Thursday, October 8

Librat përtokë


Po ecja drejt kafenesë, për t’u ulur ja, atje, te njëra nga karriget ndën gështenjat e egra, kur vura re anës trotuarit dikë që po shpërndante mbi pllakat e hirta disa libra. Ishte goxha burrë dhe atë punë po e kryente me kujdes dhe seriozitet, i bindur, siç duket, se ajo ishte më e dobishme se vetë shtrimi i një tapeti të kuq ceremonial, të cilin e shkelin me hapa të shtrirë karriere burrat e ekzaltuar të shtetit…
Librat mbi trotuar u vendosën, më në fund, të puthitur me njëri-tjetrin, ashtu si edhe pllakat, që të bëhej i mundur leximi i titujve dhe autorëve të tyre dhe, unë teksa kisha ndaluar, fillova t’i këqyr me vëmendje dhe kërshëri. Ja, një librari ambulante, i thashë vetes me shpoti; i shkreti libër! Po përse i shkreti libër? A nuk t’i sjellin, tashmë, tregtarët mallrat e tyre mu përpara hundës, aq sa nganjëherë pengojnë edhe lëvizjet e kalimtarëve? Kështu lypset në ditët tona, përndryshe, malli që mbahet brenda mureve të dyqanit, të mbetet pa shitur, sepse nuk josh blerës. Ja, shihi këto femrat që venë e vinë pa pushim; gjoksi jashtë, kërthiza jashtë, pantallonat krejt tejdukëse, aq sa shihet gjithçka pas tyre, meqë brekët nuk mbulojnë më gjë, sepse s’janë veçse një kordon i lakuar…
Po, po; çdo gjë jashtë, mu në mes të këmbëve, mu përpara syve. A nuk ka ngjallur televizioni një psikologji të papërmbajtshme ekzibicionizmi?
Nisa të lexoj titujt dhe autorët: Karl Marks/ Teoritë e Mbivlerës. Servantes/ Don Kishoti. Kalinin/Mbi edukimin Komunist. Fan Noli/ Topi i Lidhur/ Ismail Kadare/ Ëndërr Mashtruese. Fatos Arapi/I Përkasim Komunizmit…
Pa shih, pa shih; nuk mungonte pothuaj asnjë nga poetët dhe prozatorët e hierarkisë sonë letrare, të cilët, të shpenguar prej marrëzisë, që i ka ndezulluar, janë në një sherr të madh mes njëri-tjetrit, për zënien që së gjalli të vendit të parë. Dhe, janë po ata që i përkisnin atij rregjimit, të cilin, si matufër që jemi, besojmë edhe sot e kësaj dite, se e kemi shembur dhe asgjësuar përfundimisht, duke harruar se, udhëheqësit e tij shpirtërorë mund ta klonojnë një ditë lehtësisht, nëse do t’ua dojë qejfi. Çfarë çudirash shqiptare! Dhe shih ç’tezë kanë shpallur këta farë hierarkësh: realizmi socialist duhet të sulmohet dhe të poshtërohet pikërisht nga vetë shkrimtarët e realizmit socialist!
Çdo libër, i hedhur përtokë, kushtonte vetëm 100 lekë. Si Linja 150, mendova, ku mund të blesh me të njëjtin çmim edhe një furçë dhëmbësh, edhe një shenjtor të vogël prej allçie të bojatisur. E pra, edhe Marksi, edhe Don Kishoti, një çmim kishin: 100 lekë…
Por nuk po e kuptoja, përse po tregohesha aq shumë kureshtar? Aha; po sikur të ishte edhe ndonjë nga librat e mi ja, aty mbi rrasat e ftohta, ndonjë nga librat e mi me një dedikatë përplot shpërthime poetike dhe e shkruar dridhshëm nga emocioni? M’u kujtua episodi i librit të Bernard Shout, i cili shkoi dhe e gjeti pa dashur te një bukinist me gjithë dedikatën që i kishte bërë mikut të tij mosmirënjohës dhe, për pak sa nuk qesha me zë.
-Kë dëshironi të blini, zotëri? – m’u drejtua me përulësi të tepruar shitësi ambulant.
-S’e di. Një herë për një herë vetëm po shoh. Po a mund t’ju pyes, nga i keni siguruar gjithë këto libra? Mos ia keni blerë ndonjërit që ka ikur ndërkohë me lotari në Amerikë, apo në Kanada? Sepse largohen fatlumët dhe, ja çfarë librash na lënë ne këtej…
-Jo, jo; janë librat e një magazine, që u boshatis urgjentisht dhe, u rimbush me kafe dhe cigare; kështu mora vesh.
Shumë mirë, shumë mirë sepse, hajt ta pësoje si Shou sarkastik, megjithëse shqiptarët janë marifetçinj dhe, e heqin fare faqen e frontespicit, ku mund të jetë hedhur me bukurshkrim dedikata…
Nuk vendosa të ble ndonjë libër, prandaj u ktheva dhe u ula te një tryezë fare pranë librave të shpërndarë mbi trotuar, që rrezikoheshin veç të tjerash, të shkeleshin nga këmbët e kalimtarëve, që i hidhnin kuturu. Por u befasova, kur vura re se, pas pak, përreth tyre u grumbulluan mjaft njerëz. Përkuleshin për t’i parë, ashtu siç duhet të përkulesh për të parë çdo gjë të shtrirë përtokë, por në fund largoheshin pa blerë gjë.
Sakaq, mbërriti edhe miku im dhe porositi shpejt e shpejt kafenë dhe ujin e gazuar. Atë çast, një grua e shëndoshë, gjithë fjongo dhe lidhëse, që llastohej ende si koketë e vonuar, ndaloi me vështirësi përpara librave, sepse mezi e përballonte tërheqjen që ushtronte ndaj saj qeni i madh që e shoqëronte.
-A e keni librin “Zonja me Kamelie”? Po librin “Bija e Mallkuar”? Po ç’libra keni atëherë ju! – dëgjova se si u habit e indinjuar zonja me qen.
-Ja zonjë, këto që shihni…
-Po te kjo çanta e zezë, aty rrëzë pemës, ç’libra ke? T’i shoh edhe ato që ke aty brenda!
-Këto që shihni përdhe janë edhe aty brenda në çantë, zonjë, më kuptoni; unë për t’i shitur i kam të gjithë: “Gjëmojnë Kontinentet”, “Dekameroni”, “Përballimi”…
Ndërkohë, qeni i madh pa mëgojzë, i hodhi putrat e para mbi libra, a thua se po përpiqej t’i shfletonte, por zonja e vuri re dhe e qortoi ëmbëlsisht.
-Jo ashtu, shpirti i mamit, jo ashtu! Si jemi zotuar: të sillemi mirë dhe, veçse mirë; e pra!
Qeni u tërhoq menjëherë, por dukej se po bezdisej nga të ndenjurit në një vend, kot së koti.
-Ah, racë e keqe, racë e keqe! I thua edhe shpirti i mamit, palé! Gjer dje e mbaje frymën tënde gjallë me një tallon të qelbur, kurse sot shkon e i ble qenit mish të freskët, apo edhe lloj-lloj sallamrash…
-Mos u nxeh dhe mos shfry! – më përmbajti miku im – Lëre qyqen, sepse atë qen ka. Me të i gdhin ditët, me të i ngrys; burrin dhe fëmijët e saj janë hallakatur prej vitesh nëpër Europë.
-Shih, shih…
-Por, po më bën përshtypje fakti se askush nuk po ble, qoftë edhe një libër të vetëm. Të gjithë veçse shohin. Njëqind lekë për kafe dhe ndonjë gjë tjetër pas kafes, e prishin pa hezituar, kurse për të blerë një libër e vrasin mendjen shumë.
-Ndoshta kërkojmë ndonjë libër që flet kundër tërë librave. Është botuar ndërkohë një i tillë?
-Ç’thua, të lutem! Por ja, këta janë njerëzit, këta që sheh çdo ditë nëpër rrugë dhe nëpër kafene. Kush prej tyre të duket si lexues?
-Më fal, por asnjeri. Të gjithë janë të shqetësuar veçse për të mbijetuar dhe për të harruar disi hallet pas sportit dhe atyre telenovelave idiote të përditshme.
-Ha ha ha! Përherë m’i zë në gojë ato telenovelat. A mor’ i shkretë, sa jashtë kohës je! A e di çfarë dëgjova rastësisht në televizor, para se të vija këtu? Gjeje, kush është dashnori aktual i Silvanës në telenovelën Ah, kjo dashuria, e pyeste drejtuesja e një konkursi të ftuarin në studio. Konkurruesi, një çunak i ri spitullaq, e gjeti, sigurisht, pa u menduar fare dhe, kësisoj fitoi një magnetofon, apo një celular; s’e mora vesh mirë…
-Të kishin guxuar ta pyesnin atë gjysmëgjelin për autorin e ndonjë libri, atëherë të shihje ti se sa do të ishte në gjendje ai të përgjigjej saktë.
-Autorin e ndonjë libri? Dhe ti vret mendjen që të zgjedhësh një për një fjalët, kur shkruan, përpiqesh t’i ringjallësh të harruarat padrejtësisht, duke krijuar herë - herë edhe të reja.
-Ç’të bësh; kjo me sa duket, është zeja jonë e vetme. Ja, që këtë punë mësuam të bëjmë. Por ka nga ata radikalë të poshtër dhe të papërgjegjshëm, që kanë thënë fjalën e fundit: nëse teksti letrar, çfarëdo qoftë ai, nuk shërben si lëndë e parë për spektaklet televizivë, apo për filmat, atëherë, për çfarë tjetër mund të shërbejë?
-E, ç’fjalë e fundit? A e di ti se nuk e kanë dhe aq keq ata? Por, s’të pyeta; a e ke takuar këto ditë? Këto ditë që i ka dalë një emnak killer? Mendo çfarë situate: dy vetë me të njëjtin emër, njëri poet, tjetri kriminel. Në fillim, siç më treguan, qenkësh bërë nervoz, madje është ndjerë i terrorizuar, duke e dëgjuar ditë të tëra emrin e tij nëpër emisionet e lajmeve, apo duke e parë me shkronja të mëdha në faqet e para të gazetave; por pastaj paskësh nisur të argëtohet; madje edhe të trimërohet. Më kanë thënë se bën shaka nëpër kafene, shaka për t’i dhënë, me sa duket, zemër vetes, duke thirrur me zë kërcëllitës: e shihni ç’emër kam unë? emër të vërtetë cubash…
-Shih, shih budallai! Në vend që të ngutet për ta botuar sa më shpejt që të jetë e mundur atë librin që ka në shtypshkronjë, shkon e thotë marrëzira lart e poshtë. Ta botojë librin dhe, ke për të parë po nuk iu shit menjëherë. Njerëzit, të intriguar së tepërmi (ndërkohë, policia po e ndjek këmba – këmbës vrasësin) do të rendin ta lexojnë, të prirur për të gjetur kushedi se ç’lidhje të pashpjegueshme midis emnakëve…
-Bukur!…
Pas disa ditësh, tek po shkoja përsëri te kafeneja, vura re gjethet e para të verdha majë gështenjave të egra. Ishte një e verdhë tërë rrëzëllima të largëta drite. Ah, nostalgjia e vjeshtës, për të cilën gjithmonë mund të shkruash diçka…
Ashtu, përplot ëmbëlsi në shpirt, iu afrova librarit ambulant, që vazhdonte punën e tij të nderuar në trotuar dhe, e pyeta:
-Hë, si ka shkuar shitja e librave?
-Mirë, le të themi. Për shembull, Teoritë e Mbivlerës i Karl Marksit ka ecur mjaft, por se ç’ka nxjerrë një libër ai vrasësi i atij kolonelit të policisë; e bleve?…


2003

No comments: