Tuesday, October 5

Një gomar më pak



Kur u hodha në trotuar, m'u duk sikur dola në breg dhe, i shpëtova më në fund ca kafshëve të tmerrshme uji, që më ishin lëshuar pas, për të më kafshuar.
Këtë ndjesi më krijuan makinat e papërmbajtshme, me lloj-lloj turinj, tek ulërinin duke fërshëllyer rrotat dhe duke pulsuar gjithë kërcënim dritat e kuqe. Megjithatë, nga dolën tërë këto makina, që shumëzohen e shumëzohen, mu si ato egërsirat në një mjedis ku është prishur ekuilibri natyror?
Posi, e çfarë nuk po shtohet tani, çfarë nuk po vërshon, duke prishur çdo ekuilibër natyror! Sa pallate betoni po lartësohen vazhdimisht, duke e zhdukur dhunshëm blerimin, duke e mbyllur horizontin dhe, duke e shkurtuar vështrimin! Diellin, tashmë, nuk e shoh të lindë që nga kreshtat e maleve, por që nga tarracat e pallateve përplot antena parabolike që dialogojnë me qiejt pa pushim...
Përditë po e dënon njerëzimi vetveten, paçka që në teori çdo gjë parashtrohet saktësisht! U futa në rrugën me rrape të mëdhenj dhe, m'u ngroh shpirti, por tek po ecja përgjatë trotuarit, pashë në oborrin e gjerë, që shtrihej përpara zyrave të një institucioni evropian, një gomar, që kulloste i kënaqur mes një bari të bukur dhe të paqtë si ai i manastireve. Luante nga pak veshët e gjatë, hante me nge dhe shije të veçantë kullotën evropianë (që gjithsesi, përfshihej brenda kufijve juridikë shqiptarë) dhe drita e tepërt e mesditës ia praronte trupin e shëndetshëm, të pavrarë dhe të pashëmtur nga samari dhe barrët.
Një gomar në një mjedis zyrtar evropian, ku hynin e dilnin tërë ditën e ditës lloj-lloj personalitetesh nga i gjithë kontinenti. Sa do të desha ta dija: a bëhej ndokush kureshtar, kur zbriste nga automobili i tij luksoz, për të parë gomarin mes parcelës së blertë? A ndalej një çast dhe, a mendonte? Unë për veten time, unë, ndala. Ndala dhe fillova edhe të meditoj...
Kulloste gomari, por, kuptohej lehtësisht që ishte i ngopur. Dhe sa i pastër! I ndriste qimja tej e tej njëlloj si flokët e lyera me vaj: ngrinte lart kokën e rëndë, sa herë donte të pushonte së ngrëni dhe, nuk pallte. Madje, nuk besoj të ketë pallur ndonjëherë aty, poshtë dritareve të atyre zyrave. Shihte me ca sy të butë prej shenjtori vetmitar dhe çapitej ngadalë nëpër bar.
Kush kish propozuar fantazisht për të vendosur një gomar në sfond të zyrave evropiane? Mos ndoshta vetë shefi i institucionit? Nëse ishte vërtet kështu, atëherë, çfarë përfaqësonte për atë ky hajvan i përhershëm, për të cilin paguanin edhe edhe ndonjë kuadër, që të kujdesej me përkushtim? Apo shefin, në moshë paksa të thyer e kishte zënë një dembeli seksuale dhe, ereksioni monumental i gomarit e shkundte? Në Evropën klasike, që tashmë është në apogje të zhvillimit industrial dhe kulturor, askush nuk të fyen duke të quajtur gomar. Pra, ka mundësi që, shefi i institucionit prestigjioz ta ketë gomarin kafshën e tij të preferuar dhe, ndonjë ditë, që do të ketë qëlluar me humor të mirë, ka dhënë urdhër t'ia blejnë një e, ta lëshojnë në barin që gjer ahere shkonte dëm.
Por gomarët nuk preferohen nga vendasit, mund t'i ketë pëshpëritur më vesh ndonjë këshilltar me devotshmëri. Gomarët?
Po gomari është kafshë e hijshme, e zgjuar dhe madje fisnike!
Po afresket që shfaqin lindjen e Krishtit? Te të gjitha, pa përjashtim ndodhet gomari i bindur dhe i nevojshëm. Le pastaj, ajo emblema e asaj partisë së famshme amerikane! Blini pra një gomar dhe caktoni një njeri të aftë të merret me të...
Vërtet? Apo mos ndoshta ai qilimi i gjelbër bari, me atë gomarin në mes, ishte për ndonjërin një ekzotikë tipike shqiptare?? Një Shqipëri ne miniaturë? S'e dinë këta të institucioneve që Shqipëria ka ndryshuar aq shumë sa s'njihet më? Nostalgjikëve të Evropës, emisarëve të saj politikë dhe ekonomikë, që vijnë me tepricë te ne, atyre iu pëlqen një tjetër Shqipëri. Gjithnjë iu ka pëlqyer një Shqipëri tjetër! Me ritin e gjakmarrjes, si inerci e luftërave të përhershme, të zhvilluara gjithë romantizëm, me fshatra idil primitivë, ku këndon këndesi dhe rrëmihet toka me parmendë druri, e tërhequr edhe nga gomarë (!)
Mirëpo, institucioni është fundi i fundit një përfaqësi evropiane; jo shqiptare. Prandaj mos prisni të shini një kalë në vend të gomarit të pafajshëm.
Ika nga gomari e, pas disa ditësh munda të pyes një nga shqiptarët që punonte tek ai institucioni me atë gomarin episodik.
Sa shumë e paske vrarë mendjen ti, më qortoi bashkatdhetari. Një ditë prej ditësh, ai gomari, i ngratë, kish humbur të zonë, dhe duke rendur i trembur nëpër rrugë, ngaqë e kishin zënë me gurë, gjen këtë barin këtu dhe hyn brenda. Hyn dhe meqë askush nuk i tha gjë, ai kullos sot e kësaj dite aty, ndërsa i zoti s'i doli që s'i doli...

No comments: