Thursday, January 14

Liria për kos







Liria kolektive në demokraci
(nga njëra anë liria si konsumatorë, nga ana tjetër, liria si qytetar nën një regjim demokratik)
Në një "Supermarket" liria, ashtu sikurse edhe gjatë votimeve për kandidatë nuk ndrydhet nga censura e diktaturës. Ajo është komplekse dhe në të dyja rastet paraqitet me shumë publicitet e, si pasojë, edhe me shumë manipulim. Ç'ndryshim ka mes një konsumatori përballë sektorit të kosit dhe një zgjedhësi përballë dymbëdhjetë letrave të votimit? Të dy situatat janë shfaqje e demokracisë; liri si këtu edhe atje... Apo ka të tjerë që mendojnë ndryshe? Dikush mund të thotë se demokracia është thjesht një manipulim, një liri e gabuar, fare formale. Ne zgjedhim mes kandidatëve ashtu sikurse mes markave të kosit dhe në fund vendosim për një produkt, që është njëlloj si gjithë të tjerët dhe, ky është një manipulim i plotë i lirisë.
Ka një ngjashmëri mes dy situatave, por ajo të mashtron. Këtu dua të përmend aspektin formal të lirisë: të jesh i lirë do të thotë të kesh liri të zgjedhësh, pak rëndësi ka, nëse bëhet fjalë për zgjedhjen e pushtetit apo të kosit. Zgjedhja e kosit bëhet në bazë të reklamës më të mirë, ashtu sikurse zgjedhja e një kandidati përcaktohet nga faktorë sociologjikë "the best image", apo siç u shpreh ca ditë më parë një miku im në facebook se, zgjedhim atë që na e këndon më bukur! Megjithatë zgjedhja e kosit është e kushtëzuar edhe nga sasia e parave që posedojmë. Ka edhe nga ata që nuk janë në gjendje ekonomike të blejnë kos. Bollëku i ilustruar, që duket si tipar i lirisë, njëkohësisht e ngacmon rrënjësisht atë. Është më se e qartë se lirinë nuk mund ta reduktojmë në letra votimi apo marka që prodhojnë kos. Ashtu sikurse nuk mund të ketë demokraci pa letra votimi, "one man, one vote"! Por, duket se procesi zgjedhor është sot më shumë së kurrë i lidhur me publicitetin. Ç'dallim ka pra, mes zgjedhjes së kosit kur prodhuesi i tij na bind me ndihmën e reklamës se kosi i tij është më i shëndetshëm dhe më i shijshëm se i të tjerëve dhe një kandidati, që kërkon të na bindë, po me ndihmën e reklamës, për të votuar për programin e tij? (Tjetër gjë se, ka nga ata që kërkojnë votën, edhe kur s'kanë program. Kosi këtu është i tepërt.) Me anë të fletës së votimit, ne nuk zgjedhim një produkt, por një drejtim të caktuar politik, që do të ndikojë direkt mbi lirinë tonë. Në këtë rast, liria nuk është mjet, por qëllim. Ndërsa për blerjen e kosit, liria është mjet për qëllimin tonë për t'u ushqyer me kos. Interesant është fakti se gjatë gjithë historisë nuk ka pasur asnjë demokraci reprezentative pa ekonomi të tregut.
A thua rregullatorët e ekonomisë së tregut janë një domosdoshmëri për ekzistencën e demokracisë reprezentative? Sipas Raymanod Aron nuk mund të flitet për demokraci pa tregun e lirë dhe se në thelb, janë të dyja e njëjta gjë.
Liria është koekzistencë e lirive të njëjta. Liria politike është e lidhur ngushtë me formën e veprimit të lirë, pra me ekzistencën tregut të lirë dhe me koekzistencën e interesave individuale drejt një interesi të përmasave kolektive. Por mund edhe të pandehim të kundërtën! Nëse liria politike është e lidhur ngushtë me lirinë ekonomike, atëherë duhet medoemos që brenda lirisë ekonomike të shohim një problem politik. Kur flasim për liri politike s'mund ta lëmë mënjanë sistemin e drejtësisë, që koekzistencën e lirisë e bën të mundur në sajë të ligjeve,që janë njëlloj të vlefshëm për të gjithë. Prandaj nuk mund të ketë një ekonomi tregu të lirë, pa barazi sociale, pra pa ligje që kufizojnë lirinë, ekzistenca e së cilës, nuk mund të jetë ndryshe prezente. Një liberalizëm i tepruar e ndrydh lirinë, sepse nuk ka liri pa barazi dhe pa një element, që e tejkalon lirinë. E drejta e atyre që nuk e blejnë dot kosin, është kusht për të drejtën time, për të ngrënë kosin e blerë, sepse e drejta dhe liria e njërit mbaron aty ku fillon liria e tjetrit (Kropotkin) e, më keq akoma, liria është ngjitëse (Bergson) dhe thuajse të gjithë e duam nga një tas kos.
Shënim: Zgjedhja e kosit mes morisë së produkteve ishte fare e rastësishme.





No comments: