Monday, December 20

Duke shkuar…



Vdiq dhe, ne u nisëm drejt tij! Por sa shpengueshëm e kaloja nëpër mend, apo edhe e shqiptoja foljen e zezë me vdek! Siç duket, në rastin e tij, vdekja nuk ta shkaktonte atë dhembjen e thellë ligështuese…
Me një fytyrë tërë rreshta rrudhash të pafundme, alfabeti mistik, me të cilin shkruhet mençuria, dhe, me sytë të mbetur përgjithmonë të kaltër, të kaltër, mu si ai qielli kur zbulohet befas sensualisht mes shirash të shkëndijshëm, Poeti më shfaqej përpara jo i vagullt, por besueshmërisht i lëndët dhe i cekshëm, me dorën e ngritur lart për një përshëndetje lamtumire dhe, me ca xixëllima thuajse elektrike të një nënqeshjeje ndër buzët e pjerrësuara, nënqeshje që nuk iu shua kurrë, me të cilën, gjithë sarkazëm, gjithë mahi, por edhe gjithë përkujdesje e merak, dukej sikur porosiste: dashuroni, dashuroni në çdo çast të jetës, përndryshe, si mund të rrohet pa këtë shqetësim të ëmbël…
Po shkonim te ai
Të heshtur dhe të menduar.
Përgjatë Shkumbinit, në krah të të cilit shtillej rruga që po përshkonim, rrëzëllinte vjeshta me një dritë të praruar, të qetë dhe të përmbajtur si dekor ceremonish funebre, teksa era e herëpashershme, plot ahte dhe ngashërime, dikonte mbi rrufullat e ujërave të fryrë, gjethet, gjethet e krahasimeve të pambarueshëm të poetëve...
Atje, buzë liqenit prej loti, apo majë degëve rrënkuese të mështeknave të shkundura nuk do t’i gjenim më lejlekët dhe zogjtë e tjerë shtegtarë; ata sigurisht që mungonin tashmë dhe, nuk do t’i shihnim, ashtu siç nuk sheh edhe atë dashnoren e zëmëruar që nuk del më në takim...
Pas varrimit, me t’u deklamuar shtërgu i fundit, që është kthyer në një de profundis i vërtetë shqiptar, aq më tepër ngaqë lutjet e mirëfillta të teksteve të shenjta, as që guxonte t’i zinte ende njeri me gojë, edhe pse vetë diktatori i pafe, tashmë ka më se dy vite e gjysmë që ka vdekur, do të lëshohesha i vetëm nëpër qytet, i cili, me të perënduar tretet e bëhet flu, si i pasqyruar n’ujë, kurse hëna pas kallamishteve frushulluese, është si ai syri i bukur ëndërrimtar pas leshrave të shpupurisura…
Do të veja patjetër edhe te kopshtet me mollë, kopshtet me aromën e nostalgjisë për Pogradecin. Ato kopshte do t’i mveshë së shpejti krahneza fine e brymës dhe më pas edhe krahneza lëbyrëse e dëborës dhe, atëherë do të kthehen në kristale dritash…

Dhe ishte vjeshtë
Po ç’mund të ishte tjetër?
Njihte veçse kalendarin e stinëve, ndërrimin e të cilave gati-gati e përgjonte si shumica e poetëve dhe, për rrjedhojë, e ndjente i pari, duke u prekur dhe duke u gëzuar hareshëm si fëmijë nga ndryshimi i peizazheve nëpër hapësira.
Dhe, kur ishte verë, jetonte verën, i përfshirë nga afshet erotike, trillet dhe dalldia dhe, kur ishte pranverë, jetonte pranverën dhe, ashtu i ndezulluar, i hajthëm dhe gjithë vesk, si lastar i lëngëzuar, nxitonte të shihte bajamet e çelura dhe zogjtë që ishin kthyer dhe, sakaq ishin ulur mbi arat që avullonin ...

Një herë të vetme u shtir dhe pozoi ai dhe, dështimi i ra mbi kokë si mallkim. Dështoi turpshëm dhe shëmtueshëm me një farë vjershe që u stërmundua ta stiste, kinse për sukseset e mëdha të socializmit dhe, u tërhoq i nervozuar dhe i indinjuar më i vendosur se kurrë e, nuk u mëdysh më, deri edhe sot e kësaj dite që vdiq. Dhe as që deshi t’ia dijë për planet pesëvjeçarë të zhvillimit, bllokadën e egër imperialisto-revizioniste, dekoratat, fletërrufetë, konkurset letrare, plenumet, kolektivizimin e bujqësisë...
Çfarë proteste! Në heshtje dhe me shmangie. Pa ballafaqime dhe përplasje, pa proklamatë dhe sherre, pa akuza të ndërsjella dhe, pa promemorie. I vetmi institucion, që me sa dukej, njihte dhe pranonte, ishte Liqeni, që e prehte dhe i frymëzonte amshim...
Madrigal i pikëlluar i vjeshtës. Por gjer ku do ta ndiqnim?
                                                             

11 Nëntor   1987


No comments: