Tuesday, October 5

Aksinja



Unë nuk kam shkruar kurrë ndonjë tregim, prandaj mos më nxit kot, sepse edhe këtë ngjarje nga jeta ime veçse do të ta them ty, dëgjoje dhe, po të pëlqeu, bëje një tregim...
Kur më çuan për riedukim në fshat u vrerosa shumë në fillim. I humba të gjitha, thashë. Por, sa mirë që ty nuk është nevoja të ta shpjegoj se çfarë do të thoshte atëherë “riedukim”; mos qesh hidhshëm, sepse e marr me mend se ç'do të thuash...
E pra, kur më çuan për riedukim në fshat, masa e parë që mora ishte ngritja e një biçiklete; prit duro! Jam plotësisht i saktë; ngritja e një biçiklete...
Po shprehem kështu, sepse ky kunati im më dha një trup të vjetër “Robusto” dhe dy disqe të ndryshkur. Të tjerat gjeji vetë, më tha. E sheh! M'u desh vërtet të ngre nga e para një biçikletë. Dymbëdhjetë kilometra në ditë, i dashur mik; gjashtë qytet-fshat dhe gjashtë fshat-qytet. Dimër-verë!
Dhe, ke pare ti! Edhe kur nisesha herët në mëngjes, edhe kur kthehesha pasdite vonë, erën e kisha gjithmonë kundër. E di, e di, që meteorologët do të më thoshin “shko, ore pirdhu!”, por ja që është pikërisht kështu siç po ta tregoj unë; mezi i jepja biçikletës: zhdrak e zhdrak gjithë rrugës. Le që pastaj sa herë jam ftohur keq e mos më keq!
Në fshatin riedukues, duhet thënë që në fillim, se më pritën mirë, paçka se mua më binin në fytyrë ca djersë të yndyrshme shqetësimi. Çfarë pyete? A kam prashitur apo kam korrur ndonjëherë? Posi; madje kam hedhur nëpër ara edhe komposto fekalesh, mut, me një fjalë, i dashur. Sa mirë që nuk të vjen për të qeshur! Pas kaq vitesh edhe mund të qeshje.
Fshati ishte vërtet i bukur. Kishte tokë të begatë, pemë të mrekullueshme, lloj-lloj zogjsh, hije, lumë me shtrat të gjerë dhe të shtrirë, gjithë zaje vezulluese dhe brigje me ferra e shelgje, që lëshoheshin e lëshoheshin...
Unë nuk e kruaja me njeri, më kupton? Dhe flisja fare pak; vetëm kur më duhej të përgjigjesha apo të sqaroja ndonjë gjë te domosdoshme. Mirëpo, edhe ky vetëkontroll, nuk më pengoi të vija re një grua që punonte në brigadën tonë. M'u desh ta shoh vetëm një herë, për të mos ia ndarë më sytë. O Zot! Psherëtiva thellë, gjeta një motiv tërheqës për të ardhur ca si me qejf në kooperativë! Si? E sajova nga e keqja? Jo dhe aq; ke për të parë...
Ishte e stërmadhe, por lëvizte sikur trupi i saj të përbëhej prej një muskuli të vetëm. Tundte bythët; i tundte fort e fort, pa pasur pikën e mëshirës. Po, ç'të bënte e shkreta! Ku ecej dot pa i tundur ato bythë të mëdha!
Merre me mend! Edhe pse vishte pantallona dhe, njëherësh, edhe njëfarë fundi përsipër, ato i dukeshin të bukura, gjithë rrumbullakësi ngacmuese dhe të larta, a thua se ecte gjithë hijeshi mbi taka. Të pëlqen bari djalosh? I mrekullueshëm është vërtet, ashtu i blertë dhe i njomë, shtrirë mes drurëve, apo fushës që e përkëdhel era, por mua më pëlqente trotuari prej betoni i qytetit atëherë. Por, ç'po thoshim? Ajo, o Zot! Tundej e shkundej dhe, pulpat që i zbuloheshin nga përveshja e pantallonave gjer afër gjunjëve, i kishte të bardha dhe të harkuara gjer te kaviljet. Gjoksi i madh i lëkundej kompaktësisht dhe nuk merrej vesh se me çfarë e përmblidhte. Nganjëherë dekolteja; ta përdorim këtë fjalë? Pse jo? E pra, dekolteja e thellë i zbulonte një lëkurë të ndritshme dhe të lëmuar, të cilën ia kishte dhuruar bujarisht natyra.
Një ditë, pasi përshëndeti të gjithë me atë mënyrën e vet provokuese, m'u kthye mua: e more, ti i qytetit...
Nuk të besohet sa shumë nuanca aluzionesh vibrojnë në të folurën e fshatarëve. Askush nuk të shpotit më hidhur se ata. Si? Desh të kruhej, ke të drejtë, por të thashë, unë isha me karton të verdhë, në mos më keq. Megjithatë, të ndiqje sjelljet e saj, ishte një kënaqësi e veçantë, një terapi e dobishme. Në fshat, i dashuri miku im i vëmendshëm dhe, në përgjithësi, në tërë provincat, njerëzit janë, pa përjashtim, me karakteristika të përcaktuara saktë. Nuk ke nga ia mban në atë mjedis të ngushtë; nuk kamuflohesh dot. Pastaj, kur të marrin vesh se kush je, të pranojnë ashtu siç je dhe, shpesh bëhesh edhe proverbial. E tillë ishte edhe ajo. Seç kishte një emër fare të shkurtër, por unë ia vura Aksinja! E sheh! Të pëlqeu edhe ty. Menjëherë Shollohovi vetë do të buzëqeshte zemërgjerësisht tek do të kërkonte të pinte një shishe të uruar vodke. Por unë, morracaku, duhej të sillesha në mënyrë shembullore dhe të mos e kaloja as nëpër mend një aventurë me Aksinjën.
Si? Ndoshta ke të drejtë; nuk do ta hap më parantezën e të ndenjurit urtë. U teprua.
Vazhdojmë; ishte prill, bretkosat kuaknin ndanë lumit, zogjtë fluturonin ulët mbi ara dhe ndalnin mbi plisat e kthyer, shtrëngatat shpërthenin herë pas here, teksa gruri ishte në qumësht. Aksinja, ah çfarë Aksinje e vërtetë! Nuk përqendrohej dot më! Faqet e prushta i zinin pothuaj puçrriza të imëta dhe sytë e zmadhuar dhe vetëtitës të ndillnin paturpësisht. Lëshohej shtegut si një kafshë e bukur me vithe të djersitura dhe të ndritshme, që azdiset gjithë kërcime dhe humbte mes pëshpërimave të shelgjeve, tutje në lumë. Kështu ikte i gjithë prilli, i shkreti ti, ethet erotike e mbërthenin Aksinjën, sapo hynte ky muaj dalldisësh. Po. Dalëngadalë edhe unë u forcova fizikisht së tepërmi dhe, nga fytyra më iku “zbehtësia e qytetit”.
Kur do të na largohesh nga kooperativa, më pyeti një ditë Aksinja. Si nuk i hodhe sytë një herë tutje hundës tënde, o i shkretë; vazhdoi, je edhe goxha gazetar! Nuk i ktheva përgjigje, por vetëm tunda kryet i brengosur.
Por ti, a më beson, qe kisha filluar ta dashuroja dhe të bëhesha xheloz për të? Sinqerisht! Po, sa mirë që nuk zgërdhihesh. Të nesërmen në mëngjes u lëshova përsëri drejt kooperativës sime të shtrenjtë dhe erën, sigurisht, e kisha përsëri kundër. Kisha frikë se mos më shpohej ndonjëra nga rrotat, sepse kopertonat e biçikletës ishin tepër të përdorur dhe vende-vende të qepur, si opingat. Mezi gjeje kopertona të rinj atëherë; ti e mban mend. Në kooperativë mbërrita shpejt. Plehrat kimike, pesticidet dhe insekticidet ishin produktet që urreja më shumë dhe atë mëngjes, për dreq, pikërisht me shpërndarjen e tyre po merreshin. Brigadieri thirri Aksinjen, kinse me ashpërsi dhe, kur ajo u afrua, na u drejtua të dyve: do të shkoni të qëroni kanalin pas vreshtës, jua tregoj unë ku ndodhet, duro ti lakute e dreqit! (ti grykëse, me një fjalë...) Kanali është mbushur dhe ka zënë lëpushka anëve. Prit, t'ju çoj atje Culja. Cule! Hajde këtu more lakoç! Merr karrocën shpejt dhe hiqmu nga sytë!
Pse më thua gjithmonë lakoç, u nxeh Culja, unë ia fus edhe pelës po të dua; ti më quan lakoç...
Në karrocën, që na kalamendte si për të luajtur, u ulëm përballë njëri-tjetrit. Midis këmbëve kishim veglat e punës. Ah, ç'vegla! Pa le ç'këpucë kishim mbathur. Thundra të vërteta, te lerosura me baltë e bajga bashkë. Po, po, miku yt elegant dhe e dashura e tij, që i hidhej gjoksi si baticë deti.
Atë mëngjes fëshfërimës, flladi i krihte arat gjithë kujdes dhe, kikat e njoma dhe te qumshtëzuara të grurit përqafoheshin e ndaheshin sipas një ritmi dehës. Karrocieri, që nuk pranonte të ishte i kredhur, na la një zabel me drurë të ndryshëm, nga ku nuk shihej kanali kullues, prandaj m'u desh një moment për të gjetur anën e zgjatjes së tij. Aksinja ndërkohë kishte lëshuar veglat dhe çantën e saj të madhe rrëzë një akacieje dhe ishte ulur vetë. Nga do t'ia fillojmë? iu drejtova Aksinjës. Bobo! ç'pyetje bëra, thashë me vete në çast dhe prita që ajo të më kthehej me: nga e sat ëme!...
Më është dhjamosur truri këtu te ju, i thashë dhe qesha me gjithë shpirt. Ishim përsëri balle për ballë, ajo e mbështetur pas akacies, unë i ulur këmbëkryq si shkronjësi egjiptian i Luvrit.
Sa e bukur dhe sa e pavetëdijshme ishte Aksinja! Më shpartallonte pavetëdija e saj! E mbërtheva vrullshëm nga krahët dhe, pothuajse zvarrë-zvarrë shkuam dhe u zhytëm mes barit dhe drizave. Aksinja më godiste fort me grushte, më kafshonte përvëlueshëm, ku të mundte dhe, më shante tërë kohës. Më pas filloi të rënkojë mbyturazi dhe thellë, teksa sytë i mbante hapur, gati të shqyer, por, të siguroj se ajo nuk shihte asgjë me ata sy...
Ore, filloi, po edhe ju të qytetit njëlloj e bëki këtë punë?! Kështu më tha, mos u zgërdhi, por a e merr me mend se me ç'ton ma tha? Sikur s'ishte ajo që pak më parë gërvishte qiellin me gishtërinjtë e këmbëve.
Pas disa muajve u caktova mësues në një shkollë tetëvjeçare të qytetit dhe, me punën që beja më dukej (ç'budalla) e pa meritueshme buka që haja. E çfarë se! duke kryer punën fisnike të mësuesit... Por, ti më kupton; mësimdhënia për mua ish si punë çiliminjsh para ferrit në kooperativë, ndonëse edhe aty, Zoti i lumnueshëm, e kishte hedhur një mëkatare...
Aksinja? Ah, kurrë nuk do t'i harroj ethet erotike te saj! Sa shumë m'i pakësuan vuajtjet e ri e du ki mit lidhjet me të! Hiperbola e Aksinjes të tregonte se ka jetë; se ka vdekje, ti e dije vetë.


2001

No comments: