Sa shumë e adhuronte ai shkrimtarin e shquar KD, sa shumë! Po, por shqetësohej, kur i përfilleshin ndër mend njëherësh gjithë librat e tij të pambarimtë, gjithë suksesi i tij kombëtar dhe ndërkombëtar, çmimet e rëndësishme që kishte fituar herë pas here që nga Franca Anglia Gjermania, e deri në Amerikë; shqetësohej rrëmbyeshëm, rrëqethej, nervozohej dhe, fillonte të urrente egërsisht.
Nyjat e trupit, që lart në qafë e deri poshtë te gishtat e këmbëve, si edhe krejt muskujt, nisnin t’i dhembnin seriozisht, a thua se i fryheshin dhe i enjteshin nga një zjarrmi e brendshme në rritje, balli sa nuk i çahej dhe, për aq kohë sa i zgjaste ky trazim në organizmin e tij si të përbërë tërësisht nga një tretësirë acidesh, kishte frikë ta këqyrte fytyrën e tij në pasqyrë, nëse do të qëllonte t’i ndodhej një e tillë pranë në ato çaste, sepse i bëhej sikur tek ajo nuk do t’i shfaqej vetvetja, por një shtrigan i lig.
Urrejtja, që ia përmbyste adhurimin, adhurimin që ngjitej gjer në një idolatri të plotësuar, e cila kishte për tempull pikërisht shtëpinë e KD, i shkaktohej nga dobësia e zilisë dhe, e nxiste deri aty sa të mendonte edhe vrasjen e idhullit.
Ndihej fare i vockël në ato çaste përballë KD dhe, i vente mendja rrjedhshëm te vrasja , te një vrasje gjithsesi naive dhe e stisur, sipas ca skemave të njohura filmash, por pa u zbuluar kurrsesi autori i krimit dhe, kësisoj veprimtaria vërshuese e KD të shteronte, më së fundmi, dhe ai, shkrimtari ende i panjohur dhe i pavlerësuar, të merrte frymë thellësisht dhe të çlirohej si nga kthetrat e një demoni. O, atëherë do ta adhuronte i përgjëruar dhe gjithë patos KD...
Sepse mitizimi, ai i vërteti,ai i qëndrueshmi dhe, i përhershmi, a nuk u fillonte gjithmonë njerëzve të mëdhenj, veçse pas vdekjes, sidomos pas vdekjeve të provokuara dhe, jo aq të atyre për shkaqe natyrore?
Bronzi i monumenteve a nuk derdhej sipas anatomisë së tyre veçse atëherë; emisionet për ta, romanet, këngët, arti në përgjithësi, a nuk shpërthente për ta pas vdekjes?
Atëherë të donin të gjithë, atëherë të pranonin, kur nuk të hasnin më në të njëjtën udhë, në të njëjtin autobus, apo në të njëjtën zyrë, të veshur mirë, apo keq, xhentil apo arrogant. Atëherë, atëherë të dëshironin, kur nuk u ngatërroheshe më nëpër këmbë dhe, ishe çliruar sakaq nga pesha vulgare dhe e humbshme e materies tënde, dhe kishe mbetur veçse shpirt i dëlirë...
E adhuronte e urrente ai KD, e urrenteadhuronte, e megjithatë nuk i ngjante aspak atij fanit të shkurdisur të Xhon Lenonit, të cilin vajti dhe e vrau mu te dera e shtëpisë...
KD le të rronte sa të donte, domethënë, aq sa ç’ia kishte prerë ditën i madhërueshmi, sepse ai, jo vetëm që nuk ishte nga ata që vriste, por as nga ata që godiste njeri me grushte. Por ja që, njeriu që të ndërmarrë disa veprime të caktuara, çfarë nuk rrotullon në mendje vetmevete, çfarë nuk fantazon; nga sjelljet më të virtytshme, deri tek ato me të mbrapshtat, më të pamoralshmet e më të dënueshmet. E rëndësishme është se, sa arrin të vetëpërmbahet dhe, çfarë realizon...
Sa i zakonshëm dukej KD në rrugë; as mjekër, as kapele, asnjë lloj kapeleje, as çantë dhe, as të ecur prej fodulli. Dhe kështu nuk të jepte asnjë lloj shansi për ta imituar, ndërkohë që ai kishte shumë nevojë ta bënte këtë. Nëse nuk e njihje KD, as që të vente mendja se, ishte një shkrimtar, pale një shkrimtar i shquar, i njohur dhe i respektuar në mbarë botën. KD ishte pa dyshim burrë i zoti; e krijoi vetë personalitetin e tij letrar, ndryshe nga shumica e shkrimtarëve dhe artistëve të vendit të tij dhe vendeve të tjera komuniste, të cilëve, personalitetin ua fabrikoi Partia...
Kurrë nuk u tjetërsua ky njeri, kurrë nuk e ndryshoi paraqitjen e jashtme. Siç duket ndihej rehat dhe i pëlqente rutina dhe njëtrajtshmëria si mënyrë jetese, të cilat i siguronin qetësi dhe, e mbronin nga andrallat dhe ngacmimet e kota, duke ia larguar edhe vëmendjen edhe kureshtjen e tepruar dhe bezdisëse të njerëzve meskinë, me të cilët ndeshesh në udhë, apo kudo gjetkë...
Si ta imitoje atëherë këtë idhull, si t’ia kapje taktin dhe, të shënoheshe në përditshmërinë e tij? Fjala vjen, nëse KD do të mbante mbi krye një republikë, e vije edhe ti një të atillë mbi kokën tënde dhe, njerëzit do të nisnin të komentonin; ja, ata të dy, jo vetëm letërsinë e kanë të njëllojtë, por edhe kapelat i mbajnë të njëllojta, posi, posi...
Por KD nuk të linte asnjë shteg të hapur, më keq se ajo ushtria e disiplinuar dhe e ngjeshur fort.
Po në shtëpi, në mjediset e saj të brendshme, si rrinte vallë KD? Po në studion ku krijonte? A vishte pizhame, siç është bërë zakon i çuditshëm në Shqipëri dhe, a mbathte në këmbë pantofla të ngrohta ? Apo vishte, pa e vrarë mendjen fare, ndonjë palë tuta sportive, apo çfarë t’i nxirrte e shoqja e përkushtuar pas tij nga dollapët.
Sa për mënyrën se si shkruante, thoshin se, nuk përdorte kompjuter, por një stilolaps dosido shkollarësh. Dhe nuk rrinte ulur në karrige më tepër se tri – katër orë në ditë...
Por një ditë, tek po vërtitej nëpër labirintet shumëngjyrësh të një supermarketi, sheh KD! As me çantë , as me dosje e as me ndonjë libër, por me një karrocë dore, të cilën e tërhiqte nga pas në qejf të vet. Sa e habitshme dhe sa e pabesueshme; ja, pra përse, nuk u besohet syve nganjëherë.
Sa jashtë vetes, sa jashtë vetes! Mund të pyesje pa frikë kë të doje dhe, askush prej tyre nuk do të të dëshmonte se, e kishte parë KD, qoftë edhe një herë të vetme të blinte në dyqan, le të themi, një kilogram mollë …
Atëherë, si kështu? O, pa le ku do ta kishte të shoqen; ndoshta ajo nuk do të qe kthyer me atë në Shqipëri? Ose, ose, i ndrydhur nga rregulli dhe, i velur nga mirësjellja, herë – herë edhe false e atyre metropoleve, te të cilat jetonte më të shumtën e kohës, po përse jo, i sfilitur dhe i sëmurur nga ethet djegëse të krijimit të pandërprerë, ka dalë me vendosmëri nga studioja për t’u çlodhur ca, duke ndërprerë çfarëdolloj lidhjeje me mediumin e tij frymëzimdhënës; po po; sa kushtojnë këto ju lutem, oh dy edhe dy bëjnë katër katër edhe katër tetë, oh sa thjeshtë, oh sa bukur…
Po çfarë kishte blerë? Çfarë preferonte, fundi i fundit, të hante KD? Çfarë kishte hedhur sakaq në karrocën e dorës? Sa fat i madh, sa fat i madh; ja pa pritur e pa kujtuar, ashtu siç ia do bytha fatit.
Por KD as që e njihte fare atë për fytyrë, dhe ndoshta nuk e njihte as si shkrimtar, çka do të qe edhe më trishtuese. Megjithatë, aty nëpër dredhat e supermarketit, do t’i afrohej me kujdes, duke e ndjekur hap pas hapi, por edhe duke e çikur herë - herë si pa dashje, sepse nuk do të përmbahej dot.
Por si nuk kishin gëluar ndërkohë gazetarët, si nuk po e rrethonin e t’i merrnin frymën me breshëri pyetjesh? Si iu kishte shpëtuar?
Asnjëherë s’e kishte pasur kaq pranë dhe, kaq për vete idhullin e tij dhe, pikërisht siç do ta dëshironte; në një sjellje private të jetës së tij, qoftë edhe paksa të rëndomtë dhe prozaike, si kjo e ecejakeve nëpër supermarket me një karrocë dore nga pas, jo në një çast solemn, zyrtar dhe festiv, me atmosferë të shpifur.
Por sa mirë që po kryenin në të njëjtën kohë, të njëjtën punë; pazarin. Dhe, kjo të jepte nganjëherë mundësinë që, edhe të mendoje të njëjtat gjëra dhe të bije në rezonancë...
Sa kureshtar ishte veç të vështronte se, çfarë kishte hedhur në karrocë? O, një bukë të zezë goxha të madhe, (bobo, kush e gllabëron gjithë atë!) një shishe vaj luledielli dhe, një tufë presh. Një tufë presh!
Ku ishin verërat e rralla, aragostat proshutat dhe djathërat gjithfarësoj? Apo, e thamë njëherë; i mërzitur me të gjitha, kishte zgjedhur si kontrapunkt të tyre preshin...
Si t’ia bënte? Atij vetë as që i kishte vajtur ndonjëherë në mendje të hante presh. Por ja, me sa dukej, duhej ta hante...
2000
No comments:
Post a Comment