Tuesday, October 20

Byroistja



Do të shkonte në Tiranë dhe, shtëpia e saj e re, tashmë do të ishte një vilë e bukur trekatëshe, e shtetëzuar si gjithë të tjerat fill pas çlirimit, kur të zotët e tyre, borgjezët e fëlliqur, i pushkatuan skërkave, i plasën burgjeve, apo në rastin më të mirë, i syrgjynosën fshatrave të fundosur mes kënetave dhe moçaleve, ku rroptoheshin tërë ditën e ditës për një krodhe bukë. Apo nuk e dinte ajo, anëtarja më e re dhe e vetmja e Byrosë Politike, më mirë se kushdo tjetër se, çfarë do të thoshte të punoje në bujqësi; bujkrobëri, do të thoshte, bujkrobëri e shtyrë gjer në shekullin e XX. I internuar, apo edhe kooperativist i lirë dhe me të drejtë vote, njëlloj do ta përballoje sfilitjen.
Vërtet ajo pasi kreu shkollën e lartë të Partisë Vladimir Iliç Lenin, e emëruan kryetare kooperative, (kooperativë e tipit të lartë), por sa e sa vite të panumërta, ishte dërmuar ugareve në të ftohtë e në të nxehtë!
Por Partia ia vuri syrin dhe, ja tani ajo do ta linte fshatin, vendlindjen e saj, që ishte gjithashtu edhe vendlindja e tërë fisit të saj dhe, do të ishte njëri nga të trembëdhjetë personat më të rëndësishëm të Shqipërisë! As në ëndërr nuk i qe shfaqur kooperativistes kokulur një e ardhme rrëzëlluese që i siguronte një jetë të lumtur, mes të mirave dhe, hyrjen në histori, por, me sa duket, fati kur do, vjen e të gjen edhe sikur të kesh humbur në çinimaçin, siç shpreheshin të moçmit; anëtare e Byrosë Politike…
Mirëpo, a do ta justifikonte me punën dhe përkushtimin e saj besimin që kishte Partia tek ajo; pra, a do të ishte në gjendje ta kryente detyrën e lartë që i kishin ngarkuar?
Po; patjetër që po, ndryshe Partia nuk do ta kishte zgjedhur midis shumë e shumë kandidatëve të tjerë. Çfarë ishin të paaftë, komplotistë dhe agjentë të regjur të socialimperializmit, Partia i gjykoi dhe i dënoi me vdekje.
Sa hap e mbyll sytë, me një fjalë, me të marrë lajmit me dritë se ishte emëruar anëtare e Byrosë, ajo e kuptoi, u ndërgjegjësua dhe u bind plotësisht, po, po, që e tillë paskësh lindur; të drejtonte, të urdhëronte me ashpërsi; ç’kooperativë, ç’kazma e ç’lopata, e ç’shurrë e ç’mutra të shpërndarë arave si pleh organik…
Tani, tani do ta jepte ajo kontributin e saj të vyer e të dobishëm për atdheun; ato punërat e gjer djeshme se ç’kishin qenë ca veprime mekanike, të programuara njëlloj si edhe në trurin e thneglave…
E dinte që, gabimet e bëra në këtë detyrë të rangut të epërm, i paguaje me kokë (dhe, kokën nuk ta gjente më njeri!) por ajo, duke përjashtuar pa diskutim vetëm shokun Enver, e zotëronte marksizëm–leninizmin më mirë se kushdo tjetër. Prandaj, as do të trembej ndonjëherë, dhe as do të pengohej gjëkundi…
Tek meditonte për ditën e re që do të zbardhte, duke qëndruar më këmbë aty te dritarja e shtëpisë, që do ta linte qerrja të cilën e dalloi tek ectengecte në sfondin e plepave, të cilët përndiqnin rrjedhën e kanalit vaditës, iu duk si hatërmbetur dhe e tradhtuar! Dhe nuk kishte faj e gjora; sa e sa herë kishte hipur ajo në qoshe të saj, e lodhur dhe e mbaruar dhe këmbët e zbathura, apo me një palë shapka të shqepura që i lëkundeshin e i lëkundeshin jashtë! Kishte hipur sa e sa herë për të vajtur nga njëri sektor te tjetri apo edhe për t’u kthyer në shtëpi dhe, ai dielli i pasditevonës, i dukej gjithmonë mu si ajo lulja e gjembit të gomarit, e ngecur ne bodecin e hostenit të qerrtarit …
Të gjitha, të gjitha i përhiheshin përpara syve; arat e blerta, apo të florinjta, lopët e bekuara, apo dhe tërë kafshët e tjera shtëpiake, që i mplekseshin pandashmërisht me blegtorët, aq sa shpesh, nuk i ndaje e nuk i vlerësoje dot veç e veç; pastaj traktorët dhe autokombajnat gati–gati të adhuruara, ngaqë i shpëtonin fshatarët nga angaritë më të lodhshme, leximi i kryeartikullit te gazetës (Zëri i Popullit) në agullimën verbuese, para se të niste anekënd puna, nëna e saj pastaj, që bobotinte sa herë i ngordhte qoftë edhe një pulë…
Të gjitha, të gjitha i përhiheshin e i lëviznin përpara syve me një shpejtësi të papërmbajtshme, e nganjëherë, përkundrazi, me përtaci e si me pendesë, a thua se lypsej t’i shpoje me atë hostenin e buajve, që të shkathtësoheshin…
Por sa herë e sa herë i kishte pastruar këmbët në kanal, me të dalë në rrugën e asfaltuar automobilistike! I kishte pastruar në ujin e pakët këmbët e buhavitura dhe me thembra të plasaritura më keq se lëkura e breshkës, që të mund të mbathte pas asaj udhe të përshkuar arave zbathur, apo me çizme llastiku, këpucët e mira, të cilat i mbante në çantë, sa herë paraqitej në zyrat e Komitetit të Partisë, ku e thërrisnin vazhdimisht për lloj–lloj mbledhjesh për dhënie llogarie dhe, për t’u njohur me direktivat më të fundit nga Qendra.
Por do t’i linte të gjitha. Të gjitha…
Me të hyrë në mjediset e vilës, u nguros aq befasisht sa, pothuajse nuk luante dot as sytë majtas–djathtas. Ata të Drejtorisë së Pritjes ia kishin mobiluar ndërkohë shtëpinë e re kat më kat dhe, njëherësh, ia kishin pajisur edhe me të gjitha sendet e domosdoshme për një jetë komode të rangut të saj.
E shoqëruan duke i dhënë shpjegimet e nevojshme për çka ajo i pyeste dhe, për fat u larguan pa e zgjatur, prandaj byroistja gjeti kohën të lëshohej nëpër shtëpi e shpenguar, së bashku me të shoqin e heshtur që vetëm buzagazej si budalla dhe me të tre fëmijët që kërcenin si keca, duke lëshuar ca britma të mprehta primitive, sa herë hapnin apo mbyllnin ndonjë derë, gjersa ndalën te dhomat e tyre të gjumit…
Vila, para se të hynin ata, banorët e ardhur nga fshati, kishte shërbyer si ambasadë e një shteti europianoperëndimor dhe, ata, me sa dukej lehtësisht, e kishin mirëmbajtur për mrekulli; anekënd në oborrin e përparmë të konturuar hijshëm prej ligustrave, kishte trëndafila të kuq melankolikë, ndërsa në oborrin e pasmë ndodhej një basen blu blu si qiell vjeshte, të cilin, siç i shpjeguan, ata perëndimorët e përdornin si pishinë, duke u larë fare lakuriq, si të degjeneruar që ishin…
Por për të gjitha këto do të mendonte dhe do të vendoste më vonë se çfarë do të bënte; do t’i shkulte trëndafilat dhe, në vend të tyre, fjala vjen do të mbillte ca rrënjë portokallesh, por ndoshta edhe ca rrënjë domatesh dhe, a do ta mbushte me dhe e me gurë, nëse e lejonin, atë rezervuarin, a ç’dreqin ishte, me gjithë atë tubin e gjatë në mes, që harxhonte ujë kot së koti, apo do ta linte ashtu pa i rënë më ndër mend për të?
Megjithatë, porosia e atyre që e kishin ndihmuar përgjatë shpërnguljes, gjithsesi të mundimshme dhe acaruese, që të mos merrte shumë gjëra me vete nga fshati, kishte qenë mjaft me vend; gjyma bakri, kova, vedra e veksha, qypa të thellë si pus, sofra, tepsi e tasa me përmasa të pabesueshme, si të ishin enët e Polifemit, nuk i preku me dorë fare, por ia la s’ ëmës, që mbeti e vetme, ngaqë nuk pranonte kurrsesi të shkëputej nga qoshja e saj…
Hë për hë, i nevojitej të lahej e të pudrohej çdo ditë, të krihej, të vishej e të mbathej me kujdes të madh; të mos e ngrinte zërin asnjëherë (madje, as me mvartësit, sepse i bëhej zakon i pakontrollueshëm) dhe, kur të dilte në trotuar, përpara portës së vilës, e shoqëruar gjithë sy çelësi nga rojat, të mos nxitonte të hapte vetë derën e Mercedesit të zi luksoz, por të ndalte e të priste një grimë sa t’ia hapte shoqëruesi i saj i parë.
Sa shumë porosira i kishin dhënë të tjerët, por sa shumë i kishte dhënë edhe ajo vetes për t’i pasur rreptësisht parasysh, megjithatë e shqetësonte veçanërisht, aq sa nuk e ndalte dot, kuqërrimin shpërthyes në fytyrë, ajo kapardisja (me dashje, apo pa dashje) në ndenjëset e buta dhe të rehatshme prej lëkure të veturës së saj të parfumuar që xixëllonte gjithandej; ndjehej si e kërcënuar, ngaqë mund të ndizte mërira dhe zili te ndonjëri nga ata që ta prishnin prokopinë si me magji, duke llomotitur kinse shkarazi e me shaka në një mjedis, ku ngjiste fjala; e mo si shumë shpejt u llastua ajo e sapoemëruara; dale, dale, nuk ka hequr ende shpërgënjtë nga prapanica!
Po, po kushdo mund të këpuste broçkulla sa t’i tekej dhe, hajt t’ia mbyllje gojën!
(Ah, moj qerre, moj qerre, me buaj që heshtin edhe kur i shpon…)
Po ç’qerre e ç’fshat e ç’baltra; u tha njëherë kjo! Byroistja me t’ia hedhur javës së parë në detyrën e re, nisi të ngrefosej vërtet me vetëdije në Mercedes, ndonëse pa e përcaktuar dot se kujt kërkonte t’i bënte sfidë? Por herë–herë, ia kishte ënda fort të gjendej ballë për ballë me disa nga ata birbot e kooperativës, apo me disa nga ata kuadrot idhnakë të Komitetit të Partisë të rrethit që e përfshinte gjer dje, por, e pse jo, edhe me ndonjë kuadro të lartë të Partisë, në Qendër, që e kishte mahitur dhe e kishte tallur haptazi për sa kohë ajo militonte në fshat. Ah, por ajo mësoi edhe vetë fap –fap të përçmonte dhe të qesëndiste, mësoi të vështronte me sy gjysmë të ulur, si ai që të mat e të peshon; përpunoi në fytyrë një plastikë të stërholluar prej aktoreje, duke arritur në çast të kalonte vijueshëm nga një grimasë që shprehte neveri dhe përbuzje, në një grimasë tjetër, që shprehte gjithë shëmti servilizëm të tejngopur me ëmbëltim të lëtyrshëm…
Në zyrë, ndonëse ajo ndodhej në ngrehinën masive të Komitetit Qëndror, veçse dyqind metra larg vilës së saj, shkonte me makinë (për arsye sigurie) dhe, mbrëmjeve e bëri zakon të hynte e të dilte në Shtëpinë e Partisë nr.1, e cila gjithashtu ndodhej në Bllok, ku shokët e Byrosë mblidheshin dhe bisedonin për çështjet ndërkombëtare orë e orë të tëra, pinin kafe ekspres, tymosnin cigare Partizan, ashtu si edhe Komandanti, shfletonin dhe konspektonin rresht për rresht veprat e pashtershme të Tij, apo ndiqnin edhe ndonjë film të rekomanduar, ashtu të zgërlaqur dembelisht në ca kolltukë si furriqe.
Kështu quhej: Shtëpia e Partisë dhe, kishte disa të tilla; njëshi, dyshi, etj. Me sa kuptohej, iu kishin vënë emrin e Shtëpisë së Themelimit, (shtëpisë – muze në rrugicat kapilare të Tiranës) që ta aktualizonin dhe ta shumëfishonin pa shkëputje atë togfjalësh dhe, kësisoj, t’i kthenin ato shtëpi në tempuj të kultit marksist…
Në dyqanin e Bllokut, dëng me ushqime dhe me rroba të jashtme, dukej rrallë e më rrallë dhe, më së tepërmi e yshtur nga fëmijët, të cilët nuk ngopeshin e nuk ngopeshin së bleri këpucë pulovra dhe pantallona xhins, që asaj , punonjëses së Partisë, i dukeshin tepër ekstravagante, por çfarë të bënte? Së pari, i vinte keq t’ua prishte harenë fëmijëve dhe, së dyti, por që ishte edhe më delikatja, si ta ngrinte zërin dhe të bërtiste, ndërkohë që të gjithë fëmijët e tjerë të Bllokut, të atilla rroba vishnin, madje edhe ca më moderne, sepse i porosisnin dhe i blinin vetë jashtë shtetit. Por edhe ajo, duke parë e duke bërë, jashtë shtetit do t’ua blinte fëmijëve që ç’ke me të!
Për fat, ai vit që ajo u vendos në kryeqytet, qëlloi viti më liberal i diktaturës së proletariatit dhe asaj, që nga dritarja e Mercedesit, jo rrallëherë i kishin zënë sytë nëpër rrugë vajza me minifund dhe, djem me pantallona kauboj dhe me flokë të gjatë që ua mbulonin veshët dhe qafën. Madje, thoshin, ja atje nëpër zyrat e Komitetit Qendror se, festivali i ardhshëm i Këngës në Radiotelevizion, do të ishte krejt ndryshe nga vitet e shkuara; do t’i këndohej dashurisë së lirë, vjeshtës së pikëlluar, apo pranverës përndezëse, muzika do të ishte ritmike, ndërsa prezantuesi i tij do të dilte në skenë me një xhaketë me kopsa metalike, teksa partnerja e tij me minifund dhe me një bluzë me dekolte të ekzagjeruar…
Askush nuk e dinte çfarë po ndodhte në të vërtetë, por, të gjithë prisnin ta ngrinin zërin në kupë të qiellit, apo (ku ta dije?) ta ulnin kokën gjer në gjoks, por sidoqoftë; nga çdo drejtim që të merrej kthesa, ajo për veten e saj, ishte brenda, sepse vazhdonte të vishej fare thjeshtë, ndonëse në vesh i kishin mbërritur nja dy barsoleta që e vinin në lojë, pale pastaj, gratë, që, një e dy thoshin: ç’më je veshur kështu, kaq démodé, më keq se …
Por si guxonin njerëzit e i jepnin gojës, megjithëse e dinin që kishte një ligj që, i dënonte të gjithë ata që shpifnin kundër drejtuesve të lartë të Partisë, apo i ofendonin ata publikisht. Po kë të kapje? Llafazanët, apo ku ta dije saktësisht se kush, arrinin gjer atje sa të thoshin se ajo me siguri ka qenë kodoshja e disa ministrave, përndryshe si u ngjit aq lart, duke i lënë pa mend të tërë? Apo është e zgjuar ajo …
Por më të liq se ata që i hapnin këto llafe, ishin ata që ia rrëfenin asaj, gjoja që ajo të merrte masa në kohën e duhur dhe të mbronte dinjitetin e saj dhe të familjes. Po si të mbrohej ajo; të shkonte e të raportonte te Enveri?! Pika! …
Në njërën nga ato mbrëmjet e çlodhjes aktive, shokët (e Partisë) e ftuan të luante së bashku me ta ping–pong, lojë, emri i së cilës, asokohe, përveçse në sport, përdorej edhe në diplomaci, nëpërmjet formulimit metaforik politika e ping–pongut.
Byroistja kishte buzëqeshur fajësisht, duke iu thënë se, nuk dinte të luante. Të mësojmë ne, ia kishin kthyer ata njëzëri dhe, ajo kishte pranuar, aq më tepër që, patronazhi i tyre i tingëllonte plotësisht: të mëson Partia…
Ajo kishte dëgjuar se, brezi i ri i Bllokut, brezi me historira dashurish, më keq se në ato telenovelat e pafundme amerikane, të cilat kishte nisur t’i ndiqte rregullisht edhe vetë, nuk luante ping–pong; brezi i ri luante penis, siç e kishte fiksuar ajo në kokën e saj se quhej ajo lojë. Prandaj i qe kthyer të shoqit dhe i kishte thënë: dua të blej një kostum penisi, por atje te dyqani ynë, në Bllok sikur nuk kam parë. Ç’thua moj? Aha, kërkon të blesh prezervativ; kështu thuaj. Po ç’t’u shkrep; ne nuk kemi përdorur kurrë. Ç’prezervativ, o i shkulur; kostum, kostumin e asaj lojës me top të vogël. Kostum tenisi? T e n i s i, moj, se për pak na turpërove fare…
Pa u ngutur, por edhe pa u vonuar, siç porosiste pareshtur edhe Partia, do t’i rregullonte një e nga një të tërë punët e veta; së pari do të merrej me fëmijët; do t’i shpinte në shkollat më të mira të vendit dhe, kur te mbërrinin moshën për në universitet do t’i çonte jashtë shtetit. Ato shfaqjet e huaja iu bënin dëm fëmijëve të popullit, jo fëmijëve të qeveritarëve dhe partiakëve të lartë…
Pastaj do të fuste edhe të shoqin në një punë të rehatshme, sa për të thënë, sepse nuk po e duronte dot që sorollatej e vinte vërdallë nga mëngjesi në mbrëmje, duke iu qarë gjoja me shaka mjeshtakëve: ja, në shtëpinë tonë mbizotëron rendi matriarkat; unë as flas më e as më dëgjon më njeri. Tani nuk thonë më: e shoqja e filanit; tani thonë: i shoqi i filanes, hahaha...
Por ajo do t’i rregullonte të tërë me soj e sorollop, që të mbanin e të mbështesnin njeri–tjetrin sa herë të paraqitej nevoja...
Kur i erdhi e ëma në vilë për të bujtur ca ditë, me një bohçe basmeje në dorë, byroistja u gëzua shumë, sepse do ta kënaqte, më në fund, me gjithë ato të mirat, do t’i rrëfente fill e për pe shtëpinë e re dhe, do të përpiqej t’i mbushte mendjen që të linte fshatin dhe, të jetonte me ta, në Tiranë. Por fëmijët varën turinjtë, a thua se i ofendoi ndokush dhe, nuk e mirëpritën ardhjen e gjyshes së tyre, ngaqë ajo dallohej që tutje që ishte një fshatare dhe, binte ende era popull.
Ish kooperativistja, e vuri re menjëherë armiqësinë e fëmijëve ndaj atij njeriu që kishte mbetur në fshat, prandaj i mblodhi me ngut dhe i qortoi rreptë, duke iu tundur mu në surrat gishtin tregues dhe, duke ua kujtuar se, ishte pikërisht ajo gjyshja zemërdhembshur që i kishte rritur dhe u kishte ndenjur te koka, kur sëmureshin. Por plakës nuk i qeshi buza asnjë çast të vetëm; ngjiste dhe zbriste shkallët me duart në ije si vegje shtame dhe, rënkonte dhe ankohej: ç’është kjo punë kështu, të më vënë përpara për të ngrënë e për të pirë të tjerët, të m’i marrin ndërresat e të m’i lajnë bijat e botës; unë jam e zonja të mbaj në këmbë një shtëpi me njëqind shpirtra…
Por e bija–kuadro i bënte çdoherë me shenjë që të heshtte dhe, kur mbeteshin vetëm me njëra–tjetrën në shtëpi, niste e i tregonte qilimat persianë, shtruar dhomë më dhomë, perdet e gjata, gjithë motive florale, mermerin me dritë të thellë nëpër shkallë e nëpër korridore, bufetë, abazhurët e rëndë shumëllambësh, tablotë nëpër mure, pasqyrat e kristalta (që për çudi, nuk të deformonin!) dhe, pas çdo gjëje, i thoshte: edhe këtë borgjezëve ua kemi marrë, edhe këtë, edhe këtë, patjetër që borgjezëve ua kemi marrë, posi; dhe nuk u lamë të gëzonin një majë gjilpëre…
Dhe psherëtinte gjithë gërvima të thata fyti, a thua se, ishte vetë ajo që ishte përplasur me borgjezët dhe i kishte ndëshkuar…
Një mëngjes me shi, me një shi tërë pëshpërima si thashetheme, plaka u ngrit të ikte. Bohçen prej basmeje ia kishin zhdukur dhe, në vend të saj i kishin përgatitur për t’ia dhënë me vete dy çanta të mbushura me plaçka të reja.
Te porta e vilës, ku e priste makina e dytë e anëtares së Byrosë Politike, plaka u përshëndet me të gjithë, dhe, në fund, pasi e puthi të bijën në të dyja faqet, i pëshpëriti në vesh: kujdes moj çupë, se mos t’i marrin komunistët të tëra ç’ke…

2006

No comments: