Thursday, March 11

Lajmi


Heinrich Boell, Die Botschaft
(Përktheu nga origj. Ael, botuar në Gazetën Nacional)


 
A keni dëgjuar ndonjëherë për një fshat të humbur e të mbytur nga pisllëqet, për të cilin edhe pyetja, përse punonjësit e hekurudhës kanë vendosur aty një stacion, është e tepërt? Në këtë fshat pra, pafundësia ngrin përmbi ca shtëpi të pista dhe përmbi një fabrikë gjysmë të rrënuar; përreth shtrihen djerrinat e nëmura, ku që në çastin e parë kur i vështron mbetesh i pa ngushëlluar, pasi jo vetëm që nuk ka asnjë pemë,por edhe kambanorja e ndonjë kishe mungon.
Më në fund, më në fund makinisti me kasketë të kuqe e nis trenin dhe vetë humbet pas një tabele udhëzuese me germa qartësisht të lexueshme duke të shtyrë të besosh se paguhet veçse për të fjetur dymbëdhjetë orë në ditë, ashtu i mbuluar nga mërzia.
Megjithatë nuk isha i vetmi që zbrita në stacion; një grua e vjetër me një pako të madhe ngjyrë kafe zbriti gjithashtu nga kabina pranë simes dhe, kur unë e lashë pas stacionin, gruan sikur e përpiu toka e, sakaq, mbeta vetëm dhe nuk kisha kë të pyesja për t’u orientuar.
Pranë shtëpive të rralla, me gurë të kuqërremtë, me dritare të mbyllura e me perde të zverdhura, nuk mund të besoje kurrsesi se brenda tyre gjallonte jeta. Në vazhdim, avlli të zeza, qe dukeshin sikur do te shembeshin nga çasti ne çast. Eca përgjatë avllive, sepse druhesha te trokisja në njërën nga ato shtëpi pa jetë dhe në kthesë u zgjata për të parë, përveç një tabele thuajse të palexueshme fjalën “Ekonomi”, edhe fjalën “Rrugë kryesore” me shkronja të qarta, me ngjyrë të bardhë mbi sfondin blu. Më tutje disa shtëpi të tjera mbi një rrafsh të pjerrët, pastaj pisllëku i shpërndarë ngado dhe, përballë, muri i kallkantë dhe i zymtë i fabrikës , i cili ngrihej si një barrierë e pakapërcyeshme për në perandorinë e vuajtjeve.
Duke iu bindur instinktit tim mora nga e majta, por menjëherë kuptova se ky ishte fundi i rrugës; muri i fabrikës zgjatej edhe nja dhjetë metra më tutje dhe pas tij hapej fusha në një gri të errët dhe me një tis iluziv të blertë, që fekste aty këtu në horizontin e murrmë dhe, unë pata ndjesinë e tmerrshme se ndodhesha në një rrokopujë të pafundme, a thua se isha një i dënuar, i përthithur nga skëterra e pazëshme, për të vuajtur mungesën e plotë të shpresës.
Në të majtë ndodhej një shtëpi përdhese e ndërtuar si me punë angari; në mëdyshje, duke m’u ngatërruar këmbët u drejtova për nga shtëpia. Pasi shtyva trinën e shtrembër të gardhit të përpirë nga barërat e këqija, pashë numrin dhe atëherë kuptova se isha në shtëpinë e duhur.
Kanatet me ngjyrë të blertë, të zbërdhulur ishin puthitur aq fort sa ishin bërë njësh; sprethi i ulët aq sa mund ta prekje me dorë ishte mveshur me një fletë të hollë llamarine dhe të ndryshkur.
Ishte një qetësi e papërshkrueshme dhe muzgu kullonte përtej vijës bashkuese të horizontit. Stepa për një çast përpara portës së shtëpisë dhe do të kisha dashur të kisha vdekur që atëherë…, në vend që të hyja në këtë shtëpi.
Kur zgjata dorën për të trokitur në derë, dëgjova një të qeshur femre të pakuptueshme, nga ato të qeshura që herë të lëngojnë, herë të gëzojnë. Gjithsesi,kështu mund të qeshte veçse një femër, që nuk ishte e vetme në shtëpi. Shtanga edhe njëherë tjetër, por dëshira tunduese e përndezur përbrenda më shtynte të humbja në pafundësinë gri të muzgut që ishte përhapur mbi humbëtirat, duke më nxitur të trokisja me forcën e fundit rëndë në derë. Në fillim mbizotëroi heshtja, pastaj psherëtimat dhe hapat; hapa të qete. Dera u hap dhe pashë një femër me flokë të kuq, e cila më kujtoi atë dritë të papërshkrueshme, të pikturave të Rembrandit që rrezaton ngado.
Ajo u tërhoq pas e , me një hap të shkurtër dhe me duart e brishta mbante derën. Por kur hoqa kapelën e ushtarit dhe e përshëndeta me zë të ngrohtë: “M’brëma!”, ngërçi i trembjes u fashit nga fytyra e çuditshme dhe pa formë e femrës, që buzëqeshi me ankth dhe tha:”Urdhëroni!”.
Në sfond u shfaq një siluetë rrëshqitëse e një mashkulli.
“Dua të flas me Zonjën Brink!”,- thashë me zë të ulët.
“Urdhëroni!”,-tha përsëri me një zë monoton femra, e cila lëvizi me nervozizëm derën. Sakaq silueta e mashkullit ashtu siç u shfaq, ashtu humbi papritur në errësirë. Hyra në një dhomë të madhe, plot me mobilie të vjetra, ku era e keqe e ushqimeve dhe e cigareve të shtrenjta përzihej dhe kutërbonte prej kohësh. Dorën e saj të bardhë e çoi gati fshehtazi për të çelësi i dritës, e cila kur u ndez, ra mbi të dhe, ajo u duk e zbehtë, pothuajse si një kufomë, ndërsa floku i saj i kuq ishte si një zjarr i dafurruar.
Me duart që i dridheshin mbante gjoksin e rëndë, edhe pse fustani i purpurt nuk ishte dekolte. Vështrimi i saj me ata sytë blu ishte i trembur, sikur të ndodhej përpara një hetuesi apo gjyqtari. Edhe vetë pikturat modeste në mur ishin si aktakuza të varura.
“Mos u trembni!”,- i thashë i vendosur dhe e dija që në këtë çast se ky ishte fillimi më i gabuar që mund të kisha zgjedhur. Pa pasur mundësinë për të vazhduar më tej, ajo tha me qetësi:
“Unë i di te gjitha, ai ka vdekur…, ka vdekur!”.
Unë nuk munda veçse të pohoja me krye. Pastaj rrëmova në çantën time për të gjetur e për t’i dhënë sendet e fundit , por nga korridori u dëgjua një zë i ashpër : “Greta!”.
Ajo më vështroi me dyshim, shtyu derën dhe u përgjigj me një zë gërvishtës.
“Duro edhe pesë minuta, dreqi e mori!”.
Sytë e saj më vështruan gati triumfalisht. Mbi tryezën me një cohë të blertë dhe të butë, lashë një e nga një unazën e martesës, orën dhe librin e ushtarit me fotografitë midis fletëve. Papritur ajo filloi të rënkojë ashpërsisht, gjithë britma të mbytura. Linjat e fytyrës së saj humbën tërësisht dhe lotët e nxehtë i fshinte me gishtat e vegjël dhe mishtakë. Me dorën e djathtë u mbështet mbi tavolinë, ndërsa me të majtën prekte ato pak sende. Kujtimet e thernin si njëmijë shpata dhe unë e kisha të qartë se lufta nuk do të mbaronte kurrë, për aq kohë sa plagët e shkaktuara prej saj do të ishin të hapura.
I dorëzova të gjitha; mërzinë, urrejtjen dhe pesimizmin, si një peshë të rëndë të pakuptimtë dhe i hodha dorën mbi supet e plota, dhe, kur fytyra e saj e habitur u kthye nga unë, pashë për të parën herë ngjashmërinë e saj me fotografitë e vajzës së bukur dhe të shtrenjtë, të cilën e kisha parë kushedi sesa herë në llogore…
“Ku ndodhi, në lindje?”
E kuptova qe mund te shpërthente përsëri në dënesë. ”Jo…në perëndim, në frontin e armikut…ishim më shumë se njëmijë…”,-iu përgjigja.
“Dhe pastaj?”
Vështrimi i saj ishte i tendosur, i vëmendshëm e i gjallë dhe fytyra e re dhe e freskët, sikur vazhdimi i jetës t’i varej nga përgjigjja ime.
“Në Korrik të 1945”, -thashë me zë të ulët. U duk sikur po mundohej për një hop dhe, pastaj buzëqeshi pafajshmërisht dhe, unë e kuptova përse.
Por papritur më ngjau sikur shtëpia do të më shembej mbi kokë dhe u ngrita te iki. Ajo më hapi derën pa nxjerrë asnjë fjalë dhe vetëm pasi më zgjati dorën e saj të vogël, me dënesë më tha:
“E dija, e dija, qe para tre vitesh, kur e përcolla për në stacionin e trenit”,- dhe më pas shtoi: “Mos më dënoni!”.
Më preku thellë në shpirt me këto fjalë; o Zot, mos iu duka asaj si një gjyqtar?! Para se t’i shmangesha këtij akti, ia putha dorën e butë dhe këtë gjest e bëja për herë të parë në jetën time. Sakaq, jashtë ishte errësuar plotësisht dhe ashtu i mbërthyer nga ankthi ndala dhe një herë përpara derës, nga ku dëgjova vajin e pandalshëm të saj. Sa do të dëshiroja që shtëpia të shembej dhe ajo të varrosej nën te!
Preka veten për t’u përmendur dhe do të doja me të gjithë fuqinë që kjo dalldi të më hidhte drejt e në stacionin e trenit! Llambat e mekura ndriçonin që nga shtëpitë e tulatura dhe i gjithë ky fshat i humbur dukej sikur ishte zgjeruar. Edhe pas murit të zi m’u shfaqën oborre te pafundme, te ndriçuara nga llambushkat, ndërsa nata ishte e rëndë dhe me një të zezë të kondensuar.
Në sallën e vogël të stacionit të trenit përveç meje gjendej edhe një çift pleqsh, të strukur dhe të ngjeshur me njëri-tjetrin pas një qosheje nga të ftohtit.

Me duart në xhepa dhe me veshët mbuluar me kapele prita gjatë, teksa nga shinat vinte vazhdimisht një thëllime e hidhur dhe nata rëndohej.
“Sikur të kisha vetëm një copë bukë dhe pak duhan!”,- murmuriti një burrë mbrapa meje, kurse unë përkulesha për të parë dritat paralele që përzgjateshin mbi shina.
Por më pas, dera shpërtheu dhe, makinisti, me kasketën e kuqe mbi kokë dhe me fytyrë të mbufatur nga lodhja, bërtiti, a thua se ndodhej në sallën e një stacioni të madh plot e përplot me njerëz : ”Treni i pasagjerëve për në Këln vjen me pesëdhjetë e pesë minuta vonesë!”.
Aty për aty m’u duk sikur të isha dënuar për të gjithë jetën në burg.

No comments: