëm. Jo, more! Sipas teje, ne të ngrihemi dhe të përmbysim pushtetin popullor dhe diktaturën e proletariatit, që na hapën sytë dhe krijuan njeriun e ri? A, kështu e ke kuptuar ti luftën, që zhvillon partia kundër burokracisë? Vargjet e tua gumëzhijnë haptazi vetëm për anarshi dhe rebelim!
Shoku Jani dhe shoku Zeqo të poemës tënde, nuk mund të mos jenë përgjithësime artistike, por ja, që këto përgjithësime na qenkan negativë. Si kështu, i dashur poet? Si nuk na jep, qoftë edhe një herë të vetme, të drejtën të mendojmë se burokrati Jani apo Zeqo janë “tipa të rastit”?
Atëherë, dëgjo të mësosh nga ne, nesër, kur të mos jetë ende vonë, të bësh një autokritikë të sinqertë dhe, aspak formale!
Sistemi ynë shoqëror, duke qenë pa dyshim më i përparuari në botë, nuk pjell kurrsesi monstra si ata burokratët e tu, apo si ata “pashallarët e kuq, me tesera partie”, more vesh? Madhështia dhe forca e partisë sonë heroike, qëndron te farkëtimi i unitetit të çeliktë me popullin. Në Shqipërinë tonë të lulëzuar, nuk ekziston ndonjë parti, që të rrijë këmbëkryq e të numërojë në mënyrë sentimentale “meloditë diletante të pikave të shiut”. Si e harron ti vallë trekëndëshin monolit parti-popull-pushtet? Ku je molepsur dhe, nga kush? E ha bukën e popullit dhe harron bllokadën e egër imperialisto-revizionistë, që i kanë bërë vendit tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, harron që ushtria jonë e lavdishme, ushtri e popullit ushtar, ruan ditë e natë kufijtë tanë të shenjtë!
Në vend që të dalësh të dielave nëpër lagjen tënde dhe të shohësh se kush nga të deklasuarit, apo edhe nga njerëzit tanë, që nuk i kanë përvetësuar ende siç duhet mësimet e shokut Enver, kanë ngritur ndonjë antenë-armike për televizionin e tyre, ti del e ankohesh tërë kohës, apo u lexon atyre, që pranojnë ende të shoqërohen me ty, shkrimet e tua pa vlerë.
Ato bollat e zeza në tavanin tënd, do të ta zënë fytin një ditë pikërisht ty, që je mbërthyer me thonj pas pronës së neveritshme private dhe s'e lëshon e s'e lëshon, po nuk more më parë paratë. E ku qëlloi ajo karatina jote mu në qendër të qytetit, aty ku partia ka vendosur të ngrejë një kinotatër gjigant, në të cilin rinia jonë, do të vijë e do të futet drejt e nga fabrika, ashtu e veshur me kominoshe, apo drejt e nga fusha, ashtu me lopatën në sup! Po, kush të pyet ty! Një ditë do të t'i ngrenë partallet me gjithë ç'ke...
Por ne, përsëri kemi të drejtë të pyesim: po Sigurimi i Shtetit, ç'bën? Ç'bën kolektivi ku punon ti? Po Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i së cilës ti vazhdon të jesh pa të drejtë?
Turp për ty, që guxon ta quash shok traktoristin, “që qëndis arat”, elektricistin, “që ndez lulet e llambave nëpër shtëpitë tona”, apo muratorin, “që tek suvaton ballkonin e apartamentit të ri, i vjen një dallëndyshe e gëzuar dhe, ngre çerdhen e saj”. Ti je bukëshkalë! Megjithatë, partia, si gjithmonë, edhe në rastin tënd, mund të tregohet zemërgjerë dhe, të ta japë edhe një herë dorën e ngrohtë. Por në mendojmë se ti duhet të dalësh sa më shpejt në gjyqin e popullit dhe të përgjigjesh!

 
Përshëndetje revolucionare nga të rinjtë e gjimnazit “Mao Ce Dun”. 







No comments: